Gjykata e Tiranës i dha të drejtë ish-kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar në Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri për mosdeklarimin e një dënimi të drejtësisë italiane në formularin e dekriminalizimit dhe vendosi pushimin e hetimeve. Vendimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari Artan Gjermeni, pas shqyrtimit në seancë paraprake të kërkesës së Prokurorisë për pushimin e çështjes penale ndaj Pjetrit. “U pranua kërkesa për pushimin e çështjes penale e paraqitur nga prokurori”, i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit, Alba Nikolla. Më 17 dhjetor 2019, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj Valdrin Pjetrit, për mosdeklarim në formularin e ligjit për dekriminalizimin të dënimit në Itali për “mbajtje të lëndës narkotike”.
Prokuroria pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur të dërgojë për pushim çështjen penale në ngarkim të ish-kandidatit të Partisë Socialiste për pozicionin e kryetarit të Bashkisë Shkodër në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Valdrin Pjetri.Kërkesën për pushim dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më 30 korrik, prokurori i çështjes Ervin Karanxha e bazon në vendimin e Gjykatës së Firences, Itali të vitit 2003, kur Pjetri është akuzuar dhe dënuar me 18 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë për “mbajtje të lëndës narkotike” në bashkëpunim. Në kërkesën për pushim të prokurorisë, thuhet se Gjykata e Fierences kishte vendosur pezullimin e dënimit dhe mospërmendjen e tij në të ardhmen.“Vetë vendimi i dënimit të tij në pjesën e dispozitivit të tij deklaronte që ky vendim nuk duhej të përmendej në të ardhmen ose të bëhej publik”, citohet në kërkesën për pushimin e çështjes.
Karanxha vlerëson se, kur gjykata ka urdhëruar që vendimi nuk duhet të përmendet, atëherë ky vendim dyhet zbatuar. “Sipas interpretimit të nenit 3 dhe 11 të Kodit të Procedurës Penale del se vendimi i gjykatës zbatohet dhe nuk diskutohet”, citohet në kërkesën për pushim. Sipas prokurorisë, Pjetri ka zbatuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Fierences duke mos e deklaruar dënimin e dhënë ndaj tij për posedim të lëndës narkotike të llojit cannabis sattiva. Më tej, prokuroria argumenton, se duke qenë se vepra penale ka ndodhur në shtetin fqinj, në rastin konkret zbatohet ligji penal Italian dhe jo ai shqiptar. Bazuar në këto arsyetime, prokuroria arrin në përfundimin se Pjetri nuk duhej ta deklaronte dënimin e tij dhe se për këtë shkak nuk ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Gjykata e Tiranës pushon çështjen penale ndaj Valdrin Pjetrit