Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e deklaroi fajtor ish-anëtarit e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo për fshehje pasurie. Vendimi u shpall të enjten më 17 tetor nga gjyqtarja e çështjes, Elsa Ulliri, pas parashtrimeve të bisedimeve përfundimtare të mbrojtësit të Lulos, avokatit Klodian Skënderaj.
Në seancën parardhëse, prokurorja e çështjes, Doloreza Musabelliu, bazuar dhe në ekspertimin e fundit financiar të kryer për pasuritë e Lulos që e nxirrte me bilanc negativ, kërkoi deklarimin fajtor të tij dhe dënimin me 1 vit burgim. Po ashtu, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit dhe konvertimin me dy vjet shërbim prove. Sipas prokurorisë, Lulo nuk arriti të provojë burimet e ligjshme të pasurive. Në proces u shqyrtuan burimet financiare të pretenduara se ishin përfituar nga bashkëshortja e të pandehurit nga puna pranë Akademisë së Shkencave, si dhe burimi i njësie dhe vlerës 100 mijë euro, të dhuruara nga e motra. Paralelisht me procesin penal, është duke u zhvilluar edhe procesi për konfiskimin e pasurive të tij.
Avokati Skënderaj paraqiti të enjten në mënyrë të përmbledhur qëndrimin përfundimtar. Ai vërejti se ekspertimi i parë i prokurorisë ishte hartuar nga ekspertë që ishin rrëzuar gjithmonë nga gjykata. Sipas tij, vepra penale për të cilën u akuzua Lulo, nuk mund të konsumohej gjatë plotësimit të deklaratës veting.
Skënderaj u shpreh se nga katër aktet e ekspertimit që u kryen, i fundit u konkludua me shumicë, ku dy prej ekspertëve që konstatuan pamundësi financiare nuk konsideruan të ardhurat e bashkëshortes së Lulos nga puna pranë Akademisë së Shkencave para vitit 2004, si dhe të ardhurat e motrës së tij nga biznesi ku ajo ka qenë ortake de facto. Skënderaj theksoi se SPAK në çështje të tjera i cilëson të hetuarit si pronarë de facto vetëm për një email, kurse në këtë rast nuk konsideroi deklarimet e dëshmitarëve se motra e Lulos kishte qenë pronare e një kompanie edhe pse jo e regjistruar si ortake, si dhe kishte siguruar të të ardhura të konsiderueshme nga kontrata qiraje me institucione ndërkombëtare.
Në përfundim, Skënderaj dhe Lulo kërkuan pafajësi dhe në rast të kundërt, nëse gjykata do ta deklaronte fajtor, atëherë të pezullohej masa e dënimit.
Pasi u tërhoq, gjyqtarja Elsa Ulliri vendosi dënimin e Fatos Lulos me 9 muaj burgim, pezullimin e dënimit dhe detyrimin e tij për të kryer 80 orë punë publike, që do të caktohen nga shërbimi i provës. Ulliri caktoi që puna të kryhet brenda një afati 6-mujor.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte i pari që iu nënshtrua procesit të vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK arriti në përfundimin se pasuria e tij prej qindramijëra euroshe nuk mund të justifikohej me burime të ligjshme. Ai u shkarkua nga detyra më 23 mars të vitit 2018.
Lulo, 57 vjeç, pati një karrierë të gjatë si jurist, avokat dhe gjyqtar. Ai rezultoi se kishte krijuar një pasuri me vlerë prej 92 milionë lekësh, nga të cilat 75 milionë pretendoi se i kishte krijuar përpara fillimit të detyrës si gjyqtar.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo dënohet për fshehje pasurie