• Projektligji i Dekriminailzimit është një interes kombëtar i përmbushur, që do të vuloset në seancë plenare; është një hap i madh përpara që krijon premisat e plota ligjore për të hequr një prej njollave me të zeza dhe për të kuruar një prej plagëve më mëdha të vendit tonë, të demokracisë sonë.
• Nuk do të ndodhë më që individë me rekorde kriminale, sipas përcaktimeve të ligjit për Dekriminalizimin, ta shohin veten deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkish, drejtorë, shefa, funksionarë dhe zyrtarë të lartë.
• Drafti konsensual pret miratimin në parlament, por po kështu unë dua sot tu bëj thirrje të gjithë deputeteve të japin miratimin e tyre edhe për testin e drogës. Politikëbëresit duhet të japin shembullin te paret te modelit qe duhet te kete nje shoqeri, drejtuesit e saj.
Miratimi me konsensus i projektligjit të Dekriminalizmit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar dhe votimi i tij i pritshëm në Kuvendin e Shqipërisë është një ngjarje me dimensione historike me rendësi të madhe për shoqërinë shqiptare, për demokracinë tonë, për institucionet e politike e kushtetuese të vendit, për jetën tonë politike dhe institucionale, shoqërore, ekonomike, kultutore, për imazhin e vendit tonë në skenën ndërkombëtare, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për standardet morale, etike dhe profesionale që duhet të promovojë politika, partitë, institucionet, shteti i hapur dhe demokratik.
Të gjithë këto elementë të jetës së përditshme politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve u kërcënuan seriozisht nga një rrezik shumë i madh, që po të mos frenohej e po të mos eliminohet plotësisht, do të krahasohej pa teprim me të këqijat më të mëdha që mund t’i ndodhin një kombi. Ky rrezik është krimi në pushtet, krimi në sistem përmes promovimit të individëve me rekorde kriminale në institucionet e shtetit, përmes emërimit të trafikantëve, vrasësve apo tutorëve të prostitucionit në poste publike kyçe, përmes marrjes nën kontroll të vendimarrjes politike nga bota e krimit dhe përfaqësues të kësaj bote.
A mund të ketë rrezik më të madh për një shoqëri? A mund të ketë dramë, gjëmë më të madhe për një vend se sa lartësimi i krimit, krimi me status të privilegjuar, sundimi i krimit?
Konsensusi popullor thotë “jo”. Thotë “jo” sepse e ka provuar përgjatë shekujve se çdo të thotë për skrupujt, për moralin, për virtytin, për urtësinë, për dijen, për paqen, për dinjtetin, për zhvillimin, mirëqënien pra për gjithë sistemin e vlerave pozitive mbi të cilat mbahet familja dhe shoqëria, t’u mbivendoset e liga, të diktojë e dhunshmja, kriminalja. Familja shqiptare, prindërit shqiptarë investojnë shumë, sakrifikojnë për shkollimin e fëmijëve, për edukimin e tyre me virtytet me të mira.
Krimi në sistem është mohimi brutal dhe më i poshtër i gjithë këtij investimit.
Krimi në sistem e shumëzon me zero dijen dhe virtytin.
Krimi në sistem është fundi për gjithçka.
Në Shqipërinë e ditëve tona ky rrezik nuk ka qenë dhe nuk është hipotetik, por real. Ne nuk kemi ngritur një alarm mbi hamendësime por mbi fakte tronditëse, me të cilat jemi përballur e do të vazhdojmë të përballemi deri në fund, krahpërkrah me qytetarët, me një vetedijë të plotë, kombëtare dhe europianiste, për domosdoshmërinë e bashkëpunimit për interesat e përbashkëta të qytetarëve, për interesat madhore të vendit.
Projektligji i Dekriminailzimit është një interes kombëtar i përmbushur, që do të vuloset në seancë plenare; është një hap i madh përpara që krijon premisat e plota ligjore për të hequr një prej njollave me të zeza dhe për të kuruar një prej plagëve më mëdha të vendit tonë, të demokracisë sonë.
I përshtatur sipas praktikave më të mira perëndimore, ligji konsensual i dekriminalizimit, vendos filtrin e pakalueshëm të individëve me rekorde kriminale në Kuvendin e Shqipërisë, në qeveri, në pushtetin vendor, në institucionet shtetërore, në poste të rëndësishme publike. Ky ligj parashikon ndërprerjen e çdo mandati dhe shfuqizimin e çdo emërimi që bien ndesh me dispozitat e tij.
Nuk do të ndodhë më që individë me rekorde kriminale, sipas përcaktimeve të ligjit për Dekriminalizimin, ta shohin veten deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkish, drejtorë, shefa, funksionarë dhe zyrtarë të lartë.
Nuk do të ketë më nga kjo kategori në piramidën e institucioneve të zgjedhura apo të emëruara. Ata që ligji i zë në detyrat e pamerituara, do të largohen.
Me ketë ligj merr fund një mankth i keqe, i shëmtuar, i tmerrshëm që po konturonte projektin e një Republike të malavitës.
Me kete ligj nis çlirimi i institucioneve dhe politikës nga prania dhe pushteti i krimit.
Me ketë ligj nis sprapsja e pakthyeshme e krimit, rivendosja e autoritetit të ligjit dhe moralit të shëndoshë në gjithë ngrehinën e shtetit.
Kjo është një betejë që e luftuam dhe e fituam bashkë me qytetarët tanë, të cilët, pavarësisht bindjeve politike, mbështetën dhe nxitën fuqishëm kauzën jetike të dekriminalizmit.
Bashkë me miqtë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE, që reaguan me ndjeshmëri të lartë miqësore dhe demokratike, ndaj problemit të mprehtë që nxorri në pah opozita e Shqipërisë, duke këmbëngulur parreshtur për zgjidhjen konsensuale që u dha e po jepet.
Mbështetja dhe ndihma e miqve amerikanë dhe europianë ka qenë dhe mbetet vendimtare për ta bërë dekriminalizmin ligj dhe realitet të jetës sonë politike- insitucionale.
Në emër të PD-së, opozitës dhe në emrin tim i falenderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuan.
Drafti konsensual pret miratimin në parlament, por po kështu unë dua sot tu bëj thirrje të gjithë deputeteve të japin miratimin e tyre edhe për testin e drogës. Politikëbëresit duhet të japin shembullin te paret te modelit qe duhet te kete nje shoqeri, drejtuesit e saj.
Të nderuar deputetë,
Vetëdija jonë për rrezikun e madh të vërshimit të individëve me rekorde kriminale në politikë dhe në administratë nuk shkrepi një ditë të bukur si rrufe në qiell të kthjellët, edhe pse ngjarjet e dhunshme të muajve maj, qershor dhe korrik 2014 kundër opozitës dhe opozitarëve me protagonistë deputetë me rekorde kriminale nga radhët e shumicës, e shtruan si emergjencë reagimin tonë.
Megjithëse palë e goditur, qasja jonë, ashtu sikurse vetëdija jonë për fenomenin, nuk ishte as spontane, as partiake, por pjesë e një shqetësimi politik të thellë e mbarëshoqëror.
Qeveritë e Shqipërisë demokratike janë përballur në vazhdimësi me krimin e çdo lloji dhe me krimin e organizuar gjithashtu. Herë me sukses dhe suksesi ka qenë bileta e Shqipërisë për integrim në NATO, lëvizje pa viza apo për avancim në BE. Herë pa sukses dhe për këtë jemi ndëshkuar me vonesa në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.
Sidoqoftë, përballja me krimin ka qenë dhe mbetet një sfidë e vazhdueshme e shtetit, e qeverive, e shoqërisë shqiptare. Ne nuk kemi venë asnjëherë vijën e ndarjes së krimeve sipas ngjyrave apo mandateve politike të njërës dhe tjetrës qeveri. Krimi ka vetëm një ngjyrë, të zezën. Edhe kur qeveris bluja, edhe kur qeveris roza.
Por çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që individët me rekorde kriminale që deri dje kishin jetuar herë të fshehur e herë të pafshehur, herë të dënuar e herë të padënuar, herë të trembur, e herë të kapardisur si të fortë, me prona dhe pasuri të vëna në rrugë të paligjshme, u futen serbes drejt e në Kuvendin e Shqipërisë, u bënë deputetë, u bënë drejtorë, u bënë shefa, u bënë kryetarë bashkish.
Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Opozita e pa veten përballë disa banditëve që ishin sjellë në Kuvendin e Shqipërisë në rolin e bashibozukut për t’i mbyllur asaj gojën, për t’i hequr parlamentit fjalën e lirë. Kjo ishte mjaft e rëndë, sigurisht, por nuk kishte dyshim se po ndodhte një dicka akoma më rëndë, që e tejkalonte edhe gravitetin e dhunës së orkestruar anti-opozitare në parlament.
Po instalohej në gjithë piramidën krimi i veshur me pushtet. Rrjedhimisht, duke qenë se medalja i ka të dyja anët, po instalohej pushteti i veshur me krim. Individët me rekorde kriminale kishin ardhur e po vinin, ishin ngjitur e po ngjiteshin në poste të rëndësishme publike jo thjesht si të shpërblyer për shërbimet që i kishin bërë kryeministrit. Po vinin si frymë, si grup, si kategori. Po vinin për t’u instaluar, për t’u ngulur.
Ky ishte momenti i një alarmi të madh për fatin e vlerave, për fatin e demokracisë në vend, për imazhin e Shqipërisë në botë. Forca kundërvenëse në rrethanat e krijuara nuk mund të ishte kush tjetër veç PD-së, opozita. Reagimi i parë nuk mund të ishte tjetër veçe një akt ekstrem sensibilizimi i opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, njëherësh një akt ekstrem distancimi nga përçudnimi dhe përdhosja e tempullit të ligjit dhe demokracisë. Ky akt ishte ndërprerja disa muaj me radhë e marrdhënieve të grupit parlamentar të PD-së me Kuvendin e Shqipërisë. Koha tregoi se alarmi ynë ishte i drejtë.
Ndërkohë ne konceptuam zgjidhjen, konceptuam Dekriminalizimin, arritjen e një marrëveshjeje mes shumicë dhe opozitës për ç’montimin në themel, dhe deri në vidhën e fundit, të mekanizmit që promovon trafikantë, vrasës, pengamarrës në Kuvendin e Shqipërisë, në bashkitë e vendit, në poste publike.
Ne zbatim të marrëveshjes dhe rezolutës konsensusale qeveri-opozitë të muajit dhjetor 2014 për një ligj për dekriminalizimin,ne hartuam draftin e parë, mobilizuam mbështetjen popullore dhe ndërkombëtare për këtë ligj, shërbyem me vendosmëri dhe durim dialogun dhe bashkëpunimin, pa ceduar nga thelbi i nismës sonë, duke bërë të mundur shtrirjen e shqetësimit tonë në gjithë spektrin politik dhe parlamentar të vendit.
Rruga për të mbërritur këtu ku jemi ka patur pengesat dhe vështirësitë e veta, por ne nuk jemi dekurajuar. Kemi qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të kësaj nisme, kemi qenë të vetëdijshëm se çdo nismë e këtyre përmasave nuk është fushë me lule.
Kemi ecur me bindjen e plotë dhe me vizionin se dekriminalizimi nuk ishte e nuk mund të ishte një çështje e interesit vetëm të Partisë Demokratike dhe opozitës, por një çështje madhore e demokracisë. Ndaj nuk e kemi humbur asnjëherë shpresën se pala tjetër do të vinte me kontributet e saj, tek konsensusi.
Por miratimi i ligjit me konsensus është vetëm fillimi. Kauza e dekriminalizimit kërkon vullnet politik dhe vendosmëri në zbatimin rigoroz të ligjit. Zbatimi i ligjit është imperativi i ri i kohës, është detyra e re që duhet ta fillojmë menjëherë.
Partia Demokratike, grupi ynë parlamentar angazhohet të japë shembullin e vendosmërisë dhe seriozitetit për dekriminalizimin tashmë me ligj të jetës politike dhe publike në Shqipëri. Fundi i kësaj epidemije shkatërrimtare për demokracinë shqiptare është e do të jetë një fillim i ri për Shqipërinë e vlerave dhe virtyteve. Kemi arsye të besojmë dhe do të punojmë fort që një erë e re të fillojë, pa krim të veshur me pushtet, pa pushtet të veshur me krim. Për këtë qëllim e nisëm dhe do ta vazhdojmë deri në fund këtë betejë të madhe.
Ne e dimë se bashkejetesa me krimin, qeverisja me të, është së pari zgjedhje. Zgjedhje që bëri Edi Rama për të ardhur në pushtet, e më tej për të ushtruar pushtetin me ta. Momenti ku kemi ardhur, për ta ndaluar me ligj këtë fenomen, është një arrritje e Partisë Demokratike. Ne i kemi bërë vendit një shërbim të madh, dhe frytet e kësaj do ti gëzojnë brezat dhe gjeneratat me radhë.
Kjo eshte nje fitore e madhe e shoqerise tone, qe kalon kufinj dhe interesat e cdo partie politike.Por nuk duhet të harrojmë pasojat e këtyre dy viteve. Ku qytetarët, shumcia e padiskutueshme në vend, u ndrydhën, u shtypën, dhe u vunë nën peshën e një padrejtësie revoltuese kur shihnin çdo ditë se si kriminelë e trafikantë, jo vetëm që morën zyra e kishin në dorë vendimmarrjen, nga pushteti vendor, në krye të bashkive, në drejtoritë rajonale, në Prefektura e Qarqe, e deri tek ligjvënësit, por akoma më shumë, kur haptazi këta kriminelë, grabisnin pasuri publike, tendera e prona, në kurriz të ligjit, kur shtonin bizneset e tyre e nuk paguanin asnjë taksë të vetme.
Ligji do të ndalojë promovimin e tyre, por ligji nuk jep zgjidhje për zgjedhjet që bëjnë partitë, lidershipi politik. Ligji nuk është garanci që kjo qasje, kjo kulturë politike e shumicës, në flirtim e bashkëpunim me krimin do të ndalet. Dhe dëshmi për këtë kemi cdo ditë. Denoncimet tona me prova e me fakte për përfshirjen e zyrtarëve të lartë, të ministrit të brendshëm në trafikun e drogës, nuk mungojnë e nuk do të reshtin.
Një gjë është e sigurtë. Partia Demokratike dhe unë, jemi të vendosur që për asnjë ditë, të mos krijojmë asnjë hapësirë, asnjë pauzë, asnjë minutë qetësi për krimin e trafikantët. Këto janë standardet tona për të cilat do të qëndrojmë deri në fund. Dekriminalizimi është një arritje padyshim. Por jo e vetmja zgjidhje që ka nevojë vendi sot.
Lulzim Basha, prezantim i nismes per dekriminalizimin, 25.11.2015