Ligji për Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike i njohur si ligji i “dekriminalizimit”, vazhdon të jetë i nevojshëm në politikën shqiptare edhe pse 5 vjet më parë kur u miratua nën presionin e fortë të SHBA dhe BE u mendua se do të ishtë i përkohshëm. Nevoja e tij erdhi pas zgjedhjes deputetë dhe drejtues lokal të disa eksponentëve me të shkuar kriminale. Sot në valën e debateve për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet që pritet të mbahen në pranverë, partitë kryesore janë angazhuar në miratimin e disa mekanizmave për filtrimin e tyre.
Instituti i Studimeve Politike, në bashkëpunim me ekspertë dhe qytetarë ka kryer një sondazh sipas të cilIt mbi 90 për qind e qytetarëve janë kundër përfshirjes së individëve të fortë dhe kriminelëve në politikë. Sipas Drejtorit të këtij instituti kjo tregon se prurjet e deritanishme nuk kanë qenë vullnet i qytetarëve por i elitave politike.
“Nga monitorimi që kemi rezulton që shumica e procedurave janë formale. Partitë ende në mënyrë publike nuk kanë përjashtuar nga radhët e tyre dhe as kanë mënjanuar nga pozitat drejtuese asnjë nga individët të cilët janë jo vetëm të dënuar nga gjykata, me vendim gjykate dhe ata në listën e zezë amerikane, apo njerëz të njohur në publik për skandale të mëdha financiare apo me të shkuar kriminale”, thotë Afrim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.
https://www.zeriamerikes.com/a/5599622.html