Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të pafajshme ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Sonila Qato, e cila në shkallën e parë ishte dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Dënimi i saj ishte konvertuar më pas në 60 orë punë në shërbim të publikut.
Vendimi u dha nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj, shkruan A2CNN.
Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për deklarimin të pafajshëm të Admir Pahumit, Nikollaq Mihalit, Miranda Shkurtit, Arbër Trokës, Almir Hoxhajt dhe Arjana Hasanit.
Ndërkohë, u ndryshua vendimi për Sonila Qaton dhe ish-vartësit e saj Simon Prendi, Erdit Salillari dhe Elona Gogo, të cilët u shpallën të pafajshëm nga akuza për “shkelje të barazisë në tendera”. Sipas Apelit, veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale.
SPAK kishte ngritur akuza për “falsifikim dokumentesh” dhe “shkelje të barazisë në tendera” ndaj 10 ish-zyrtarëve të ARRSH-së, duke pretenduar se ata kishin favorizuar një operator ekonomik të lidhur me kompaninë “Vëllezërit Hysa” në tenderin për ndërtimin e tunelit të Skërficës.
Sipas prokurorisë, kompania “Gjoka Konstruksion”, konkurrente në këtë tender, ishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë përmes një raporti teknik të konsideruar të dyshimtë, i hartuar nga një grup pune i ngritur nga ARRSH.
Sonila Qato ka mbajtur disa poste drejtuese në administratën publike shqiptare, përfshirë drejtimin e Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe më pas postin e ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në qeverinë e Edi Rama në vitin 2017.
Link: https://a2news.com/shqiperia/kronike/apeli-i-posacem-i-jep-pafajesi-sonila-qatos-ish-drejtoreshes-s-i1177536







