Pjesë nga fjala e Ambasadores Yuri Kim në Konferencën “Kostot e Demokracisë 2 – Paraja dhe Politika, sfidë ende në vazhdim”, 29.01.2021.
Ndërsa Shqipëria kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, me kandidatë me integritet, të cilët mund të përfaqësojnë me nder interesat e popullit shqiptar.
Jam krenare që Shtetet e Bashkuara e mbështetën këtë nismë dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekje të tjera që përmirësojnë integritetin e zgjedhjeve të Shqipërisë. Populli shqiptar meriton të ketë besim në institucionet e tij, ai meriton ta hedhë votën e tij në një proces transparent, të lirë nga presioni kriminal dhe spektri i korrupsionit, si dhe meriton të shohë udhëheqjen e partive politike dhe përfaqësuesit e tyre në kuvend, duke iu shërbyer interesave të të gjithë shqiptarëve….
Ne po punojmë me partitë politike, duke i nxitur që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të punojnë për të ndërtuar besimin e popullit shqiptar duke paraqitur lista kandidatësh që nuk fyejnë votuesit, nuk minojnë demokracinë apo nuk promovojnë korrupsionin. Fillimisht, drejtuesit e partive duhet të heqin nga radhët e tyre çdo politikan të korruptuar apo të lidhur me krimin dhe të mos i vendosin ata në fletën e votimit. Zbatimi i plotë i dekriminalizimit është thelbësor për të ardhmen Euro-Atlantike të Shqipërisë.
Por, kush shfaqet në fletën e votimit është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Partitë politike duhet t’a marrin seriozisht detyrimin e tyre për të siguruar transparencën e financimit të partive. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të bëjnë transparente financimet e partive dhe fushatave të tyre, si dhe të bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve. Ashtu siç kemi punuar me sistemin e drejtësisë për të kontrolluar integritetin e gjyqtarëve, kështu po kërkojmë edhe kontrolle – kontrolle të hollësishme – të kandidatëve për poste publike. Populli shqiptar e meriton këtë….
Fjala e plote gjendet ne linkun: https://al.usembassy.gov/sq/fjala-e-ambasadores-yuri-kim-ne-konferencen-kostot-e-demokracise-2-paraja-dhe-politika-sfide-ende-ne-vazhdim/