‘Ka një vend të veçantë në ferr për ato gra që nuk ndihmojnë njëra-tjetrën’. Kështu pati deklaruar e ndjera Madeleine Albright në një fjalim që u bë i famshëm. Politikania dhe diplomatja e njohur amerikane, u bë e para grua që merrte postin e lartë të Sekretares së Shtetit në SHBA. Ajo ka treguar në shumë raste vështirësitë për të punuar në botën politike, e dominuar deri në palcë nga meshkujt. Njëherë ata kishin mbetur të habitur kur ajo ishte shprehur se ‘ndiente’ se duhej marrë një vendim i caktuar. Disa kohë më vonë, kur në tryezën e kryediplomatëve perëndimorë u ul edhe një grua tjetër, ajo përdori gjithashtu shprehjen se ‘kishte ndjesinë’ se duhej të merrnin një vendim.
Bota ndryshoi shumë gjatë kohës që Albright ishte gjallë, aq shumë sa në një pikë, mbesa e saj e vogël i kishte thënë se nuk kishte arsye për t’u krenuar, sepse tani të gjitha Sekretaret e Shtetit ishin gra. Një nga pasardhëset e saj në postin e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton pati përdorur vazhdimisht shprehjen se gratë duhet të ‘thyejnë tavanin e qelqit’, për të treguar nevojën për sa më shumë prej tyre në përfaqësim në nivele të larta.
Por çfarë ka bërë Shqipëria në këtë drejtim? A është punuar ndopak jo për të thyer tavanin e qelqit, por të paktën për ta krisur disi atë? Para disa kohësh, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një listë të vendeve me numrin më të lartë të grave në nivele të larta përfaqësuese. Paradoksalisht, përkrah vendeve të Evropës veriore, që udhëheqin në çdo fushë, në listë kishte edhe disa vende nga krahu i kundërt, me kredencialet më të këqija demokratike. Mes këtyre të fundit spikaste edhe Shqipëria, në krah të Ruandës. Ndonëse me një Parlament me 90 burra e 50 gra dhe një qeveri me 12 gra dhe me kryeministrin e tre ministra burra, qëndron pyetja nëse ky është vetëm një makijazh apo një arritje me themele të vërteta për përfaqësimin e grave në politikën shqiptare?
Kritikët e shohin thjesht si një katapultim. Të tjerë thonë se sido që të jetë, fakti që gratë po marrin poste të larta (edhe përtej kuotës gjinore), qoftë edhe duke u katapultuar, është një sinjal pozitiv. Tek e fundit, sesa e vështirë është që të përparosh në një botë mashkullore kur përballesh me votën, e tregoi edhe një proces primaresh i organizuar nga Partia Demokratike, ku prania e femrave fituese ishte në nivele minimale për të mos thënë inekzistente.
Sfida në qeverisjen vendore mbetet kaq e fortë, sa para pak kohësh një drejtues politik i një prej qarqeve më të mëdha pohonte faktin e hidhur se ende në listën e kandidatëve për këshillin bashkiak renditen fillimisht burrat e më tej kërkohen gratë për ta plotësuar atë. Për shkak të terrenin dhe mentalitetit mashkullor, më së pari ato nuk janë gati të merren me politikë edhe nëse janë të kualifikuara për ta hedhur atë hap. Ato kanë parë se edhe pas fitores së kuotës, prevalojnë tjera interesa të cilat nuk lidhen shumë me qeverisjen me integritet. E kur cilësia hap krah, paaftësia zë vend, falë detyrimit ligjor për përmbushjen e kuotës gjinore. Por megjithatë, një përpjekje ligjore u bë vetëm pak vite më parë dhe ajo mund të ketë sjellë fryte pozitive jo vetëm për gratë, por për politikën dhe institucionet në tërësi. Bëhet fjalë për ‘Ligjin për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen, ose Ushtrojnë Funksione Publike’ që të gjithë e njohim thjesht si ‘Dekriminalizimi’.
Dekriminalizimi erdhi në jetën politike shqiptare si fitore e grave, një tjetër fitore e madhe përmes dhimbjes së tyre. Vajza të mitura dikur, që u trafikuan e përdhunuan, vepra kriminale të cilat u konfirmuan nga drejtësia përmes dënimeve me burg, panë veçanërisht nga zgjedhjet e vitit 2013, se si trafikantët dhe përdhunuesit po kërkonin të ‘bënin ligjin’ edhe në atë që njihet si tempulli i demokracisë, në Kuvend. Dikush ishte kujdesur që të shmangte renditjen në vendet e sigurta fituese, por siç u pa më mbrapa, fitorja për ta ishte e sigurt. Kjo sepse të tjera gra do të duhej të hapnin krah me radhë, duke dorëzuar mandatet e deputeteve, që në Parlament të ngjiteshin ATA. Ironia është se në ndonjë rast ishte bashkëshorti që vendoste për këtë ‘hapje krahu’ nga gruaja e tij.
Ajo që flitej nën zë u denoncua me forcë e plot zë pikërisht nga një grua në Parlament dhe në vijim pas disa rasteve dhune, ‘Dekriminalizimi’ u bë kali i betejës i Partisë Demokratike në opozitë. Jehona arriti deri në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili për herë të parë fliste për një fakt të papranueshëm, një deputet trafikant të ulur në Parlamentin shqiptar. Historia dihet sepse ky është vetëm një prej rasteve në Kuvendin me radhët e shtrënguara nga ligjvënës pa integritet. Kishte dhe kryebashkiakë, këshilltarë bashkiakë, drejtues institucionesh që dikur kishin kryer krime.
Për ta erdhi Dekriminalizimi, ligji më i ashpër i legjislacionit shqiptar; për t’i zbuar e për të mos i lejuar të zgjidheshin pasi kishin mbi kurriz vendime të formës së prerë për krimet e kryera. Madje nga vendet e BE, SHBA, Australi e Kanada mjafton edhe një ndalim apo dëbim për veprat penale të renditura në ligj, për të mos u zgjedhur, për të të hequr mandatin, për të mos u emëruar. Por ndërsa ligji për dekriminalizimin dhe nenet e Kushtetutës nisën të shërbenin si barrikadë për kandidimin apo zgjedhjen e personave me rekorde kriminale, një tjetër fenomen shqetësues tregoi se këta persona ende nuk janë dorëzuar. Ambicia për të pasur pushtet përmes politikës dhe kjo e fundit që kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht, solli një tjetër fenomen. Për bashkitë e vendit, por edhe për në Parlament, në lista po vinin ata që botërisht u identifikuan si “të deleguarit” e të inkriminuarve, tashmë me shenja të pastra gishtash. Mbi të gjitha duhet theksuar se ligji është një përpjekje për të pastruar Kuvendin dhe organet e tjera të rëndësishme nga forma më brutale e shkeljeve, nga kryerja e krimeve.
Në fund të fundit, asnjë ligj nuk është i rëndësishëm nëse nuk ekziston vullneti jo vetëm për ta zbatuar, por edhe për të krijuar një klimë, e cila do të favorizonte përparimin në politikë të grave. Nën zë, shumë deputete të thonë se e kanë shumë të vështirë që të veprojnë dhe punojnë në këtë ambient toksik maskulin. Sot kur politika bëhet edhe përmes rrjeteve sociale, më të goditurat e të dhunuarat nga gjuha e ashpër e komentuesve rezultojnë gratë, qoftë edhe kur ndajnë të njëjtin qëndrim si burrat. Edhe më i rëndë është fakti se në Shqipëri gruaja vazhdon të jetë pre e dhunës verbale të kundërshtarit politik.
Politologu i njohur, Brian Klaas thotë se ambienti politik po bëhet gjithmonë e më toksik, duke lejuar shumë pak njerëz të mirë, sidomos gra dhe të shkolluar e të mirëarsimuar, që të bëhen pjesë e politikës dhe të përparojnë në shkallët e karrierës. Se sa toksik është bërë ky ambient në Shqipëri, e tregoi para disa kohësh tërheqja nga politika i një deputeteje të rëndësishme, e cila vendosi të zgjedhë një ambient më pak toksik, atë të medias.
Duke cituar si arsye të largimit ambientin e rëndë ku kishte punuar për vite të tëra, ajo u largua me shpresë se ky akt do të ndizte një debat për këtë çështje. Por nuk ndodhi kështu dhe ky fakt tregon sa larg jemi nga trajtimi i fenomenit të agresionit në politikë. Pa folur pastaj se politika perëndimore tani po merret edhe me mikro-agresionet, të cilat prodhojnë po ashtu efekte shumë të rënda te jeta e grave në politikë. Deri kur të vijë momenti që të flasim edhe për mikro-agresionet, është momenti për të thënë se dekriminalizimi ishte një përpjekje pozitive, e cila duhet pasuar me të tjera nisma që do e bënin më të lehtë që gratë të bëhen pjesë e politikës.
Për ta mbyllur sërish me një shprehje të Madeleine Albright: “M’u desh një kohë shumë e gjatë që të kem një zë, dhe tani që e kam, nuk kam ndërmend të hesht”.
Ky publikim realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmerisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.