Në zbatim të ligjit nr. 138/2015, vendimit të Kuvendit dhe një udhëzimi të përgjithshëm që rregullon aktivitetin në këtë fushë, puna ka vijuar intensivisht dhe është trajtuar çdo kërkesë e përcjellë nga institucionet përgjegjëse për verifikim të thelluar të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit. Për vitin 2022 janë regjistruar 111 procese të verifikimit të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të subjekteve. Kryesisht ato kanë ardhur: 59 nga Departamenti i Administratës Publike; 3 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; 24 nga Këshilli i Lartë Gjyqësor; 24 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; ndërkohë, kryesisht niveli hiearkik i subjekteve lidhet me ato të zyrtarit të lartë 52; në nivel ekzekutiv 19; në nivel drejtues 21 dhe në nivelin e mesëm drejtues 19. Nga këto kërkesa për verifikim të plotë, të regjistruara në vitin 2022, rezulton se për 76 kërkesa ka përfunduar procesi i verifikimi të thelluar, ndërsa për 35 kërkesa procesi do të vazhdojë gjatë vitit 2023.
Shkaku kryesor i mospërfundimit dhe i vijimit edhe për vitin 2023, i të gjithë proceseve të verifikimit të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit vazhdojnë të jenë vonesat në kthimin e përgjigjeve për informacionin e kërkuar nga autoritetet e huaja policore dhe gjyqësore, si dhe mungesa e një regjistri të shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit në zbatim të nenit 29, të ligjit përkatës për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale, i ndryshuar.
Lidhur me pyetjet per dekriminalizimin: i kam dëgjuar edhe më parë pretendimet, pra që vinin përgjigjet dhe tani nuk kthehen. Në fakt, duhet të njihet mirë procesi për të kuptuar natyrën e përgjigjeve që vijnë, sepse ka informacione të natyrës policore dhe të natyrës gjyqësore dhe, në varësi të natyrës së çështjes, pa diskutim që për disa raste vlejnë informacionet policore për t’i dhënë zgjidhje çështjes në përputhje me atë çfarë kërkohet, janë kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, ndërkohë që për raste të tjera kërkohet që informacioni të jetë i natyrës gjyqësore. Në rastin e informacioneve gjyqësore, nuk jam në dijeni të rasteve ku vende të caktuara kanë sjellë më parë përgjigje dhe më pas e kanë ndryshuar politikën e tyre në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, pasi në çdo rast, të jeni të sigurt, vendimet që merren për ekzekutimin e letër-porosive janë vendime të organeve të drejtësisë, të cilat zbatojnë ligjet e brendshme të vendeve dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Sa u takon informacioneve gjyqësore ju siguroj se edhe sot informacionet policore nga Zvicra sigurohen, jo vetëm nga Zvicra, por edhe më tej, pasi ne përdorim disa instrumente, sepse sigurisht informacionet që merren nëpërmjet Interpolit janë të rëndësishme. Ajo që vlen për çdo rast është nëse këto informacione policore mund të përdoren ose jo në rastin konkret që verifikohet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Në fakt, ky është një ngërç që vazhdon, unë e përmenda edhe gjatë raportimit tim. Ky është ligji që ne kemi, që parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare dhe, pa diskutim, të gjitha vendet i aplikojnë marrëveshjet ndërkombëtare nëpërmjet sistemit të tyre të brendshëm, dhe janë prokurorët dhe gjyqtarët vendas, por edhe ministritë e Drejtësisë të vendeve përkatëse që vendosin për këtë fakt. Ajo që unë mund t’ju siguroj është se nuk ka ndonjë ndryshim të përgjigjeve dhe të mënyrës se si ata ndërveprojnë me ne, por ka thjesht raste, të cilat mund të jenë zgjidhur nëpërmjet informacioneve policore, të cilat ne vazhdojmë t’i marrim dhe t’i përdorim vetëm në ato raste kur na vlejnë.
(Nga raporti vjetor i Prokurorit te Pergjithshem ne Kuvend, 3-7-2023)