ISP: Kuvendi, qeveria dhe partitë të shmangin pengesat në hetimin e zyrtarëve të lartë. Ish zv/kryeministri të përballet me drejtësinë, SPAK të hetojë me prioritet të gjitha denoncimet e tij në media
10 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi përpjekjet për fillim të fundit të pandëshkueshmërisë po përballen me pengesa e presione politike dhe mediatike. Kuvendi po i shmanget përgjegjësisë së tij lidhur me lejimin e hetimit ndaj deputetëve me akuzë zyrtare nga SPAK, partitë politike po i shmangen përgjegjësive të tyre për evitimin nga pozitat drejtuese të individëve të dënuar apo nën akuzë zyrtare penale, qeveria po përdor aksesin e gjerë të saj për qasje selektive dhe për të marrë në mbrojtje zyrtarë politikë nën hetim, ndërkohë që grupe informale me ndikim në vendimmarrje po ushtrojnë presione të shumëfishta kundër hetimeve VIP dhe akteve konkrete antikorrupsion.
Duke mbështetur SPAK dhe GJKKO, si institucionet më efektive në hetimin e zyrtarëve të lartë dhe të grupeve kriminale, si dhe duke njohur e respektuar nevojën jetike që Shqipëria ka për politikë e zyrtarë të pastër, Instituti i Studimeve Politike (ISP) apelon:
- Kuvendi dhe qeveria të mbështesin jetësimin e drejtësisë së pavarur dhe profesionale, duke evituar pengesat politike dhe qasjen selektive ndaj zyrtarëve të akuzuar, sidomos atyre që kanë imunitet dhe pozita të larta
- Partitë politike të shmangin nga strukturat e tyre drejtuese dhe promovimi politik individë e zyrtarë nën hetim ose të dënuar, si dhe të bëjnë ndarje të qartë të institucionit (partive) nga proceset individuale të zyrtarëve përgjegjës.
- Zyrtarët politikë nën akuzë të përballen me drejtësinë, përfshirë ish zv/kryeministri i larguar nga vendi dhe deputetët, si rruga e vetme për të provuar fajësinë/pafajësinë dhe si kusht thelbësor për integritetin e zyrtarëve që kanë drejtuar ose drejtojnë.
- Nisur nga denoncimet mediatike, përfshirë ato të ish zv/kryeministrit, SPAK të nisë hetime për verifikimin e akuzave, të cilat përfshijnë institucione të rëndësishme, buxhetin e shtetit, interesat strategjike të vendit dhe nivele të larta drejtuese të shtetit.
ISP është angazhuar në monitorimin e standardeve të llogaridhënies dhe integritetit për zyrtarët e lartë të zgjedhur dhe të emëruar, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), proces i nisur me dekriminalizimin dhe që vijon deri në vitin 2027.








