Ligji i dekriminalizimit ka bërë që partitë të jenë shumë më të vëmendshme se më përpara teksa zgjedhin skuadrat e tyre garuese në zgjedhje. Megjithëkëtë, “meraku” kryesor i subjekteve elektorale ka qenë që kandidati apo kandidatët të jenë “të pastër me letra”. Thënë kjo, partitë janë mjaftuar që ata që kandidojnë të mos kenë mëkate të dokumentuara, dhe janë të gatshëm që për hir të fitores, të mbyllin sytë e të bëjnë kompromis me ata emra të cilëve jua dinë të shkuarën e errët, por që “për shtetin”, sic e quajnë ata, janë të pastër. Sot një person që ka kryer një krim, nuk kandidon dot personalisht. Përpara vitit 2015, “burrat e fortë” të botës së krimit, nuk e vrisnin mendjen të bëheshin edhe “të fortët e parlamentit” apo bashkive. Megjithkëtë, krimi nuk ka hequr dorë. Ai nuk divorcohet nga politika, dhe për këtë, ka sofistikuar rrugët.
Kandidatët “shpërthyes”
Gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale, ndjekësit e vëmendshëm të politikës u habitën se si një mësues anonim, pa karrierë politike as lokale as qëndrore, madje pa asnjë protagonizëm në komunitet, u kandidua për një prej bashkive më të mëdha në vend. Reporterët gërrmuan mbi motivet që e bënë mësuesin kryebashkiak, e nën zë, aktorët politikë të zonës, konfirmuan se ai mbështetej nga një grup kriminal dominues në atë territor, i cili kishte garantuar kandidimin dhe fitoren.
I njëjti fenomen u vu re në partinë kundërshtare, ku një person problematik vendosi në listën për deputet vëllain e tij, në pamundësi për të qenë vetë kandidat. Vëllai u shpall fitues dhe sot është anëtar i Kuvendit. Kjo tregon se nuk mjafton ky ligj e ndoshta nuk do të mjaftojnë as dhjetra ligje të tjera për të penguar interferencat e krimit në politikë. Duhet vullneti i vetë partive, forumeve të tyre dhe sidomos liderëve, për tu ndarë nga influencat e grupeve të errëta. Ligji i dekriminalizimit ka frenuar në nivel maksimal përfshirjen e drejtpërdrejtë të personave me probleme penale në postet e larta, por ligji nuk i pengon partitë që familjarët e këtyre personave, miqtë apo të besuarit e tyre të zgjidhen apo të emërohen dhe të punojnë për llogari të këtyre njerëzve. Ata nuk ndalohen me ligj, ndalohen me vullnet politik.
“Inkriminimi i grave”
Rrjeta e dekriminalizimit nuk ka kapur deri më tani asnjë zyrtare femër. Të shkarkuarit nga parlamenti, bashkitë, këshillat bashkiakë apo funksione të tjera të larta shtetërore, janë të gjithë meshkujt. Megjithëkëtë, në shumë poste drejtuese, përfshirë edhe për parlamentin apo bashkitë, janë kandiduar zonja “të pafajshme”, mbas të cilëve fshihen fise të fortësh, vëllezër apo bashkëshortë që nuk do tu lejohej përmes ligjit të dekriminalizimit të kandidonin vetë.
Kjo tipologji mund të shquhet lehtë, kur zonjat vijnë nga një karrierë e mëparshme anonime. Ato nuk kanë qenë më herët aktive në jetën lokale apo qëndrore të partisë që i kandidon, nuk kanë pasur asnjë profil të lartë në komunitet si psh profesioniste të spikatura, apo aktiviste të shoqërisë civile. Dhe papritur, kur afron data e dorëzimit të kandidaturave, shfaqen emra të cilat nga jeta familjare nominohen për në këshill bashkiak, për në krye të bashkisë apo për në parlament. Kjo nuk është e paligjshmem, por vendos në pikëpyetje moralin e subjekteve zgjedhore dhe vullnetin real të vetë atyre për tu garantuar zgjedhësve përfaqësues dinjitozë, dhe jo përfaqësues të interesave politikë e ekonomikë të fiseve apo klaneve që garantojnë vota.
Paratë e “ngrohta” të krimit
Garantimi i vendeve të sigurta fitues për “ushtarët e tyre” është vetëm njëra formë që krimi përdor për të kontrolluar politikën. Rruga tjetër, më e vështirë për tu kapur nga filtrat e verifikimit, është financimi i drejtpërdrejtë apo i tërthorte i vetë partive apo funksionarëve të lartë të saj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe pse ka një rol kontrollues për burimet financiare të subjekteve zgjedhore, nuk e bën dot hetimin e burimit.
KQZ ka një kapacitet të kufizuar në këtë drejtim. Ndoshta, jo për faj të saj. Ligji ju jep disa të drejta që janë të pamjaftueshme për hetim të thelluar, e po ashtu, burimet njerëzore që sot ka Komisioni e kanë të pamundur të kontrollojnë burimin fillestar të parave. U bë një përpjekje e mirë për të kufizuar paratë që merren nga privatët në raport me paratë që jep shteti në fushatë, por krimi nuk e financon politikën në rrugë formale aq sa t’i kapë auditi i licencuar.
Afrimi i zgjedhjeve lokale është një moment i mirë për t’i nënvizuar të gjithë këta elementë, dhe për tu bërë apel partive politike të zgjedhin individët më të denjë për të përfaqësuar komunitetet.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).