“Një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer, sesa nga një ligj i shkëlqyer” thoshte Aristoteli.
Përgjatë historisë, koncepti mbi politikën ka ndryshuar shumë. Nëse i referohemi antikitetit, e pikërisht Aristotelit, qyteti shihej si një partneritet politik, i qeverisur me rregulla të moralshme, e kjo vjen jo si shkak i jetesës se bashku, por si qëllim kryesor, sigurimin e një jete më të mirë të banorëve të qytetit ose të bashkisë. Do të kalonin kohë, deri në shek XXV, ku në skenën e mendimtarëve politike do të vinte Makiaveli, i cili do të ndante përfundimisht politikën nga Kodi Moral (religjioz). Do të ishte pozita e tij diplomatike dhe njohja e ambientit politik Italian, pikënisja e të gjitha shkrimeve të tij politike dhe baza kryesore e veprës së tij “PRINCI”.
Po si përthyhen këto ide në realitetin shqiptar, e veçanërisht me ngushtë ne nivel qarku, parë në spektrin e integritetit, besimit, arsyes, dekriminalizimit etj?
Në vitin 2015 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji.
Në parim qëllimi i këtij ligji është politikë dhe politikanë me historik të pastër dhe integritet të lartë.
Qarku Dibër ka në përbërjen e vet 4 Bashki, dhe në total 94 anëtarë të Këshillave Bashkiake, përkatësisht 31 anëtarë Këshilli i Bashkisë Dibër, dhe një numër të barabartë prej 21 këshilltarësh bashkitë e tjera Bulqizë, Klos dhe Mat.
Nëse i referohemi periudhës nga viti 2015, e më pas, në Qarkun Dibër kemi pasur 2 raste kryetarësh bashkie, të cilët janë larguar nga detyra, për shkak të problemeve me drejtësinë. Ky është një tregues i cili , nuk i përafrohet aspak ideve të Aristotelit por më tepër Makiavelit mbi liderin, arsyen, udhëheqjen etj. Sa i përket Këshillave Bashkiake situata paraqitet me pozitive, pasi nuk ka pasur raste të heqjes së mandatit të ndonjë Këshilltari si subjekt i këtij ligji, por ka pasur raste sporadike të cilët nuk kanë dorëzuar formular dekriminalizimi tek organet përkatëse, dhe janë larguar nga organi vendimmarrës me dorëheqje për arsye të ndryshme.
Po çfarë është integriteti me fjalë më të thjeshta? Integritet do të thotë të ngjallesh tek të tjerët besueshmëri, të tregosh pa-korruptueshmëri në një shkallë të lartë ndaj një besimi, zotimi apo përgjegjësie.
Nëse zotimi për ti shërbyer administratës publike bazohet mbi besimin për të dhënë kontribut, atëherë individi nuk e negocion këtë zotim me përfitime personale e forma korrupsioni, dhe kjo quhet integritet.
Një ministre e Holandës pati deklaruar që “Nuk ka individë më pak ose më shumë integritet, një person ka ose nuk ka integritet”.
Në bashki të vogla, ku marrëdhëniet shoqërore mes njerëzve janë më të ngushta, influencat klanore më të forta, e mbi këtë fakt kuptojmë më tepër për standardet e integritetit në administratën publike.
Në çdo periudhë zgjedhore, administrata publike përjeton pasiguri në rastet e rotacionit politik në nivel qendror apo dhe vendor. Kjo ka zbehur vërtet besimin e administratës për punën, profesionalizmin, dhe integritetin. Kjo është një frymë që ndjehet në qeverisjen vendore në kohe zgjedhjesh lokale, apo tek drejtoritë rajonale, në zgjedhje të përgjithshme. Është demoralizuese për ata, sepse do te jenë faktorët politikë jashtë punë së tyre, që do të vendosin për faktin e të qënit apo jo në pozicionin e punës të cilin e mbajnë me profesionalizëm.
Një prind i shqetësuar që vajza e diplomuar nuk po gjen punë, shikon si opsion të militojë në një parti politike, si zgjidhje për të arritur qëllimin për punësimin e vajzës në administratë publike pas zgjedhjeve. Opozita në 4 bashkitë e qarkut i shikon zgjedhjet vendore si mjaft të rëndësishme për të pasur një dorë në administratën vendore, pas një kohë të gjatë larg çdo lloj pushteti qendror e vendor dhe praktikisht si përpjekje për ekzistencë dhe ri-ngritje në kushtet në të cilat ndodhet në rang vendi. Ndërkohe mazhoranca vendore e shikon administratën si profesionale, e trajnuar dhe efikase.
Bashkitë e Dibrës tashmë janë në ethet e zgjedhjeve, e gara ravijëzohet ndryshe në bashki të ndryshme. Diku gara është më e fortë e rezultatet e sondazheve janë më të ngushta, e diku disa kandidatë ndjehen me të sigurt për fitoren, administrata vendore hap sytë nga rezultati pasi do të jetë përcaktues për vazhdimësinë e tyre në punë. Çështjet si integriteti, eksperienca, profili, do të jenë tema diskutimi tryezash e vendimmarrjesh për qytetarët dibranë pas 14 Majit.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).