Ky investigim është botuar nga Organizata për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një organizatë e gazetarëve investigativë që shtrihet në të gjithë botën. Lapsi.al po e publikon të plotë shkrimin që trajton të dhënat për Tom Doshin.
Agjencia kryesore e hetimeve kriminale në Australi ngre dyshime se Tom Doshi, biznesmen dhe politikan i rëndësishëm shqiptar i lidhur me kryeministrin e vendit, është në krye të një grupi kriminal vendas që kryen mashtrime emigracioni, trafik droge dhe pastrim parash.
PIKAT KRYESORE TE RAPORTIMIT:
• Dokumentet konfidenciale të inteligjencës nga Australia pretendojnë se Tom Doshi është kreu i një grupi të organizuar kriminal që përbëhet kryesisht nga anëtarë të familjes së tij.
• Grupi i tij, thonë raportet, është pjesë e një rrjeti më të madh që ka shfrytëzuar dobësitë e sistemit të emigracionit të Australisë për t’i futur anëtarët e saj shqiptarë në Adelaide, Melburn, Perth dhe New South Wales.
• Sipas hetuesve, këto banda shqiptare me bazë klanore përfshihen në aktivitete kriminale si kultivimi i paligjshëm i kanabisit, armët dhe trafiku i drogës.
Tom Doshi, një biznesmen dhe politikan i fuqishëm shqiptar i lidhur me kryeministrin e vendit, dyshohet se drejton një grup të organizuar kriminal i përfshirë në pastrimin e parave, trafikun e drogës, dhe veprave të tjera penale në Australi, sipas raporteve konfidenciale të shërbimeve sekrete.
Ky klan, baza e të cilit është në Shkodër, ka abuzuar sistematikisht me sistemin e emigracionit të Australisë, duke ndërtuar “një strukturë të tërë kriminale shqiptare të krimit të organizuar” në të gjithë Australinë e Jugut, sipas raporteve të inteligjencës.
Dokumentet e hartuara nga Komisioni Australian i Inteligjencës Kriminale (ACIC) dhe të shpërndara në agjencitë policore vendase dhe të huaja, bazohen në raporte të shumta nga forcat e policisë lokale dhe informacione nga organet e huaja të zbatimit të ligjit. Raportet u lexuan nga gazetarët e OCÇRP-së dhe gazetarët e gazetave australiane “The Age” dhe “Sydney Morning Herald”.
Në këto dosje përshkruhet mënyra se si klanet shqiptare, duke nisur nga viti 2000, kanë përdorur identitete të rreme dhe lidhje të afërta me agjentët e migracionit për të dërguar njerëzit e tyre në Australi e më pas atje ngritën celulat në Adelaide, Melburn, Perth dhe vende të tjera.
Në dosje, Doshi përshkruhet si “koka” e një grupi “që përbëhet kryesisht nga familja e tij e madhe”. Megjithëse dokumentet nuk përmbajnë detaje rreth aktiviteteve të tij specifike, ato vënë theksin tek fakti se tetë nga të afërmit e tij janë të përfshirë në hetimet për trafik droge dhe pastrim parash, në disa raste si “shënjestra kryesore”. Në këto raporte evidentohet se të afërmit e tij kanë marrë viza australiane nëpërmjet dokumenteve të rreme. Njëri prej tyre është nën akuzë për trafik droge.
Doshi, i cili ka jetuar në të dyja shtetet, në Australi nuk është akuzuar për asnjë krim. Në atdheun e tij, ai ka ndërtuar një perandori biznesi që ka përfituar gjerësisht nga kontratat shtetërore. Ai u shpall persona “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018 për “përfshirje në korrupsion domethënës” dhe u detyrua të largohej nga Parlamenti në vitin 2021, pas një sërë skandalesh të profilit të lartë, ndër vite. Dyshimet për përfshirjen e tij në rrjetin kriminal australian nuk janë bërë kurrë publike më herët.
“Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë i përfshirë në asnjë lloj forme me kontrabandën e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e armëve, pastrimin e parave, apo emigracionin e paligjshëm në Australi, Shqipëri apo dhe në ndonjë shtet tjetër”, ka shkruar Tom Doshi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. “Në fakt, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam qenë mbështetës i fuqishëm i luftës kundër këtyre aktiviteteve”.
“Nuk kam asnjë lidhje me asnjë ‘klan kriminal’ shqiptar me bazë në Australi, apo me ndonjë kriminel shqiptar në ndonjë vend tjetër”, ka shkruar ai. “Numri i vëllezërve dhe motrave të mia, së bashku me fëmijët e tyre, shkon në 33. Unë kam pak ose aspak kontakt me ta, përveçse kur i takoj në funerale apo festa familjare.”
Ata duan të dominojnë
Grupet kriminale shqiptare janë shumë aktive në trafikun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, Itali dhe shumë vende apo dhe kontinente të tjera.
Aktivitetet e tyre të mirë organizuara dhe sistematike në Australi nxjerrin në pah kërcënimin që vjen nga zgjerimi i tyre ndërkombëtar.
Ndër aftësitë e tyre kryesore, thonë oficerë aktualë dhe ish-zyrtarë të forcave ligj zbatuese, është shfrytëzimi i rregullave të emigracionit për të kontrabanduar anëtarët e tyre në vendet ku ata veprojnë.
“Shpesh ata aplikojnë për një vizë të caktuar duke e ditur se do t’u refuzohet”, thuhet në një nga dosjet e inteligjencës australiane, “por (ata) shfrytëzojnë procesin e gjatë të apelimit në mënyrë që të mund të sigurojnë prova për të mbështetur një aplikim tjetër për vizë.”
“Ata kanë persona që i ndihmojnë, që janë shumë profesionistë, që i asistojnë në çështjet e aplikimit të vizave, çështjet ligjore apo çështjet të tjera,” tha Paul O’Halloran, Komandant i Policisë në Victoria. “Ata janë ekspertë të këtyre punëve.”
Gangsterët shqiptarë në Australi “mund të shfaqin dhunë ekstreme”, tha O’Halloran, dhe ata konsiderohen nga detektivët e tij si “shumë të rrezikshëm”.
Tony Saggers, ish-oficer i rangut të lartë në Agjencinë Kombëtare të Krimit të Britanisë, është marrë prej shumë vitesh me gjurmimin e kriminelëve shqiptarë.
“Thjesht përfshirja në këtë aktivitet nuk mjafton për ta. Ata pëlqejnë të dominojnë”, tha ai në lidhje me përfshirjen e tyre në tregtinë e drogës. “Ata angazhohen shumë për të qenë të respektuar për atë ç’ka bëjnë, dhe për t’u ditur që e kryejnë mirë. Thjesht kryerja e (aktivitetit kriminal) nuk mjafton për ta. Atyre u pëlqen të dominojnë, duke zotëruar kontrollin e plotë të këtij aktiviteti, duke dëshmuar se janë më të mirët dhe se plotësojnë dhe kënaqin kërkesat e klientëve.”
Një ‘cikël jetësor’ kriminal
Dokumentet e inteligjencës australiane, të analizuara nga gazetarët, nënvizojnë atë që ata e quajnë “cikli jetësor” me pesë faza i grupeve të strukturuara kriminale shqiptare.
Së pari, thuhet në raport, njerëzit rekrutohen nga Shqipëria, ndonjëherë me premtimin e rremë për t’u gjetur punë jashtë vendit. Së dyti, ata hyjnë në Australi duke përdorur deklarime të rreme në aplikimet për marrje vize dhe dokumente të hartuara mbi mashtrim. Së treti, ata arrijnë të qëndrojnë në Australi duke përfituar nga procedurat e gjata të vizave dhe lidhjet e tyre të krijuara me agjentët e emigracionit (disa shqiptarë aplikojnë për të qëndruar në Australi duke pretenduar se janë në gjakmarrje dhe se rikthimi në shtëpi do t’u rrezikonte jetën). Së katërti, kryejnë veprimtari kriminale. Së pesti, arrestohen, dënohen dhe u hiqen vizat.
Shkodra është identifikuar si një epiqendër nga e cila e kanë origjinën shumë prej këtyre grupeve kriminale. Pesë nga shtatë hetimet e kryera nga ACIC në Australi nga viti 2015 deri në vitin 2020 tregojnë se “objektivi kryesor” i hetimeve e ka prejardhjen nga ky qark.
Doshi, një “kingmaker” politik në Shkodër, në dokumente rezulton si lideri i dyshuar i një grupi të krimit të organizuar të përbërë nga familjarë të tij, të referuar si “banda e familjes Doshi”. Hetuesit besojnë se klani angazhohet në pastrim parash dhe shfrytëzon sistemin e migracionit të Australisë për të lehtësuar aktivitetet e tyre kriminale.
Anëtarët e klanit, thonë dokumentet, u bënë pjesë e një liste “të personave me interes” të krimit të organizuar shqiptar, listë e hartuar nga zyrtarët australianë. Kjo listë u dërgua më pas edhe tek agjencitë e zbatimit të ligjit në shumë vende evropiane. Në të njëjtat dokumente hetimore, thuhet se këto agjenci i kishin të skeduar anëtarët e klanit Doshi, nga hetimet e tyre të mëparshme.
Në këto dokumente përfshihet gjithashtu një “rast studimor” ku përshkruhet një grua me “lidhje familjare me Doshin” që punon si “agjente e regjistruar migracioni” në Australi, e cila “me gjasë ndërmjetëson procesin [kriminal], duke arritur rezultate me procedurat e emigrimit për anëtarët e grupit të arrestuar për kultivim kanabisi ose të lidhur ngushtë me trafikun e kokainës”.
Dosjet nuk përmendin asnjë akuzë kriminale kundër gruas dhe tregojnë se nuk ka “baza për të anulluar regjistrimin e saj [si agjent migracioni] në bazë të lidhjeve kriminale të rrethit të ngushtë familjar”.
Dosjet përmbajnë detaje hetimore mbi aktivitetin e dy nipave të Doshit. Për të dy thuhet se janë anëtarë të bandës së trafikut të drogës “Lleshi”, një bandë tjetër kjo që mban emrin e një familjeje e cila dyshohet se përdor paratë e përfituara nga “shtëpitë e barit”, për të trafikuar kokainë në Australi dhe jashtë saj.
Në mars 2022 në Adelaide, policia arrestoi një nga nipat e Doshit dhe ngriti akuza ndaj tij për trafik droge dhe pastrim parash, pasi sekuestroi një sasi kokaine me vlerë 1.6 milion dollarë australianë, të fshehur brenda një pajisjeje tymuese (Shënim i autorit: pajisje që përdoret për të përhapur tym në diskoteka dhe festa).
Nipi kishte filluar të vizitonte shpesh Evropën pasi kishte marrë nënshtetësinë australiane pothuajse një dekadë më parë, thuhet në dosjet e inteligjencës. Gjatë kësaj kohe, ai dhe familja e tij blenë prona të shtrenjta në Australi, duke ngritur dyshime tek hetuesit rreth burimit të të ardhurave. Dosjet tregojnë se ai ka zhvendosur para nga Australia në Shtetet e Bashkuara, duke përdorur një të njohur të tij, student në shtetin e Massachusetts. Zyrtarët e gjykatës nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth statusit aktual të gjykimit të këtij rasti.
Nipi tjetër i Doshit nuk ndodhet më në Australi, por dyshohet se është ende i përfshirë në krimin e organizuar shqiptar dhe trafikun e drogës në nivele të larta. Edhe ai ka pasur një numër të madh çështjesh në konflikt me ligjin. Sipas dosjes së tij në emigracionin australian, e këqyrur nga gazetarët, ai ka një histori dënimesh penale në vend, që daton që nga viti 2012. Dosja citon një ministër që refuzoi kërkesën e tij për vizë duke thënë: “Unë dyshoj në mënyrë të arsyeshme se [ai] ka qenë ose është anëtar i një grupi apo organizate … i përfshirë në veprimtari kriminale”.
Në Shqipëri, ai u akuzua në vitin 2016 për sulm ndaj një punonjësi të policisë rrugore. Oficeri nuk pranoi të ngrinte akuza dhe nuk dihet fundi i procesit gjyqësor.
Dy incidente të tjera dhune të shkaktuara nga anëtarët e familjes Doshi përfunduan gjithashtu pa dënime. Në fillim të këtij viti, djemtë e Doshit, James dhe Marcos, së bashku me truprojën e tyre, u akuzuan në Shqipëri për rrahjen e një burri me shufra hekuri dhe mosbindje ndaj urdhrave të policisë. Çështja u pushua pasi personi që u sulmua e përshkroi incidentin si një keqkuptim dhe kërkoi që të tre të mos ndiqeshin penalisht.
Një gazetar shqiptar, për të cilën dyshohet se u sulmua nga vetë Doshi në vitin 2008, gjithashtu refuzoi të ngrinte akuza kundër tij.
James dhe Marcos Doshi nuk iu përgjigjën pyetjeve për koment.
“Shkëlqimi” i Doshit
Megjithëse akuzat australiane ndaj Doshit janë të reja, ai prej kohësh është një figurë kontraverse në vendlindjen e tij. Ai krijoi pasuri nga industria farmaceutike dhe e ndërtimit dhe gëzon lidhje politike të nivelit të lartë. Por karriera e tij është shënjuar nga dhuna, përballjet me ligjin dhe akuzat për korrupsion.
Në një kabllogram të ambasadës amerikane të vitit 2009, hartuar nga një diplomat amerikan që shërbente në Shqipëri, Doshi rezultonte në krye të listës së ligjvënësve “me lidhje me krimin e organizuar”, duke e përshkruar atë si “deputetin më të pasur” në vend, duke shtuar se ai ishte “i dyshuar për trafik narkotikësh”.
Përballja e parë e Doshit me ligjin ndodhi në fillim të viteve 2000. Në vitin 1990, gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai u dënua me një vit burg për sjellje të pahijshme, pasi përfshirja e tij në një sherr në gjendje të dehur në qytetin bregdetar të Durrësit përfundoi me goditijen me thikë të një personi.
Dënimi nuk e pengoi karrierën e Doshit. Nga mesi i viteve 1990, ai hyri në sektorët e ndërtimit dhe karburantit, ndërsa Shqipëria iu nënshtrua një tranzicioni të shpejtë drejt kapitalizmit të tregut të lirë.
Në vitin 1997 Doshi ndërtoi një jetë edhe në Australi, duke blerë prona të shumta në qytetin jugor të Adelaides dhe duke jetuar midis dy vendeve për disa vite. Pikërisht gjatë kësaj periudhe dyshohet se ai krijoi grupin kriminal të identifikuar nga hetuesit australianë.
Por dhe në vendlindje ai ishte po aq aktiv. Arriti suksesin më të madh në vitin 2000, kur firma e tij Aldosch Sh.pk fitoi tenderët për të blerë dy kompani të mëdha shtetërore në sektorin e qumështit dhe atë farmaceutik.
Teuta Shamku, gazetare që ka mbuluar për një kohë të gjatë sektorin e ekonomisë dhe tani punon për Radio-Televizionin Publik Shqiptar, e përshkruan këtë fitore si “surprizë”, veçanërisht pasi Aldosch u lejua të privatizonte dy kompani që operonin në sektorë krejtësisht të ndryshëm.
Për më tepër, Aldosch nuk ishte një emër i madh në biznesin shqiptar në atë kohë. “Ishin të panjohur,” tha Shamku për firmën e Doshit. “Aktiviteti i kësaj kompanie ishte pak enigmë.”
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi shkroi se këto blerje “ishin rezultat i një procesi privatizimi publik me tender të hapur. Kam bërë ofertën më të lartë në çdo rast. Nuk kishte asnjë favorizim”.
Lulëzimi i bizneseve të Doshit
Transaksionet nga kompania aksionere kyçe e Doshit, Aldosch, u shfaq në radarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave në 2008. Autoritetet e akuzuan kompaninë e Doshit për fshehje të të ardhurave nga librat e tyre kontabël nga shitja e dy kompanive shtetërore – njëra prej tyre kompania e qumështit dhe tjetra farmaceutike, që Doshi kishte blerë në 2000.
Autoritetet e tatim taksave gjobitën Aldosch me thuajse 18 milion lekë, por gjoba më vonë u rrëzua në gjykatën e apelit. (Në përgjigje të kërkesës sonë për koment, Doshi shkroi se gjoba u rrëzua sepse “pas dy viteve audit të gjithë kompanive tona dhe financave tona personale nuk u gjet asnjë bazë për akuzat”)
Doshi bleu prapë kompanitë e farmaceutikëve nga pronari i saj gjerman disa vite më pas. Sot, kompania e tij Profarma, dominon tregun e farmaceutikëve në Shqipëri dhe gjithashtu përfiton shumë nga “rimbursimi i ilaçeve” pasi i jep mundësinë disa pacientëve që të përfitojnë disa medikamente përmes skemës së rimbursimit nga shteti. Thuajse një e treta e 352 medikamenteve që janë të mbuluara nga programi i rimbursimit janë të prodhuara nga Profarma. (Doshi u shpreh se kompania e tij ka qenë e suksesshme pasi “ne kemi investuar për të modernizuar dhe automatizuar prodhimin dhe kemi prodhim të një cilësie të mirë dhe modern”. Kompania, u shpreh ai “operon në nivelet më të larta të integritetit dhe në përputhje të plotë me frymën e ligjit”.
Pas kësaj Doshi u përfshi në politikë. Ai siguroi mandatin e tij të parë në Parlamentin shqiptar në vitin 2005 si kandidat socialist, një nga partitë kryesore politike të Shqipërisë, për të përfaqësuar qytetin e tij të lindjes, Shkodrën.
Në një incident skandaloz, të raportuar gjerësisht tre vjet më vonë, Doshi dhunoi një gazetar që kërkoi një intervistë në lidhje me diplomën e tij false të universitetit. Një kabllogramë e ambasadës amerikane të asaj kohe përshkruante sesi të pranishmit në kafenenë e hotelit, ndoshta të frikësuar nga reagimi i njohur i dhunshëm i Doshit, thjesht nuk ndërhynë.
Gazetari nuk ngriti akuza dhe ngritja politike e Doshit vijoi e pandërprerë. Në vitin 2009, një kabllogram e ambasadës amerikane citoi një deputet të pakënaqur socialist, i cili u ankua se Doshi – të cilin ai e quajti “bandit” – kishte fituar ndikim mbi kreun e partisë, Edi Rama, pasi kishte investuar gjysmë milioni euro në fushatën e fundit parlamentare.
Socialistët nuk fituan atë vit. Por në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013, performanca e tyre u përmirësua dhe Shkodra i ndihmoi ata të siguronin një fitore kombëtare – duke shndërruar Doshin, nga një lojtar i pushtetshëm lokal, në pozicione më ndikuese.
Fatos Lubonja, një shkrimtar dhe analist politik shqiptar, e përshkroi Doshin si një aleat të fuqishëm të Partisë Socialiste “si për zgjedhjet e Shkodrës ashtu edhe për Tiranën”, duke iu referuar dy rajoneve të rëndësishme politikisht.
“Për shumë vite, [Doshi] ka qenë një nga aleatët më të rëndësishëm të partisë në pushtet të Edi Ramës, një parti që punon për dhe me një pakicë njerëzish”.
Por ngritja e Doshit nuk ishte pa telashe. Viza e tij në Australi u anulua për “shkaqe karakteri” (Shënim i autorit: një ndër arsyet kur nuk e plotëson këtë kriter, sipas ligjit australian të migracionit, është të të paturit e rekordeve kriminale) në 2015 dhe nuk rezulton që ai ta ketë shkelur tokën australiane që në atë kohë.
Dokumentet më të fundit të disponueshme publikisht tregojnë se në vitin 2020 Doshi apeloi këtë vendim por kjo përpjekje nuk ka qenë e suksesshme.
Doshi i tha gazetarëve se ai po vazhdon betejën e tij dhe se ai “shpreson shumë” për një rezultat pozitiv.
Zyrtarët e emigracionit nuk dhanë informacion për statusin e fundit të kësaj çështje.
Në atdhe, viti 2015 e gjeti atë të përjashtuar nga Partia Socialiste pas debateve me Ramën për të emëruarit politikë lokalë. Për vite me radhë, Doshi dhe një aleat i tij parlamentar ishin nën hetim për pretendimin e rremë se kryetari i Kuvendit kishte urdhëruar vrasjen e Doshit. Ai u shpall i pafajshëm për këto akuza.
Miq, si këta
Njeriu që u akuzua për dëshmi të rreme përkrah Doshit – i njohur si miku i tij i ngushtë, vuajti dënimin me burg për këtë akuzë por dhe për krime të tjera – ishte Mark Frroku, deputet që përfaqësonte qarkun e Shkodrës.
Marrëdhënia mes Doshit dhe Frrokut u acarua si pasojë e kësaj ngjarjeje. Por deri në atë kohë, Doshi dhe Frroku – fillimisht i dënuar për vrasje në Belgjikë, – ishin bashkëpunëtorë si në politikë, ashtu edhe në biznes.
Ishte Doshi ai që përfshiu Frrokun, i njohur deri atëherë si një biznesmen që merrej me lojërat e fatit, në politikë në vitin 2013, duke e ndihmuar të siguronte një mandat në Parlament. Një vit më pas, Frroku bleu disa prona nga Doshi, duke shënuar fillimin e një marrëdhënieje biznesi që përfshinte bashkëpronësinë e një hoteli dhe një fabrike pulash.
Deri atëherë Frroku ishte dënuar me 10 vjet burg në Belgjikë për vrasjen e një anëtari të bandës shqiptare atje në vitin 1999. Dënimi nuk mund të zbatohej, pasi Frroku ishte arratisur nga vendi pas vrasjes.
Megjithëse belgët u përpoqën të ekstradonin Frrokun nga Shqipëria, Ministria e Drejtësisë tha se nuk do ta bënte këtë pasi ai ishte shtetas shqiptar. Në vitin 2015, Frrokut iu hoq imuniteti si deputet në Shqipëri, dhe ai u gjykua për vrasjen dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2017.
Në një rast të veçantë atë vit, Frroku u dënua me gjashtë vjet burg për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Ai u lirua për sjellje të mirë pas tre vjetësh.
Një tjetër incident, kur Frroku kishte pushtet politik, ndodhi kur ndihmoi në mbrojtjen e një personazhi famëkeq: Bardhok Pllanajn, mbreti i dyshuar i drogës i njohur gjerësisht si “kumbari” i Shkodrës.
Në dosjen e vëzhgimit policor të siguruar nga gazetarët jepen detaje të këtij skandali: Kur Pllanaj ishte në arrati nga policia në vitin 2014, një makinë të cilën ai drejtonte, u ndalua nga oficerët. Por makina rezultoi se kishte një tjetër pasagjer të spikatur: vetë Frrokun. Duke folur nga dritarja e hapur, ai i tha policisë se nuk kishin të drejtë t’ia ndalonin makinën sepse ishte deputet. Duke vepruar sipas urdhrave të oficerëve të lartë, policia i la të lirë të dy burrat.
Restoranti nga i cili ishte nisur makina, një lokal luksoz në Tiranë që nuk mund të frekuentohet nga kushdo, i quajtur “Antika”, besohej gjerësisht se ishte në pronësi të Doshit. Megjithëse të dhënat nga regjistri i bizneseve nuk janë të disponueshme për të konfirmuar këtë fakt, gazetarët gjetën fakte që e vërtetojnë këtë :
Së pari, në raportin e policisë përmenden numrat e targave të automjeteve të parkuara jashtë restorantit natën në fjalë. Sipas të dhënave të regjistrave, një nga këto targa i përkiste Doshit. Së dyti, në dosjen kundër Doshit në lidhje me komplotin e rremë të “vrasjes” në të cilën ai ishte përfshirë me Frrokun, dëshmitarët nga policia cilësohen si punonjës të “Antika”, për të cilën në dosje thuhet se është në pronësi të Doshit.
Frroku nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Pllanaj u vra me armë zjarri në vitin 2021.
Gjithashtu në vitin 2015, autoritetet e akuzuan Doshin për deklarim të pasaktë të pasurisë së tij në vlerën 14 milionë euro. Por ndonëse hetuesit shqyrtuan pallatet, magazinat, apartamentet, fabrikat dhe makinat luksoze si në Australi ashtu edhe në Shqipëri, ai u shpall i pafajshëm. Një grup akuzash lidhur me pastrim parash u rrëzuan.
Në atë kohë ILDKPKI, deklaroi shkeljet ligjore ishin konstatuar edhe me parë, por që “drejtuesit e mëparshëm të ILDKPKI i mbanin të fshehura”.
Një peshë e rëndë mbi supe
Doshi nuk u dënua për asnjë akuzë në lidhje me këtë çështje. Pas nisjes së hetimeve, prokuroria e ngarkuar me çështjen kërkoi të tërhiqej nga hetimi, duke përmendur ngarkesën e saj të madhe në punë.
Dy prokurorë të rinj ndanë elementët e dosjes për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimi për pastrim parash u pushua dhe përfundimisht Doshi u akuzua vetëm për fshehje.
Akuza për pasurinë bën ping-pong në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për dy vjet përpara se çështja të gjykohej. Në gjykatë, prokurorët pretenduan se Doshi kishte nënvlerësuar pasurinë në të paktën 26 raste midis 2005 dhe 2014. Por në prill 2019 çështja u pushua dhe Doshi u lirua nga akuzat.
Në përgjigje të kërkesave për koment, ILDKPKI u tha gazetarëve se në vitin 2019 i kërkuan Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të shqyrtonte nëse kompanitë e Doshit po ndiqnin ligjin tatimor. Autoriteti tatimor nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ndërkohë Doshi u shndërrua në një deputet i pavarur dhe më pas kryetar i një partie më të vogël, nën logon e së cilës fitoi mandatin e katërt parlamentar në 2017-ën.
Një vit më pas, Shtetet e Bashkuara e sanksionuan Doshin për “përfshirje në korrupsion madhor” dhe ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 po afroheshin u rrit dhe presioni kundër tij – deklaratat publike të ambasadores së atëhershme amerikane, Yuri Kim – e detyruan atë të jepte dorëheqjen.
Ai ende ka fuqi të konsiderueshme. Në videot e postuara në Facebook atë vit, teksa deklaronte mbështetjen për Partinë Socialiste të Ramës, ai deklaronte se kandidatët e saj në zgjedhje ishin të zgjedhur nga vetë ai.
Në maj 2021, opozita kërkoi që prokuroria të hetonte Doshin dhe një bashkëpunëtor për atë që ata e përshkruan si “korrupsion zgjedhor” – që përfshin blerjen e votave me para në dorë ose me favore të tjera – duke i akuzat ata si pjesë e një “grupi të strukturuar kriminal”.
Çështja pasi u regjistrua nga Prokuroria e Posaçme e Krimit të Organizuar, më vonë u dërgua në prokurorinë e Tiranës, ku hetimet ende vijojnë – megjithëse prokurorët zgjodhën të mos hetojnë konkretisht Doshin dhe bashkëpunëtorin e tij, por fenomenin e blerjes së votës në Shqipëri.
Në përgjigje të kërkesave për koment, bashkëpunëtori i dyshuar i Doshit, Pëllumb Gjoka, tha se ai nuk kishte “absolutisht asnjë lidhje me zotin Doshi, as personale dhe as biznesi, dhe … kurrë nuk ishte përfshirë në blerjen e votave apo intimidimin e votuesve”.
Gjoka u arrestua në Shqipëri më 26 korrik 2023, por autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike arsyet e këtij arrestimi.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi tha se “ nuk jam angazhuar kurrë në blerjen e votave – nuk kam nevojë ta bëj këtë”. Mbështetësit e tij, tha ai, janë besnikë ndaj tij për shkak të admirimit të tyre për familjen e tij madhe”.
Ai e përshkroi vendimin e Shteteve të Bashkuara si një “gjendje të jashtëzakonshme shoku” duke pasur parasysh “mbështetjen e tij të palëkundur për reformën gjyqësore të sponsorizuar nga SHBA dhe agjendën anti-korrupsion” dhe tha se ajo bazohej në “thashetheme të rreme mediatike” të mbjella nga kundërshtarët e tij politikë.
Ai gjithashtu doli vullnetar duke treguar se ai ishte “shpallur non grata dhe i përjashtuar nga Britania e Madhe”, duke shtuar se “aktualisht po ndjek çështjen në rrugë juridike”.
Në përgjigje të pyetjeve, një zëdhënës i kryeministrit Rama distancoi Partinë Socialiste nga Doshi.
Partia më e re e Doshit, tha ai, “asnjëherë nuk ka qenë në koalicion me Partinë Socialiste, as në nivel qendror dhe as në nivel lokal”.
“Shqipëria është një vend model përsa i përket sistemit të ri të drejtësisë që ka ndërtuar,” shtoi ai. “Sigurisht, Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe për këtë arsye ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, për t’u bërë një vend i denjë i familjes evropiane, duke vazhduar reformat dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një takim i nivelit të lartë me FBI-në
Raportimet e reja tregojnë se edhe pse Doshi ishte i kritikuar publikisht dhe në vijimësi nga ambasada e SHBA-së në Shqipëri, ai u takua disa herë me një oficer të lartë të zbatimit të ligjit në SHBA.
Njeriu që takoi është Charles McGonigal, në atë kohë shef i kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork. McGonigal u padit në SHBA pas dyshimeve se kishte shkelur sanksionet amerikane të vendosura ndaj Oleg Deripaska, të cilin dyshohet se po përpiqej ta ndihmonte që ta hiqte nga lista e sanksioneve të SHBA.
Ai u akuzua gjithashtu për marrjen e 225,000 dollarëve nga një shqiptar me nënshtetësi amerikane, i cili jetonte në Nju Xhersi, dhe se nuk tregoi për çfarë ishin dhënë paratë.
Sipas njërës prej aktakuzave, në shtator 2017 McGonigal u njoh me “një biznesmen dhe politikan shqiptar” i cili i tha atij se donte që dikush “të hetonte një komplot të supozuar” për ta vrarë.
Dy burime, të dyja pranë disa prej palëve të përfshira, i thanë OCÇRP se biznesmeni ishte Doshi dhe se “komploti” dhe “vrasja e rreme” ishte saga për të cilën Doshi ishte akuzuar në Shqipëri.
Burimet, emrat e të cilëve nuk mund të zbulohen për të garantuar sigurinë e tyre, kanë qenë dëshmitarë të më shumë se një prej takimeve mes McGonigal dhe Doshit. Njëri tha se takimet ishin miqësore – ata “u takuan si vëllezër”, tha burimi – por nuk e dëgjoi drejtpërdrejt bisedën.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Doshi konfirmoi se është takuar me McGonigal, duke thënë se këtë e ka bërë me kërkesë të McGonigal dhe një bashkëpunëtori të tij. Takimi, tha ai, ishte në lidhje me një hetim që i ishte thënë se po kryenin për një “figurë të shquar politike shqiptare”.
“Isha i lumtur të ndihmoja” – deklaroi Doshi.
Megjithatë, Doshi u fut në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit në prill 2018, duke i ndaluar hyrjen në vend.
McGonigal nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nëpërmjet avokatëve të tij.
Botuar nga OCCRP
https://www.occrp.org/en/investigations/influential-albanian-politician-led-organized-crime-group-in-australia-intelligence-reports-claim