Gjatë sesionit aktual parlamentar Kuvendi (mazhoranca) ka refuzuar të gjitha nismat e deputetëve të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore. Refuzimi në bllok, pavarësisht fokusit të kërkesës dhe procedurës së ndjekur, shpreh një qëndrim politik dhe një praktikë shqetësuese për qasjen e shumicës parlamentare ndaj një norme demokratike dhe kushtetuese që i jep mundësi pakicës parlamentare dhe parlamentit për ushtrimin e funksionit kontrollues.
Në traditën shqiptare të komisioneve hetimore janë të pakta rastet kur përfundimet kanë rezultuar efektive, por komisioni i parë (1991 për ngjarjet në Shkodër) dhe ai i fundit (komisioni për inceneratorët) janë dy raste suksesi. I pari rekomandoi masa konkrete deri shkarkim të drejtuesve më të lartë të organeve të hetimit dhe rendit publik të kohës, kërkesë që u zbatua, i fundit sugjeroi në mendimin e pakicës hetime të thelluara nga SPAK, të cilat u zhvilluan dhe për pasojë, disa zyrtarë të lartë janë tashmë në proces vuajtje dënimi ose në proces gjykimi.
Bilanci i suksesit të komisioneve hetimore nuk është argument që vë në diskutim nevojën e ekzistencës së tyre dhe as të përdorimit të tyre masiv. Kushtetuta i njeh të drejtën 35 deputetëve të kërkojnë ngritje të komisionit hetimor, Kuvendi duhet ta ligjërojë të drejtën, duke negociuar vetëm elementë të procedurës/objektit, jo thelbin e kërkesës. Një parim dhe standard kushtetues nuk mund të rrëzohet, ndaj edhe vendimmarrja e shumicës parlamentare aktuale është parë në mënyrë kritike edhe në raportin e fundit të progresit të Bashkimit Europian mbi Shqipërinë.
Nevoja për përmirësime në legjislacionin mbi komisionet hetimore është gjithashtu një proces klasik që bazohet në mësimet e nxjerra, problematikat dhe synimin për të rritur standardet e funksionit kontrollues parlamentar. Kjo nevojë nuk mund të jetë kufizuese e të drejtës kushtetuese, por plotësuese dhe zgjeruese. Mazhoranca aktuale ka vendosur të përfshijë në rendin e ditës në parlament ndryshime të njëanshme të ligjit organik mbi komisionet hetimore, duke iniciuar ndryshime të shpejta në funksion të nevojave politike të ditës, diskutim me procedurë të përshpejtuar në komisione (online) dhe në seancën plenare, si dhe refuzimin e një konsultimi publik. Dy nismat e tjera të opozitës janë refuzuar për më shumë se një vit për tu përfshirë në kalendarin parlamentar.
Duke respektuar të drejtën ligjvënëse të deputetëve dhe duke njohur qasjet alternative të palëve politike aktuale, Instituti i Studimeve Politike (ISP):
• I bashkohet nevojës së rishikimit të ligjit, ndryshimin e përmbajtjes së tij si dhe sjelljen në një linjë me jurisprudencën kushtetuese, ndryshimet kushtetuese të bëra në kuadër të Reformës në Drejtësi në vitin 2016, apo praktikat ndërkombëtare.
• Vlerëson se procesi duhej zhvilluar sipas parimeve të “open parliament”, përmes konsultimit publik, tërheqjes së ekspertizës ndërkombëtare, referimit në modelet e mira parlamentare, respektimit të rendit kalendarik të propozimeve duke nisur me nismat e iniciuara kohë më parë nga deputetët e pakicës parlamentare;
• Shpreh shqetësimin se praktika e injorimit apriori të të drejtave kushtetuese të opozitës si dhe e ndryshimeve të njëanshme me procedurë të përshpejtuar nga mazhoranca, limiton ushtrimin e kontrollit parlamentar dhe funksioneve të parlamentit në një demokraci funksionale;
• Rekomandon një qasje strategjike afatgjatë të parlamentit në ndryshimin e akteve rregullatore (ndërhyrje në Rregullore, Kodin e Sjelljes dhe ligje që lidhen me aktivitetin parlamentar), duke ndjekur formën klasike të ngritjes së grupeve të punës, procesit të plotë të konsultimit dhe përfshirjes, si dhe reflektimit të drejtë të të gjitha sugjerimeve parlamentare;
• Rekomandon mënjanimin e plotë të ndryshimeve të rëndësishme ligjore përmes mbledhjeve online dhe pa praninë e palëve politike, duke i dhënë aktivitetit dhe vendimmarrjes parlamentare integritetin dhe solemnitetin e duhur;
• Thekson se në çdo rast, miratimi i ndryshimeve pa konsensusin e të gjithë spektrit politik në Kuvend është praktikë e dëmshme për parlamentarizmin dhe me impakt negativ për standardet e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në vendimmarrje dhe në jetësimin e demokracisë funksionale.
Materiali i plotë mund të shkarkohet & lexohet këtu:
ISP-Opionion-mbi-nismat-per-ndryshime-ne-ligjin-per-komisionet-hetimore