Do të doja që moralin e integritetin, sidomos në politikë ta ndaja në dy lloje.
Në moralin e integritetin e bindjes (besimit) dhe moralin e integritetin e përgjegjësisë. Bartësi i moralit të besimit udhëhiqet nga disa bindje e vlera, të cilat i ndjek besnikërisht dhe pa shmangie, pa u interesuar për pasojat e ndryshme. I dyti, bartësi i moralit të përgjegjësisë, është ai, i cili vepron duke përllogaritur pasojat e veprimeve të veta, duke njohur faktin se mban përgjegjësi për to, duke ditur faktin se mund të ftohet të japë llogari për ato ç’ka bëri.
Atëherë shtroj pyetjen: A ka moral politika? Padyshim që po. Ka moral, ka edhe etikë. Kur i referohem moralit politik, etikës dhe urtësisë së politikanëve tanë, nënkuptoj se si politikanët tanë kanë për detyrim të kenë disa aftësi të lindura, disa njohuri elementare, disa karakteristika të veçanta, të cilat gjenden të paktën në harmoni me karakterin, traditat dhe moralin e kombit. Morali dhe etika e politikanëve tanë duhet të jetë i tillë që sistemi politik të jetë i aftë të mbrojë veten, kombin dhe popullin nga rënia, zvetënimi e degradimi, nga mungesa e shpresës dhe vizionet e zymta të së ardhmes.
Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka ardhur koha të përzgjedhim moralin e përgjegjësisë. Se do të ftohemi për të dhënë llogari për çdo veprim apo përzgjedhje. Se do të ftohemi të njohim e pranojmë se shqetësimi kryesor si figura publike e politike do të jetë shqetësimi për njerëzit, mbrojtja e interesit të përgjithshëm.
E ripërsëris: A ka moral politika? E shtroj pyetjen dhe përpiqem të jap përgjigjen se është domosdoshmëri një moral të i politik në Shqipëri. Natyrisht ka vështirësitë e veta. Përballë një sistemi të korruptuar politik e, shpesh herë social, ekonomik e kulturor, një parti politike ftohet të pozicionohet se çfarë do të përfaqësojë dhe cilët do ta përfaqësojnë, jo vetëm në parlament, por edhe përpara qytetarëve. Sa integritet do të kenë ata politikanë e ajo parti? Sa fituese do të jetë? Të jetë fitimtare politikisht me shtimin e deputetëve në parlament, por edhe moralisht me votat që do t’i shkojnë për përqafimin e programit nga ana e elektoratit, por edhe votat morale, ato të bindjes së elektoratit për kandidatët e përzgjedhur. Më pëlqen hapja e partive, pasi nga “konfrontimi” i ideve, përzgjidhet më e mira, nga hapja për kandidimet mund të përzgjidhet më i miri. Por hapja e partive fsheh një kurth të madh. Diversionin e partive të vjetra, me njerëz të infiltruar (mos e merrni aspak si teori komplotiste këtë) dhe hyrjen e njerëzve me ambicie, të cilët i japin pak gjallëri partisë në fazën e parë, por që e asfiksojnë dhe e dëmtojnë në fazën e saj më vendimtare. Natyrisht që duhet të jenë njerëz me integritet moral e qytetar. Të jenë intelektualë me reputacion, jo vetëm në fushën e tyre, por edhe jetën sociale, të gëzojnë emër të mirë në qytetet ku jetojnë e punojnë.
A ka njerëz të tillë? Padyshim që ka. Çështja është se si duhen afruar, në mënyrë që forcës politike të mos i humbasë morali. As etika. Vetëpropozimi ka një të mirë, sepse fillimisht evidenton ambiciet e njerëzve dhe në fund shfaq arsyen e vërtetë përse këta afrohen, por kjo fsheh edhe rrezikun tjetër. Ruajtjen e status quosë aktuale politike të sistemit. Zakonisht në partitë e vjetra, kur ndryshon lidershipi afrohen e vetëafrohen të gjithë të larguarit a po të pakënaqurit nga lideri paraardhës, ndërsa në partitë e reja afrohen e vetëpropozohen fillimisht të gjithë të larguarit apo të pakënaqurit nga “ndarja e tortës” në partitë e tjera të mëdha, të vjetra. Ata, të cilët, duke shfrytëzuar manierat e vjetra, me të cilat janë mësuar në partitë prej nga vijnë, përpiqen që, duke shfrytëzuar mundësitë e tyre ekonomike, fisnore, shoqërore, ose thjesht edhe megalomaninë e tyre të imponohen. Pikërisht këtu etika, morali e integriteti bien. Në këtë rast do t’i vendosim çmim lirisë tonë, zërit tonë.
A ekziston mundësia që të promovojmë atë shprehjen e famshme se: “Gruaja e Cezarit nuk duhet vetëm të jetë e pastër, duhet edhe të duket e tillë!” Padyshim po. Ka dhjetëra intelektualë, njerëz idealistë e me integritet, të cilët kanë vizionin, dëshirën për ndryshimin e vërtetë e real. Kanë idealin. Në rast se këta nuk afrohen, atëherë forca politike politika humbet moralisht dhe do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e status quo-së, do të jetë një parti e vjetër përgjithmonë.
Dhe vijmë tek një çështje e dytë, e cila në fakt, përcakton të parën. Integriteti i liderit politik! Askush nuk “lind” me integritet, pasi integriteti është karakteristikë, e cila kultivohet te njeriu nga familja, shkolla, shoqëria, kultura politike. Është një karakteristikë që nuk mund të mësohet dhe as grupi shoqëror nuk mund të mbrohet nga mungesa e tij, gjatë periudhës kur mban një person, një politikan postin dhe titullin e liderit politik. Dhe kjo ndodh sepse integriteti lidhet drejtpërdrejt me vlerat tona, të cilat janë kodi që përcakton standardet e sjelljes sonë. E thënë thjesht, dikush është i plotë kur imazhi i tij përputhet me atë që është në të vërtetë. Dua të them, kush është ai kur të tjerët nuk e shohin? A është i sinqertë, thotë gjithmonë të vërtetën, a është i besueshëm? A është ai një person tek i cili ata besojnë, respektojnë, mbështeten? A ka konsistencë fjalësh dhe veprimesh?
Në një sondazh të kryer përpara disa vitesh nga Center for Creative Leadership, integriteti, së bashku me aftësinë për të krijuar lidhje të forta, u renditën me një diferencë të gjerë si karakteristikat më të rëndësishme të një lideri. Vlen të përmendet se të dyja këto aftësi përfshijnë ndjeshmërinë, pra mirëkuptimin emocional, në mënyrë që vendimet dhe veprimet e liderit të mos i shërbejnë interesave të tij, por interesave të grupit shoqëror që ai drejton.
Liderët, politikë ose jo, janë ata që kanë aftësinë t’i bëjnë të tjerët të përafrohen me vizionin e tyre, t’i ndjekin në zbatimin e ndryshimeve dhe të ndjekin qëllime ambicioze me pasion, energji dhe përpjekje për të realizuar vizionin në potencialin e tyre të plotë. Pozicionet dhe titujt si kreu i shtetit, lider partie, president, etj, nuk nënkuptojnë automatikisht se mbajtësit e tyre zotërojnë cilësitë e një lideri. Sepse fuqia nuk është forca që vjen nga titulli apo pozicioni që mban, por nga aftësia e dikujt për të ndikuar dhe motivuar të tjerët që të bëjnë diçka me vullnetin e tyre të lirë.
Për liderët tanë politikë, veçanërisht në periudhën postkomuniste, synimi ishte shmangia e kostove politike, me çdo mjet, pa kursyer kostot sociale. Shumë nga vlerat tona shoqërore, duke përfshirë kërkesën për integritet nga liderët tanë politikë, janë sakrifikuar në altarin se si të nxjerrim më shumë nga sistemi (mjetet) me sa më pak përpjekje të mundshme (fundi).
Shikoni parlamentin tonë. Opozita voton kundër një projektligji që mund ta kishte sjellë në parlament nëse do të ishte në qeveri, ose u vjen në ndihmë reagimeve të një grupi shoqëror ndaj vendimeve të qeverisë, të cilat do t’i promovonte nëse do të ishte në pushtet. Ose pozita, e cila rrëzon çdo propozim të opozitës, edhe pse mund të jenë realiste, të dobishme e me shumë vlerë për jetën politike në Shqipëri. Të dyja palët në pozicionin (llogoren) e tyre, konsiderojmë se një gjë e tillë është legjitime sepse i shërben një qëllimi përfundimtar. E thënë thjesht, është një perceptim shoqëror që ky është roli i pozitës dhe i opozitës, sepse në Shqipëri synimi është të mblidhen vota dhe për të rritur forcën e tyre elektorale.
Me këtë kontekst, lidershipi politik, por edhe ai intelektual, gjyqësor, i biznesit, i shtypit etj, ka përgjegjësinë më të madhe për gjendjen në të cilën është Shqipëria sot. Kjo përgjegjësi rrjedh kryesisht nga mungesa e integritetit. Sepse, është mungesë integriteti kur ul veten në nivelin e dikujt tjetër, për të thënë apo edhe për të bërë gjëra që atij i pëlqejnë, duke zëvendësuar ndjekjen e interesit kombëtar, shoqëror dhe vizionit për përfitime personale në çdo formë, (rizgjedhje, promovim, financiare në këmbim, arritjen e ndonjë objektivi tjetër, etj). Në përgjithësi, në vendin tonë është krijuar një kulturë sjelljeje që lideri dhe jo vetëm politikani t’i qaset lidershipit me synimin për t’u pëlqyer dhe jo i dobishëm.
Në demokracinë liberale, për një politikan profesionist, integriteti është kapitali simbolik më i rëndësishëm që disponon. Asnjë kritikë apo censurë nuk e prek aq shumë sa akuza e mungesës së integritetit.
Dhe sot, pas 32 vitesh pluralizëm, ende kërkojmë liderë politikë të aftë, me vizion dhe integritet, të cilët të kontribuojnë efektivisht në krijimin e një kulture të fortë komunikimi konstruktiv, motivim pozitiv dhe vendimmarrje efektive. Udhëheqës të aftë që nuk kënaqen vetëm me integritetin e tyre, por të kenë fuqinë dhe pasionin për të rrënjosur vizione dhe për të krijuar sisteme të qeverisjes së mirë dhe për të ndikuar që të tjerët të jenë qytetarë të mirë me sjelljen e tyre. Për fat të keq, integriteti i liderëve tanë politikë nuk ka arritur të kapërcejë kufijtë e ngushtë të partisë së tyre, as në periudha të qeta dhe as në periudha kritike për vendin tonë. Asnjë nga liderët tanë nuk ka shfaqur qëndrueshmërinë e madhe të fjalëve dhe veprave, por edhe elementë të tjerë të rëndësishëm të integritetit, të një lideri politik modern. Dhe siç duket, do të vazhdojë për një kohë të gjatë!
Ky publikim realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmerisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.