Dy javë përpara zgjedhjeve parlamentare ende asnjë nga kandidatët e dyshuar si objekt të dekriminalizimit nuk janë verifikuar dhe ende shumica e partive nuk kanë mënjanuar nga gara, stafet apo administrimi politik lokal individët me rekordet kriminale apo persona në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Zgjedhjet meritojnë të kenë kandidatë cilësore, qytetarët meritojnë të votojnë individë që nuk kanë frikë dhe as janë peng i të kaluarës së tyre, si dhe Shqipëria meriton një elitë politike të pastër, zgjedhësit meritojnë të kenë informacion për CV e kandidatëve dhe të stafeve drejtuese të partive politike, burimet e financimit elektoral duhet të jenë publike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi një forum debati me juristë, ekspertë të shoqërisë civile, të medias dhe të qytetareve të angazhuar në Pogradec. Takimi respektoi edhe kufizimet numerike të situatës së pandemisë, por mesazhet e tij u përcollën për publikun e interesuar edhe përmes medias lokale TV SOT7.
Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur: zgjedhjet 2021” mbështetur financiarisht nga NED (National Endowment for Democracy)