Prokuroria e Posaçme i ka dërguar deputetit socialist Plarent Ndreca të enjten fletëthirrje për tu njohur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Gazetari Eni Ferhati tha në një lidhje direkte për Euronews Albania se Ndreca nuk do të paraqitet vetë në prokurorinë e Posaçme këtë të premte, ndërsa komunikimin e akuzës do ta marrë avokati i tij, Ermal Yzeiraj.
“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal”,-thuhet në njoftimin e SPAK.
Ferhati tha se për këtë dosje të hetuar nga Prokuroria e Posaçme pas një kallëzimi nga KLSH, pritet të jenë mbi 10 persona të cilëve do u komunikohet akuza e shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike.
Këtu do të përfshihen anëtarë të komisionit të ofertave, njësia e prokurimit që ka kryer procedurat për tenderin në fjalë, gjithashtu ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme e drejtuar në atë kohë nga Sandër Lleshi, duke nisur nga drejtoresha e kabinetit, por edhe persona të tjerë që kanë pasur lidhje me këtë procedurë prokurimi.
Kujtojmë se disa muaj më parë lidhur me këtë çështje është pyetur edhe vetë ministri Sandër Lleshi.
Ferhati tha se sipas hetimeve në këtë çështje përmendet edhe emri i një zyrtari të lartë të qeverisë Rama, ish-zëvendës Ministri i Zhvillimit Urban, Xhon Radovani.
Radovani shfaqet në dosje si aksionar i firmës që ka marrë tenderin dhe që është favorizuar nga ministria e Brendshme. Megjithatë nuk dihet nëse atij do i komunikohet akuzë për shkeljen e barazisë në tendera.