SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur politikisht, atë të inceneratorit në Elbasan. Report Tv mëson se Lefter Koka u vu në pranga në banesën e tij në Durrës gjatë paradites së të martës, ndërsa gjyqtari Erion Bani më herët kishte vulosur urdhër arrestin e kërkuar nga prokurori Klodian Braho dy ditë më parë.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë. Në të njëjtën skemë, të korrupsionit me inceneratorët, burime nga SPAK thonë për Report Tv se janë shpallur në kërkim edhe S. G, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe K. Z. Janëvendosur në sekuestruo preventive kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.
Ndërkohë që u sekuestron dhe kompanitë “Albtek Energy”, “Integrated Technology Services” si edhe “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. SPAK thotë se po vijon hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme.
Hetimet e kryera
SPAK nënvizon se në hetimet e kryera objekti ka qenë procedura e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, kontratë e lidhur midis midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit dhe janë shkelur rregullat për prokurorimin publik. Gjithashtu sipas SPAK nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Anëtarët e Komisionit për dhënien e konçensionit në bashkëpunim me ministrin Lefter Koka akuzohen se nuk kanë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën, duke bërë që kompania ‘Albtek Energy’ të përfitojë në mënyrë të padrejtë koncesion, në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit”
Para për punë të pakryera! 3.7 mln euro Lefter Kokës
Në njoftimin e SPAK thuhet se kompania “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) kanë marrë fatura dhe kanë kryer pagesa për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. “Albtek Energy” ka deklaruar në mënyrë fiktive 2.950.000 Euro ndërsa “Integrated Technology Services” 735.000 Euro, 3.7 milionë euro gjithsej. Sipas SPAK shifrat e deklaruara si shpenzime dhe që janë fiktive janë përfituar nga Lefter Koka, pra mbi 3.7 milionë euro gjithsej. Këto para Lefter Koka i ka marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” për koncesionin.
Skema e përdorur
S. G dhe K. Z sipas SPAK si pronarë të 2 kompanive kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Lefter Koka ka marrë përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Sekuestro preventive 3 kompanive
SPAK njofton se ka vendosur sekuestro preventine për Albtek Energy” sh.p.k., me seli qendrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të kësaj kompania, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale. Është vendosur sekuestro preventive për “Integrated Technology Services”, me seli qendrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale. Gjithashtu është vendosur sekuestro preventive për pasurinë e Lefter Kokës, aksionet e tij në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.
Kush është Lefter Koka?
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI. Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit. Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.
https://shqiptarja.com/lajm/dosja-e-inceneratoreve-arrestohet-lefter-koka