Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Lartë, Kolegji Administrativ lidhur me rastin “Rakipi”
Legjislacioni shqiptar ofron edhe shembuj të tjerë ku shqyrtimi i mosmarrëveshjeve të caktuara administrative i është lënë sferës së organeve të tjera me natyrë gjyqësore, jashtë skemës së gjykatave administrative. Përmendim këtu shqyrtimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të ankimit ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve ose prokurorëve. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk shtrihet ndaj çdo vendimmarrje të organeve të qeverisjes së pushtetit gjyqësor (Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë). Sipas neneve 100 dhe 192, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ndaj akteve të tjera individuale të organeve të sipërpërmendura ankimi bëhet në Gjykatën Administrative të Apelit.
Duke u rikthyer në çështjen në shqyrtim vërehet se mosmarrëveshja konkrete nuk buron nga procesi zgjedhor por nga ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në kuadër të një reforme të pjesshme kushtetuese, me qëllim pastrimin e organeve shtetërore, dhe kryesisht atyre të larta të pushtetit, nga individët me një të shkuar kriminale, duke pasur si objektiv përfundimtar forcimin e besimit të publikut në këto organe.
Edhe pse, mbështetur në përmbajtjen e këtij ligji (neni 10), kompetencat vendimmarrëse në lidhje me mandatin e deputetëve të Kuvendit që preken nga zbatimi i tij, i janë dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky i fundit, në këtë rast, nuk vepron si organ i administrimit të procesit zgjedhor. Në të njëjtën kohë argumenti i mësipërm përforcohet edhe nga fakti se subjekti që ka iniciuar një proces të tillë nuk konsiderohet si subjekt zgjedhor. Subjekte zgjedhorë, sipas nenit 2/20 të Kodit Zgjedhor janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 13, paragrafi VI, të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
V E N D O S I
- Prishjen e vendimit nr. 619 (80-2018-615), datë 22.02.2018, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate me të njëjtin trup gjykues;
- Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë, paditësit Aqif Rakipi, palës së paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe personave të tretë Prokuroria e Përgjithshme dhe Kuvendi.
Tiranë, më 08.05.2018
Vendimi i plotë mund të lexohet ketu: