ISP ditët e fundit i ka adresuar të gjitha partive kërkesën që ato, në respekt të ligjit dhe të standardeve të integritetit, të dërgonin listat e kandidatëve paraprakisht në Prokurori dhe në AIDSSH për verifikim. Asnjë parti nuk i dërgoi, por ndërkohë pas miratimit zyrtar të listave, kemi rastin e parë të përmbushjes së këtij kriteri.
Në zbatim të nenit 30 të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar, Autoriteti i Dosjeve ka detyrimin për t’iu përgjigjur me informacion “çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale”, duke pasur në konsideratë:
i. rëndësinë e pasjes së figurave të pastra të kandidatëve për t’u zgjedhur në organin më të lartë të legjislativit;
ii. 30 vjet pas përmbysjes së komunizmit, debati për ish-funksionarët e Sigurimit/bashkëpunëtorët është ende i nxehtë;
iii. rëndësinë e procesit të shkëputjes nga e shkuara nëpërmjet zbardhjes së të vërtetës;
iv. pritshmërinë e qytetarëve në këtë proces dhe sidomos pritshmëritë për integritetin e zgjedhjeve.
Gjatë fushatave elektorale, për qëllime të transparencës së figurës, partitë mund t’i drejtohen me kërkesë Autoritetit, shoqëruar me formularin tip të aplikimit për zyrtarë, të plotësuar nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Partia Bindja Demokratike bëhet forca e parë politike që dorëzoi listat e kandidatëve për verifikim.
Sipas deklarates, Partia Bindja Demokratike ka dërguar sot listat e kandidatëve për deputetë në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit. Ajo ka kërkuar informacion për të 153 kandidatët e saj, sa i përket të shkuarës dhe lidhjeve të mundshme të tyre me Sigurimin e Shtetit. Në hartimin e ekipit të kandidatëve, Bindja Demokratike ka synuar të ketë një listë me individë të paakuzuar ndonjëherë për afera korruptive, të pacenueshëm nga ligji i dekriminalizimit dhe të pastër sa i përket të shkuarës komuniste. Nëse, në përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve, rezulton që ndonjëri prej tyre ka patur lidhje me strukturat e Sigurimit të Shtetit, kandidati në fjalë do të përjashtohet nga lista e kandidatëve të partisë në zgjedhje.