E dini se Alket Hyseni dhe Flutura Açka drejtojnë komisionet e etikës në dy partitë kryesore politike? I keni parë ata si garantues të etikës, asnjanës në qëndrime dhe mbrojtës të demokracisë së brendshme në partitë e tyre politike? janë pyetur ata për cilësinë e kandidatëve në zgjedhjet e 6 marsit?
Partitë politike kanë krijuar mekanizma etike dhe integriteti brenda tyre, me qëllimin të parandalojnë kandidimin dhe karrierën e individëve me rekorde negative. Disa parti kanë përfshirë edhe kriterin e individëve të shpallur “non grata” nga SHBA apo BE. Kjo është konsideruar prej tyre si aplikim i një standardi të lartë për të mundësuar rritjen e besimit publik te partitë dhe jetësimin e verifikimeve paraprake për dekriminalizimin.
Nga monitorimi i ISP rezulton se asnjë parti nuk ka ende një vendim të brendshëm verifikues dhe parandalues për kandidatët për postet drejtuese dhe përfaqësuese. Strukturat etike nuk janë funksionale dhe debati mbi personat NON GRATA nuk ka gjetur zgjidhje institucionale brenda partive. Këto komisione funksionojnë më shumë në mbështetje të qëndrimit të liderit të partisë sesa të statutit të partisë.
Zgjidhja? ISP vlerëson se reforma e re mbi legjislacionin e partive politike duhet të përcaktojë detyrimin e partive për verifikim paraprak dhe cilësi integriteti në kandidim, duke përfshirë edhe masë penalizuese për subjektet politike që ofrojnë kandidatë me rekorde negative.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endoëment for Democracy)