Drejtori i Institutit për Studimeve Politike, eksperti Afrim Krasniqi, beson se ligji i dekriminalizimit nuk ka dështuar, por duhen bërë dhe hapa të tjerë ligjorë për të përforcuar masat që të ndalohen elementët kriminalë që të hyjnë në listat e kandidatëve të partive në zgjedhje.
Si dhe pse hyjnë njerëzit me rekorde kriminale në politikë?
Politika ka kohë që ka humbur funksionin përfaqësues dhe elitar. Në vendet me kulturë demokratike individët që hyjnë në politikë kanë mision dhe vizion për ndryshime pozitive në vend, në shoqëri dhe në problematika thelbësore. Në Shqipëri prej vitesh shumica e prurjeve politike nuk kanë ndonjë mision apo vizion përveç synimit për të rritur ndikimin e tyre personal në vendimmarrje, për status më të lartë shoqëror dhe për imunitet ndaj hetimeve apo si mundësi për të rritur influencën në akte klienteliste siç janë punësimet informale, monopoli ekonomik, tendera abuzive etj. Një analizë e detajuar e individëve që u prekën nga dekriminalizimi tregon se të gjithë ishin prurje nga biznesi informal dhe synimi kryesor i tyre ishte zgjerimi i këtij biznesi përmes informalitetit në politikë.
Pse e gjejnë politikën si habitatin e tyre? Çfarë japin dhe çfarë marrin prej saj?
Sepse modeli i klasës politike që afron, promovon dhe emëron individë të tillë me rekorde kriminale në politikë është interesi klientelist i fitimit të pushtetit me çdo kusht, i mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, i kontrollit të sa më shumë pushteteve, i pasurimit të shpejtë dhe i ndikimit sa më jetëgjatë në politikë. Cili pranoi përgjegjësinë personale dhe kërkoi ndjesë? Asnjë. Shikoni rastet e kryetarëve të fundit të bashkive. Kryeministri aktual ka informacion dhe komenton edhe detaje në jetët personale të kritikëve politikë, sidomos të gazetarëve dhe shoqërisë civile, por ama deklaron se nuk ka informacion për ata që ka përzgjedhur direkt dhe personalisht për kryetarë bashkie në Shqipërinë e shekullit XXI. Çfarë marrin ata nga politika? Gjithçka që posedon shteti dhe pushteti në zonat e tyre: tenderat publikë, kontrollin mbi policinë e administratën, influencën publike, klientelën lokale dhe paprekshmërinë ndaj hetimeve të mundshme.
Pse dështoi ligji i dekriminalizimit, siç ishte në rastin e zgjedhjeve vendore të 2019-ës, ku shumica e kryebashkiakëve dolën me të shkuar kriminale?
Nuk mendoj se ka dështuar ligji, kanë dështuar politikanët që drejtojnë. Ligji ia arriti të largonte nga Parlamenti, bashkitë, administrata etj., mbi 600 individë, por çështja është sa do të ishin larguar nëse nuk do të kishim këtë ligj? Asnjë. Sepse kur ambasadori amerikan shkoi me listë të gatshme te kryetarët e partive kryesore, ata e refuzuan, duke kërkuar prova me vendime gjykate. Pra, ata nuk ishin të gatshëm të “dorëzonin” financuesit e tyre, partnerët lokalë që u sigurojnë vota. Ligji i detyroi ta bënin këtë. Jo tërësisht, por pjesërisht, sepse edhe të larguarit nga dekriminalizimi vijojnë të kenë imunitet e mbështetje në partitë e tyre. Rasti i Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Vlorës etj. është tregues tipik për këtë. Vitet e fundit shqetësimi më i madh nuk ka qenë vetëm vazhdimi i hyrjes së personave me rekorde kriminale në politikë, por sidomos kuraja e këtyre të fundit për të kapur poste të larta, në Parlament dhe në bashki, pra ndjenja e paprekshmërisë dhe e pushtetit absolut që ata kërkojnë, çfarë tregon se kanë pasur dhe kanë garanci informale nga burime të tjera, pavarësisht ligjit, pavarësisht presionit publik dhe pavarësisht nevojës emergjente që ka Shqipëria për të ndarë rrugën nga politika.
Si mund të ndalen apo të priten fijet e krimit me politikën?
Do të duhet të ketë presion më të madh publik ndaj partive dhe klasës politike, reformim të ligjit të partive për t’i detyruar ata të demokratizojnë vendimmarrjen, si dhe masa penalizuese në mandat ose shumë të madhe financiare për partitë që identifikohen pas deputetëve/kryetarëve të bashkive/këshilltarëve të inkriminuar. Do të duhet të ketë hetime nga SPAK për financimin me burime kriminale në fushatë, hetime për financim informal në partitë politike dhe hetime për lidhjet e politikës me grupet kriminale që fshihen pas tenderave publikë, investimeve në ndërtim e në zona turistike, në miniera apo në media.
Çfarë duhet bërë që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë kandidatë me rekorde të tilla kriminale?
Është koha të ndërhyjmë në ligj dhe në aktet nënligjore për përmirësime të disa treguesve, për krijimin e një database publike me individët e dënuar në Shqipëri dhe jashtë saj nga 1990-ta, për forcimin e penaliteteve ndaj partive politike që promovojnë individë me rekorde kriminale dhe për reformimin e dy ligjeve, atë të partive politike dhe atë të financimit elektoral. Pra, është një proces shumë më i gjatë e më kompleks sesa 2-3-mujor, por që në afate të shkurtra do të mjaftonin disa ndryshime ligjore dhe masat penalizuese ndaj subjekteve që procesi të frenohej./FJALA.al