Integriteti i personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike Gjatë vitit 2020, Departamenti i Administratës Publike në cilësinë e organit përgjegjës për marrjen në dorëzim, administrimin dhe përpunimin e formularëve të vetëdeklarimit për nëpunësit në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik, si dhe drejtuesit e çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihen në shërbimin civil, ka administruar 2400 formularë vetëdeklarimi të plotësuar nga subjektet vetëdeklaruese, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar.
Në zbatim të legjislacionit, gjatë vitit 2020 është realizuar procesi i verifikimit paraprak të të dhënave të deklaruara në formularë nga subjektet vetëdeklaruese me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, si edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Më pas është vijuar me kërkesën për verifikimin e plotë të të dhënave të deklaruara nga këto subjekte, nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në përfundim të procesit të verifikimit, nga të emëruarit gjatë vitit 2020 rezultojnë 20 subjekte vetëdeklaruese të konstatuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik (ose 0.83 % e numrit total të subjekteve vetëdeklaruese për këtë vit).
Nga 20 subjekte vetëdeklaruese, që rezultojnë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik:
- 5 prej tyre janë konstatuar nga organi përgjegjës DAP, në zbatim të procedurave të parashikuara në kreun V, të vendimit nr.17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
- 6 prej tyre janë konstatuar nga Sektori i Dekriminalizimit, në Drejtorinë e Koordinimit Institucional, në Prokurorinë e Përgjithshme, në vijim të përcjelljes pranë DAP-it të vendimit “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, i ndryshuar dhe;
- 9 prej tyre janë konstatuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit aktual, nga Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në pikën 3, gërma “ç”, Kreu III, të vendimit nr. 17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në vijim të kërkesës për verifikim të plotë përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike
Gjatë vitit 2020 janë liruar gjithsej 619 nëpunës civilë. Nga analiza e të dhënave në lidhje me lirimet vihet re se për vitin 2020, në krahasim me vitin 2019, janë rritur me 33.33% rastet e lirimeve për shkak të ligjit nr. 138/2015.