Në Shqipëri, Gjykata e Apelit la sot në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. Zoti Salianji foli për një vendim politik, ndërsa më pas opozita e cilësoi vendimin si një aktlufte ndaj saj nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Në audio përgjimin i cili u bë publik nga zoti Salianji në maj të vitit 2018, pretendohej se po zhvillohej një bisedë mes vëllait të zotit Xhafaj dhe një ish të dënuari në Itali për trafik droge, për ta ndihmuar këtë të fundit që të sigurojë një ngarkesë me marijuanë. Çështja në atë kohë, krijoi debate të forta politike, dhe opozita kërkoi me ngulm dorëheqjen e zotit Xhafa, ndërsa ky i fundit mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë vëllai i tij, i cili në fillim të viteve 2000 kishte patur një dënim për trafik droge në Itali.
Hetimet e prokurorisë në atë kohë, zbuluan se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person. Sipas prokurorisë zoti Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht zotin Fatmir Xhafaj, në atë kohë në detyrën e ministrit të Brendshëm”.
Në sallën e gjyqit, deputati Salianji e priti vendimin i rrethuar nga kolegët e shumtë të grupit të tij parlamentar. Tani, ndaj tij do të zbatohen procedurat për të nisur vuajtjen e dënimit, duke qenë se bëhet fjalë për një vendim të formës së prerë. Kushtetuta parashikon se mandati i një deputeti bëhet i pavlefshëm në një rast të tillë. Zoti Salianji po ashtu, do të humbasë mundësinë për të kandiduar dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Deputeti demokrat foli për “një vendimarrje politike, një dënim politik, dënimin e parë pas 32 vitesh për agjitacion e propagandë. Unë kam bërë një shërbim të madh për interesin publik e do ta bëj në çdo formë e mënyrë, sido që të jetë. Nuk kam bërë betejë për veten, për interesa personale, as për të vjedhur siç vjedhin këta, nuk kam bërë betejë për të vrarë apo për trafik droge, por kundër trafikantëve dhe maskarenjve në këtë vend”, u shpreh ai.
Partia Demokratike mblodhi me urgjencë grupin e saj parlamentar dhe ka thirrur për në mbrëmje po ashtu një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë, për të vendosur për mënyrat e reagimit ndaj “këtij sumi të paprecedentë që po i bëhet PD-së dhe grupit tonë parlamentar”, siç u shpreh kreu i grupit Gazmend Bardhi, duke theksuar se është rasti i parë që një njeri dënohet me burg për akuzën e kallzimit të rremë. “Kodi mafioz që Edi Rama vendosi sot përmes këtij vendimi politik gjykate, t’i japë grupit parlamentar të PD, duke dënuar dhe çuar në burg nënkryetarin e grupit, është një shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar, një shpallje lufte ndaj opozitës në përgjithësi”, deklaroi zoti Bardhi.
Kryeministrit Edi Rama reagoi përmes një statusi të gjatë në mediat sociale, duke folur për “dënimin e ligjshëm të një politikani të spikatur për veprimtarinë e tij dezinformuese”, shkruajti ai duke theksuar se “e vërteta vonoi shumë, po më në fund nuk harroi të vinte”.
Voice of America / Zeri i Amerikes