Në 14 Maj shqiptarët u ndodhën para kutisë së votimit, sërish në dilemë mbi zgjedhjet që do të bënin lidhur me ata që do t’i “qeverisnin” në nivel vendor për katër vitet e ardhshme. Niveli i ulët i pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje tregon qartas për rritjen e numrit të zgjedhësve që tashmë janë dyshues për vendimarrjen e tyre dhe për integritetin e procesit zgjedhor. Prej vitesh në raportet e OSBE/ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri vlerësohet “pajtueshmëria e procesit zgjedhor me angazhimet e OSBE-së dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, shoqëruar kjo me konstatime të shumta që mund ta cënojnë integriteti e procesit zgjedhor (Raporti ODHIR per zgjedhjet parlamentare 2021.pdf).
Në përgjithësi, fushata zgjedhore ndikon në krijimin e opinionit të zgjedhësit duke formëzuar vullnetin e tij, i cili do të shprehet përmes insititucionit të votës e kjo duhet të jetë një zgjedhje e lirë. Përtej fenomeneve tashmë shumë të diskutuara, të cilat mund të deformojnë vullnetin e zgjedhësit (presioni i kandidatit që jo rrallë ka rezoltuar subjekt i ligjit të dekriminalizimit, blerjes së votës apo presionit ndaj zgjedhësve që janë punonjës të administratës publike), është e rëndësishme mënyra e formimit të opinionit të qytetarit mbi zgjedhjen që do të bëjë; zgjedhja përmes votës në një shoqëri demokratike është produkt i opinionit që zgjedhësi ka krijuar bazuar në informacionin mbi cilësitë profesionale dhe integritetin e kandidatit, programin e subjekteve pjesëmarrëse apo platformat e kandidatëve. Duhet thënë se në proceset zgjedhore në Shqipëri, gjithnjë e më shumë zjedhësit nuk po i jepet kjo mundësi, pasi ndodhet përballë fushatave zgjedhore të fokusuara tek liderët e partive; kjo u identifikua edhe gjatë procesit të fundit zgjedhor ku për faktin se ishin zgjedhje për organet e vetëqeverisjes vendore nevojitej që qytetarët të kishin më shumë informacion për kandidatët.
Në formimin e opinionit tonë si zgjedhës një rol i rendesishem i takon transparencës së procesit zgjedhor. Në aspektin teorik, ekziston një debat mbi natyrën e transparencës në përgjithësi, debat që mund ta shtrijmë edhe lidhur me procesin zgjedhor. Do ta konsiderojmë transparencën si një parim ku duhet të mbështetet organizimi i procesit zgjedhor apo si një mjet për të realizuar një proces zgjedhor me integritet? Së fundmi, a është transparenca një qëllim që duhet synuar të arrihet gjatë procesit zgjedhor për t’i dhënë integritet këtij procesi? Përgjigjja ndaj pyetjeve të mësipërme nuk është një sipërmarrje e lehtë, aq më shumë nëse mbajmë parasysh se një përkufizim të qartë për transparencën nuk e gjejmë as në Kodin Zgjedhor dhe as në Ligjin 119/2014 Për të drejtën e informimit.
Në pamundësinë për të identifikuar si të duhurën vetëm njërën prej tyre, vëmendja mund të drejtohet kryesisht në identifikimin e elementeve që do ta bënin një proces zgjedhor transparent. Transparenca është qëllim, mjet dhe parim që duhet trajtuar më vëmendje të veçantë kur duam të përcaktojmë nëse një proces zgjedhor mund të konsiderohet me integritet, Komisioni i Venecias e ka reflektuar këtë përpjekje në Kodin e praktikës së mirë në çështjet zgjedhore- Udhëzime dhe raporti shpjegues/ Opinioni nr. 190/2002 (Kodi i praktikave të mira zgjedhore.pdf).
Një proces zgjedhor transparent lidhet ngushtësisht me 4 komponentë të rëndësishëm të procesit zgjedhor.
Garancitë proceduriale që mundësojnë realizimin e një procesi zgjedhor transparent. Më së shumti, këto garanci lidhen me sjelljen e organeve që qeverisin apo administrojnë procesin zgjedhor, duke filluar nga mënyra transparente e konstituimit, gjë që do të duhej të siguronte pavarësinë e tyre.
Nga ana tjetër, ka rëndësi për të siguruar një proces zgjedhor transparent qasja që këto institucione kanë jo vetëm ndaj përfaqësuesve të partive dhe vëzhguesve, por edhe me shoqërinë civile dhe publikun. Në këtë këndvështrim, transparenca mund të sigurohet përmes veprimtarive të shumëllojshme si: realizimi i seancave publike; dhënia e mundësisë aktorëve të ndryshëm për pjesëmarrje; diskutimeve periodike në internet të çështjeve të lidhura me zgjedhjet; organizimi i fushatava për edukimin e zgjedhësve, që synojnë veçanërisht votuesit për herë të parë dhe grupet në nevojë; transmetimi i spoteve në TV dhe vënia e tyre në dispozicion në rrjetet sociale të titruara në gjuhët e pakicave. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet vendore 2023 konstaton se KQZ me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, ka përkthyer procedurat kryesore të votimit në tetë gjuhët e pakicave kombëtare, si dhe në gjuhën e shenjave (RAPORTI NDERMJRTEM osbe odhiR ZGJEDHJET VENDORE 2023.pdf).
Për të forcuar transparencën KQZ duhet të publikojë një kalendar gjithëpërfshirës zgjedhor me afatet përkatëse, duke përfshirë miratimin e akteve nënligjore për trajnimin dhe detyrat logjistike. Gjithashtu, duhet të postojë rezultate të hollësishme paraprake në faqen e saj të internetit, natën e zgjedhjeve, duke siguruar kështu transparencën në këtë faze të procesit.
Po aq transparent duhet të jetë qëndrimi i KQZ edhe në raport me pretendimet dhe ankimimet për shkelje të legjislacionit zgjedhor, të cilat duhen hetuar në mënyrë të plotë, në kohë dhe në mënyrë transparente dhe votuesit duhet të informohen sistematikisht në lidhje me mekanizmat e raportimit të çdo rast presioni.
Vëzhgimi publik dhe i pavarur i teknologjive zgjedhore. Gjithnjë e më shumë procesi zgjedhor po realizohet përmes përdorimit të teknologjive të reja. Identifikimi i votuesit, procesi i numërimit e së fundi edhe realizimi i projektit pilot të votimit elektronik (gjatë zgjedhjeve parlamentare 2021 u pilotua në 32 qendra votimi në Tiranë dhe në zgjedhjet e 14 majit për përfaqësuesit në njësitë e vetëqeverisjes vendore në tre bashki) identifikojnë nevojën për një vëmendje të shtuar lidhur me sigurimin e kohës dhe burimeve të përshtatshme për përgatitjen efektive, që procesi t’i nënshtrohet vëzhgimit publik dhe të pavarur të teknologjive zgjedhore, duke synuar edhe kufizimin e rrezikut. Paisja e çdo tryeze numërimi me një kamera lokale dhe një monitor, për të shfaqur secilën votë dhe për të regjistruar procesin, janë një hap tjetër në drejtim të sigurimit të transparencës së procesit, që gjithsesi duhet përmirësuar në zbatimin e saj.
Transparenca lidhur me burimet financiare. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor (23 korrik 2020) dhe në Ligjin Për Partitë Politike (nëntor 2020) rregulluan në aspektin ligjor çështje që kishin të bënin edhe me financimin publik dhe privat të fushatës, duke adresuar një rekomandim paraprak të ODIHR-it. Në një shumëllojshmëri të burimeve të financimit të fushatave zgjedhore (fondet e veta, donacionet nga shtetas dhe subjekte juridike shqiptare, si dhe huatë bankare), është domosdoshmëri që nga organi mbikëqyrës (KQZ) të përcaktohen në mënyrë të hershme, rregullat e detyrueshme për financimin e fushatës, në mënyrë që të mos ketë paqartësi ligjore. Raporti OSBE/ODHIR për zgjedhjet parlamentare 2021 thekson se “Duhet të zhvillohet aftësia e KQZ-së për të zbatuar në mënyrë efektive kërkesat ligjore në lidhje me mbikëqyrjen e financimit të fushatës”. Megjithatë, mangësi në këtë aspekt të procesit zgjedhor konstatohen edhe në zgjedhjet vendore 2023. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR për këto zgjedhje në Raportin e Ndërmjetëm (publikuar më 28 Prill 2023) nënvizon se “Garuesit u qartësuan lidhur me kufizimet për shpenzimet e fushatës vetëm një javë para se të fillonte fushata, atëherë kur KQZ-ja vendosi shpërndarjen e fondeve publike shtesë për fushatën, e cila përdoret për të përllogaritur kufirin e shpenzimeve”.
Në formimin e opinionit publik të nevojshëm për të përcaktuar apo orientuar vendimarrjen e zgjedhësit duhet gjithashtu, që të ketë informacion lidhur me mënyrën e financimit të fushatës zgjedhore të subjekteve të përfshira në garë, gjë që mund të realizohej përmes raporteve financiare të detyrueshme për tu paraqitur para ditës së zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor nuk e ka garantuar këtë mundësi për elektoratin, pasi nuk kërkon asnjë raportim të ndërmjetëm, por vetëm raporte financiare brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. Për rrjedhojë, zgjedhësi e ka të pamundur të bazojë vendimarrjen e vet, duke u mbështetur në dijeninë mbi legjitimitetin e burimeve financiare të partisë apo kandidatit për të cilin preferon të votojë.
Mjedisi mediatik dhe mbulimi i fushatës zgjedhore. Komponenti në fjalë lidhet me disa aspekte të pasqyrimit nga media të fushatës zgjedhore, duke nisur nga ndikimi i pavarësisë editoriale nga interesat e pronarëve, ndikimi i gazetarëve nga presioni apo pengimi i transmetuesit në realizimin e një mbulimi analitik të të gjitha subjekteve zgjedhore. Raporti OSBE/ODHIR për zgjedhjet parlamentare 2021 ka konstatuar se “mjedisi mediatik ka bërë një mbulim të diferencuar dhe pozitiv mbi veprimtarinë e institucioneve shtetërore”.
Nga ana tjetër, janë tregues të rëndësishëm për një mbulim transparent të fushatës, organizimi i debateve televizive mes drejtuesve politikë, një mungesë gjithmonë dhe më e dukshme në mjedisin mediatik edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore (zgjedhjet për njësitë e vetëqeverisjes vendore 2023), gjë që ka ndikuar shumë në mundësinë e zgjedhësve për të krijuar një opinion të mbështetur në analizë të thelluar të alternativave të paraqitura.
Mbulimit të fushatës zgjedhore nga media, shpesh i mungon mesazhi publik; ato fokusohen tek figura e liderëve kryesorë të partive, shumë më pak tek kandidatët dhe akoma më pak te diskutimet mbi problematikat e komunitetit. Rreth dy muaj para zgjedhjeve vendore 2023, qeveria miratoi një bonus për pensionistët dhe premtoi rritje të pagave për punonjësit e administratës publike; pjesëmarrësit në këtë garë e konsideruan si një shkelje të ligjit elektoral, por Komisioneri deklaroi publikisht se kufizimet zbatoheshin vetëm për zgjedhjet parlamentare. Por, në një fushatë zgjedhore ku fokusi vendoset tek lideri dhe media e sjell më afër publikut këtë qasje, masa të tilla mbartin rriskun që ta deformojnë vullnetin e zgjedhësit.
Në Opinionin e Komisionit të Venecias, transparenca kontribuon në realizimin e një procesi zgjedhor në respekt të parimit të barazisë. Në këtë këndvështrim, Kodi Zgjedhor vë në diskutim e pikëpyetje aksesin në media të partive më të vogla dhe të kandidatëve të pavarur, pasi bën diferencim mes partive që kanë fituar mbi 20% të vendeve në zgjedhjet parardhëse dhe partive të tjera parlamentare. Mbulimi i partive konkurruese joparlamentare është në diskrecionin e redaktorëve të mediave, gjë që mund t’i vendosë në pozita diskriminuese partitë joparlamentare.
Institucionet e menaxhimit të procesit zgjedhor duhet të tregohen të kujdesshme lidhur me realizimin e një mbulimi të balancuar gjinor dhe ndalimin e ngjarjeve të caktuara që nuk duhet të marrin asnjë mbulim mediatik.
Zgjedhësit shqiptarë akoma ndikohen në vendimarrjen e tyre nga pamundësia e mediave për të përcjellë realisht fushatën zgjedhore, pasi nuk kanë shpëtuar dot nga ndikimi i partive politike që imponojnë informacionin që ata dëshirojnë, përmes transmetimit të lajmeve të gatshme. Raporti OSBE/ ODHIR për zgjedhjet parlamentare 2021 rekomandon që “Legjislacioni duhet të ndryshohet për t’u siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e subjekteve zgjedhore me qëllim kufizimin e përdorimit të përmbajtjes së prodhuar nga partitë në lajme”.
Në përfundim mund të themi se për realizimin e një procesi zgjedhor me integritet duhet një qasje positive ndaj transparencës si një mjet, parim, dhe qëllim i procesit, që kërkon së pari amendime ligjore që do t’i bënin më të qarta “rregullat e garës”, një angazhim institucional për të garantuar një proces transparent, por edhe krijimi i një mjedisi mediatik që kontribuon pozitivisht në krijimin e opinionit të zgjedhësve dhe vendimarrjen e tyre bazuar në zgjedhje të informuara.