Dekriminalizimi lidhet me integritetin, legjitimitetin, besueshmërinë dhe politikën e pastër. Suksesi i tij nuk është vlerë numerike, por krijimi i kulturës së transparencës, llogaridhënies, mbrojtjes së institucioneve demokratike, moralitetit dhe interesit publik e qytetar. Një kryetar bashkie me rekorde të papajtueshme me dekriminalizimin përbën sfidë dhe akt minues ndaj vetë vlerave të demokracisë. Rasti i kryetarit të bashkisë Vorë është tipik, por balanca midis të drejtës personale për të kërkuar dëmshpërblim financiar dhe përgjegjësisë publike e zyrtare për të jetësuar, mbrojtur e forcuar konceptin e dekriminalizimit, integritetit, antikorrupsionit dhe politikës së pastër, duhet të kishte fitues interesin publik, standardin demokratik dhe konceptin e llogaridhënies. Pa gjykuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, të drejtën e gjykatës dhe vendimmarrjen e saj legjitime, rasti meriton transparencë më të madhe dhe hetim të thelluar.
ISP ka monitoruar të gjitha rastet e dekriminalizimit, proces që vijon ta bëj edhe tani me mbështetjen e NED, dhe mbi këtë angazhim shpreh shqetësimin mbi praktikën e ndjekur në rastin konkret, përmes të cilës një subjekt i dekriminalizimit trajtohet si viktimë dhe publiku, institucionet, standardi i politikës së pastër dhe llogaridhënies penalizohen duke u penalizuar me shifra të larta financiare, më të larta sesa buxheti shtetëror për arsimin dhe kulturën në bashkinë përkatëse. ISP apelon KQZ dhe institucionet e tjera, përfshirë bashkinë Vorë të apelojnë vendimmarrjen gjykatës administrative, si dhe vetë institucionet përgjegjëse të drejtësisë të verifikojnë nëse praktika ligjore ka qenë në përputhje me standardet e procesit të rregullt dhe të drejtë ligjor.
ISP falënderon gazetaren Esiona Konomi për publikimin e rastit dhe apelon për vëmendje më të madhe mediatike ndaj rasteve abuzive të zyrtarëve të lartë me rekorde kriminale apo penale të papajtueshme me kriteret e dekriminalizimit.
https://shqiptarja.com/lajm/ekskluzive-u-shkarkua-nga-dekriminalizimi-agim-kajmaku-fiton-te-gjitha-pagat-nga-bashkia-vore-dhe-demshperblim-nga-kqz