Në zbatim të ligjit nr.138/2015 “‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, KQZ-ja është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike, si dhe përpunimin për formularin e vetëdeklarimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk janë deputetë, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët në këshillat bashkiakë, në total 1815 funksionarë.
Mbështetur në ligjin nr.138/2015 dhe vendimin e Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015”, brenda afateve të përcaktuara, KQZ-ja ngriti strukturën e posaçme, pranoi, regjistroi me numër unik identifikimi cdo Formular Vetëdeklarimi, si dhe i skanoi
duke i ruajtur elektronikisht ato. KQZ-ja me vendimin nr.12, datë 20.05.2016, vendosi të publikojë, në faqen zyrtare të internetitit, formularët e vetëdeklarimit të funksionarëve publikë.
Në përfundim të afatit për depozitimin e formularëve të vetëdeklarimit, referuar pikës 3 dhe 4, të Kreut VI, të Vendimit të Kuvendit nr.17/2015, KQZ-ja bëri publike listën e funksionarëve që depozituan dhe të atyre që nuk depozituan formularët e vetëdeklarimit.
KQZ-ja në mbledhjen e datës 31.05.2016, shqyrtoi secilin rast individualisht, për ata funksionarë që nuk kishin depozituar formularin e vetëdeklarimit. Në këtë mbledhje KQZ-ja, referuar nenit 33, 42 dhe 47 të Kodit të Procedurave Administrative, thirri si palë në këtë shqyrtim administrativ, të gjithë funksionarët publikë që nuk kishin dorëzuar formularin në KQZ, në afatin e përcaktuar, ku rezultoi se:
1. 12 këshilltarë bashkiakë e kishin depozituar formularin e vetëdeklarimit, pranë një organi tjetër përgjegjës për dorëzimin dhe administrimin e formularit. Nga shqyrtimi i secilit rast individualisht rezultoi se, këta funksionarë publikë, duke qene se ushtrojnë dhe një funksion tjetër, përveçse atij të këshilltarit, kishin dorëzuar formularin brenda afatit pranë organit tjetër përgjegjës për depozitimin e formularit sipas përcaktimeve të nenit 5, pika 3 të ligjit 138/2015. Referuar nenit 24, pikës 2të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative”:, afati për kërkuesin vlerësohet i respektuar nëse kërkesa është paraqitur në kohë pranë organit jokompetent. KQZ-ja referuar dispozitave të sipërcituara, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative”, vendosi të pranojë formularin e vetëdeklarimit për këta 12 këshilltarë, duke i vlerësuar si të paraqitur brenda afatit ligjor.
2. Për 13 këshilltarë, të cilët e depozituan formularin e vetëdeklarimit në KQZ, pas datës 4 maj 2016, KQZ-ja vendosi pranimin e formularit dhe publikimin në faqen zyrtare të KQZ-së. Në këto raste, KQZ-ja vlerësoi se, qëllimi i ligjit nr.138/2015, është “të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, të institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, dhe të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie, ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e të krimeve” (neni 1 i ligjit 138/2015). Pranimi nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve i plotësimit të të dhënave pas afatit ligjor, i shërben qëllimit të ligjit, pasi ndihmon në bërjen e plotë të transparencës dhe verifikimit sa më real për të gjithë funksionarët publikë, që janë subjekt i këtij ligji. Vetëm verifikimi i plotë dhe transparenca për çdo të dhënë, në lidhje me dënimet penale, garanton besimin e publikut në organet e zgjedhura.
3. Për 18 këshilltarë bashkiakë, që nuk dorëzuan formularët e vetëdeklarimit, KQZ-ja shqyrtoi në seancë publike projektvendime për heqjen e mandatit, duke i trajtuar këto raste si refuzim për të deklaruar, ashtu si përcaktohet në Kreun VI, pika 4, të vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015”.
KQZ-ja, brenda afatit të përcaktuar, kërkoi informacion për të gjithë funksionarët publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, përkatësisht për historinë e ndryshimit të gjenealiteteve dhe për gjendjen gjyqësore të funksionarëve që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në KQZ. Nga verifikimi i dokumentacionit (formularit të vetëdeklarimit, dokumentacionit të depozituar nga vetë subjekti, vërtetimit të gjendjes gjyqësore dhe të gjendjes civile), rezultoi se:
Nga 140 deputetë:
121 prej tyre nuk kishin asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;
19 prej tyre kishin plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kishin shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.
Nga 61 kryetarë bashkie:
50 prej tyre nuk kishin asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;
11 prej tyre kishin plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kishin shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.
Nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave, që nuk janë deputetë, nuk ka patur asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.
KQZ-ja, për deputetët Z.Shkëlqim Selami e Dashamir Tahiri, dhe kryebashkiakun Elvis Roshi, pasi iu vunë në dispozicion rezultatet e verifikimit te thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, vendosi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit.
Për kryebashkiakun Artur Bushi, pas verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, kjo e fundit, konstatoi se nuk ka të dhëna për vepra penale të parashikuara nga neni 2 i ligjit 138/2015, të cilat përbëjnë shkak për ndërprerjen e parakohshme të mandatit.
Raporti i plotë i KQZ mund të lexohet & shkarkohet këtu: