Pushteti ligjvënës, Kuvendi i RSH, duhet të jetë institucioni rojtar i ligjit dhe model referimi në zbatimin e tij. Po kur vetë Kuvendi, pra organi që miraton ligje, nuk zbaton ligjet dhe refuzon përgjegjësitë e veta? Një prej rasteve është edhe detyrimi i Kuvendit, sipas nenit 2, pika 6 e ligjit 138/2015, të njohur si ligji i dekriminalizimit. Ky nen e ngarkon Kuvendin të përcaktojë listën e shteteve të tjera, vendimet e dënimit jopërfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit ndërkombëtar apo masat e dëbimit që passjellin zbatimin e ndalimeve të këtij ligji.
Nga monitorimi periodik i ISP rezulton se Kuvendi nuk e ka përmbushur ende këtë përgjegjësi ligjore, të cilën duhet ta kishte realizuar në mars 2016, pra 6 vjet më parë. ISP i ka adresuar disa herë kërkesa dhe rekomandime Kuvendit për të përmbushur detyrimin ligjor dhe qartësuar listën e vendeve ku vepron ligji i dekriminalizimit.
Zgjidhja? Ka vetëm një: Kuvendi ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore të përcaktojë listën e shteteve. Institucioni ligjvënës duhet të respektojë ligjet që miraton vetë. Kuvendi duhet ta përfshijë sa më parë në axhendë prioritare përmbushjen e këtij detyrimi.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)