Dekriminalizimi dhe integriteti i zyrtarëve të lartë është standard moral, institucional, por edhe kërkesë ligjore dhe Kushtetuese. Jetësimi i këtij standardi vijon të shoqërohet me debate, akuza, vendime gjyqësore, reagime politike dhe përfshirje institucionale edhe 10 vjet nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit. Instituti i Studimeve Politike (ISP) vijon të monitorojë proceset e lidhura me to, nën moton e nevojës për zyrtarë të pastër, për integritet, për transparencë dhe llogaridhënie. Nga monitorimi i ISP rezulton midis të tjerash edhe se normat dhe praktikat janë të qarta, por institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokuroria dhe KQZ vijojnë të kenë interpretime të ndryshme për të njëjtat raste.
Rasti më i fundit, çështja lidhur me të dhënat e deklaruara të kryetarit të bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari. Sipas raportimeve publike në janar të vitit 2024, GJKKO dënoi Kreshnik Hajdarin me 9 muaj burg, duke e shpallur fajtor për akuzën “falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë lidhur me mosdeklarimin e procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi.
Me 28 prill 2026 në media u shpërnda njoftimi gjyqësor, sipas të cilit gjykata urdhëron KQZ (Komisioni Qendror të Zgjedhjeve) të marrë një vendim lidhur me mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.
Konkretisht, ”
“Në rastin konkret, vendimi nr. 01, datë 05.01.2024, nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes, por e ka kthyer çështjen për rishqyrtim pranë KSHZ. KAS nuk ka nxjerrë një akt përfundimtar në kuptimin material, por një vendim procedural që shfuqizon vendimin e Komisionerit dhe e kthen çështjen për rishqyrtim pranë tij. Akti administrativ që kundërshtohet nuk përcakton të drejta përfundimtare dhe, si i tillë, nuk e mbyll procedimin. Në rastin konkret, KAS e ka kthyer çështjen për rishqyrtim te Komisioneri, i cili duhet të vendosë nëse është rasti për pezullimin e shqyrtimit, derisa gjykata të marrë vendim të formës së prerë lidhur me kallëzimin për falsifikim të formularit nga ana e subjektit vetëdeklarues dhe nëse vendimi i GJKKO-së ka marrë formë të prerë, për sa u deklarua në seancë përgatitore nga palët, të shprehet përfundimisht nëse paditësi përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Sa më sipër u arsyetua, gjykata vlerëson nxjerrjen e çështjes administrative jashtë juridiksionit gjyqësor të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e shqyrtimit administrativ pranë organit administrativ, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”,-argumentohet në vendim.








