Pesë vjet më parë, pas dy vitesh debatesh dhe një bojkoti parlamentar disamujor nga partitë e opozitës, dy krahët e politikës shqiptare ranë dakord të hartojnë një ligj me asistencë italiane me synimin e ndalimit të personave me lidhje kriminale nga mbajtja e posteve të larta publike apo nga garimi në zgjedhje.
Ndërsa numri i personave të prekur nga ky ligj vlerësohet i konsiderueshëm në rreth 600, dy krahët e politikës shqiptare, PS në pushtet dhe PD e LSI në opozitë si dhe një numër ekspertësh të pavarur të pyetur nga BIRN, nuk bien dakord nëse ligji në fjalë është i suksesshëm dhe nëse ky ligj mjafton për të pastruar politikën nga krimi.
Për partitë politike të opozitës, maxhorancës socialiste, – e cila duket se ka pasur edhe numrin më të lartë të personave të prekur nga ligji, – i mungon vullneti politik i nevojshëm për të shkëputur lidhjet me krimin ndërsa për Partinë Socialiste, angazhimi i personave me të shkuar penale në politikë është problem i secilit prej individëve të kapur dhe jo i Partisë Socialiste në tërësi.
Edhe ekspertët e pyetur janë në mëdyshje nëse ligji ia ka arritur qëllimit që kishte ndërsa sugjerojnë se disa ndryshime në ligj për të reflektuar problemet e vërejtura gjatë zbatimit mund të ndihmojnë.
Ndryshime ka kërkuar edhe vetë Kryeministri Edi Rama, i cili ka vërejtur së fundmi se si dy nga kryebashkiakët e tij që fituan zgjedhje pa garë në vitin 2019 janë goditur sakaq nga ligji ndërsa dy të tjerë janë në proces verifikimi.
Rreth 100 të larguar, 600 të prekur
Instituti i Studimeve Politike, një organizatë studimore me bazë në Tiranë, vlerëson se përgjatë këtyre pesë viteve, rreth 600 është numri i politikanëve dhe zyrtarëve, si të nivelit të lartë ashtu edhe të nivelit të ulët, të cilët janë prekur në një mënyrë ose në një tjetër nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili njihet më së shumti ne nofkën “ligji i dekriminalizimit të politikës”.
Ligji parashikon ndalimin e personave që kanë kryer vepra të rënda penale, por i ngarkon të gjithë të tjerëve të vetëdeklarojnë çdo lloj problemi me drejtësinë që mund të kenë pasur në të shkuarën si dhe i detyron të tregojnë nëse kanë ndryshuar gjeneralitetet. Pikërisht kjo kategori e dytë është ajo që ka qenë shkaku i prekjes nga ligji të 600 personave.
“Shumica e personave të prekur nga dekriminalizimi kanë pasur probleme me deklarimin, jo aktivitet të provuar kriminal,” thotë për BIRN, drejtori i ISP-së, Afrim Krasniqi. “Bilanci numerik tregon se ligji ka vepruar: më shumë se 100 politikanë qendrorë e sidomos lokalë (këshilltarë bashkiakë) kanë humbur postet,” shton ai.
Edhe juristi Sokol Hazizaj mendon se ligji në përgjithësi e ka përmbushur qëllimin për të cilin u bë, ndonëse vullneti i nevojshëm politik për të shkuar përtej formalitetit të sanksioneve ligjore nuk ka qenë shumë frymëzues.
“Në tërësinë e vet, si në vështrimin formal dhe përmbajtësor, ligji e përmbush qëllimin për të cilin është formalizuar”, tha ai duke shtuar se “pas miratimit i [takon] vullnetit të zbatimit të ligjit nga aktorët dhe faktorët politikë”.
Çështje vullneti politik
Përfaqësues të dy partive opozitare, PD dhe LSI, akuzuan socialistët për mungesë vullneti politik, duke vërejtur se edhe pse ligji ka pesë vite në fuqi, dhe me të janë bërë dy palë zgjedhje, sërish socialistëve u dalin krahasimisht më shumë persona me të shkuar penale ndërkohë që këto të fundit këmbëngulin se janë të pafajshëm dhe nuk kanë pasur dijeni për problemet me drejtësinë të kandidatëve të tyre.
Sipas Oerd Bylykbashit, i cili ishte edhe kryetar i një komisioni parlamentar që mori përsipër detyrën e pastrimit të politikës nga krimi, efekti i deritanishëm i ligjit nuk është i paktë, nëse merret parasysh edhe fakti që disa persona me të shkuar penale mund të jenë trembur mjaftueshëm nga ligji sa të mos kandidonin fare por sërish problemi duket se ka evoluuar më shumë se sa është pakësuar.
Po kështu, nënkryetari i PD Gazmend Bardhi thotë se problemi është angazhimi i strukturave kriminale për të zgjedhur të pëlqyerit e tyre dhe për t’i vendosur në lista.
“Eksponetë të krimit të organizuar, që ligji i ndalon të kandidojnë, përfshihen në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe njerëz të lidhur me to përfshihen në listat e kandidatëve. Prandaj gjykoj, që shkëputja e lidhjeve mes politikës dhe krimit është mbi të gjitha çështje e vullnetit politik”, deklaroi Bardhi.
Edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili pati të njëjtin mendim: “Vullneti i PS-së për t’u ndarë nga krimi ishte zero dhe megjithëse ligji është pozitiv, ju shikoni që keni kryebashkiakë që i kanë këto çështje dhe guxojnë ta sfidojnë ligjin deri në momentin që kapen dhe demaskohen”, deklaroi ai duke përmendur dy rastet e fundit, fituesin e garës pa kundërshtarë të Bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri dhe kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, aktualisht në kërkim policor.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment ndërsa Elisa Spiropali zëdhënëse e kryesisë së Partisë Socialiste refuzoi t’i përgjigjej disa pyetjeve duke argumentuar se problemi nuk ka lidhje me këtë parti.
“Nuk e kuptoj nevojën e gjithë këtyre pyetjeve,” deklaroi Spiropali. “…Ju më drejtoheni mua për çështje që s’kanë të bëjnë fare me Partinë Socialiste, që e ka mbështetur pa asnjë lëkundje këtë proces dhe nuk ka asnjë arsye të pyetet lidhur me zbatimin e këtij ligji,” shtoi ajo.
Sipas Spiropalit “partitë politike nuk mbajnë përgjegjesi kolektive për individë që zgjidhen prej tyre, por pastaj mund të rezultojnë shkelës të ligjit, por mbajnë përgjegjësi vetëm për mënyren se si reagojnë ndaj këtyre individëve.”
PD dhe LSI pretendojnë se ato kanë ngritur struktura për të verifikuar gjendjen ligjore të politikanëve të tyre ndërkohë që PS thotë se ajo nuk mund ta kryejë një funksion të tillë.
Sipas Bardhit, “pranë PD-së janë ngritur dy mekanizma konkretë kontrolli, siç janë Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve dhe Komisioni i Integritetit dhe Etikës, që kanë si përgjegjësi të tyre kontrollin e figurës së kandidatëve”.
Ndërsa Vasili thotë se “vullneti [i LSI] ka qenë shumë i qartë për t’i mbajtur larg me çdo kusht kriminelët, ky është filtri më i fortë”.
Ndryshe nga opozita, Spiropali thotë se një parti politike nuk ka mundësi të bëjë një verifikim tërësor të kandidatëve.
“Partitë politike nuk janë as organe hetimore as arkivë procedimesh e vendimesh penale”, tha ajo.
Afrim Krasniqi nga ISP argumenton se ngasja që kanë partitë politike për të siguruar vota me çdo kusht i shtyn në tërësi drejt praktikës së politikës klienteliste të tilla si vota në shkëmbim të vendeve të punës apo pushtet vendimmarrës në shkëmbim të votave, gjë që sjell edhe uljen e kritereve përzgjedhëse për personat me të cilët përzjehen.
Megjithatë, maxhoranca, opozita dhe ekspertët kanë disa ide se si mund të çohet përpara përpjekja për politikë të papërzjerë me krimin.
“Nëse partitë do të kishin vullnet, çështja do zgjidhej menjëherë, por ka ndodhur e kundërta, partitë i kërkojnë dhe i promovojnë individë të tillë, i mbrojnë sa herë ata sulmohen dhe në momentin që largohen nga posti u japin imunitet politik në parti”, shton ai.
Prokuroria nën kritika
Palët politike dhe ekspertët kanë propozime të ndryshme mbi mënyrën se si mund të lëvizet përpara. Shqetësimi kryesor lidhet me funksionet dhe punën e deritanishme të Prokurorisë së Përgjithshme ku një zyrë e posaçme është krijuar për zbatimin e ligjit.
Opozita vëren se prokuroria deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë verifikim ex officio të ndonjë politikani, pra nuk ka nisur një hetim me iniciativë të vet por ka vepruar vetëm pas kallëzimeve dhe ky është në një farë mënyre një tregues i gadishmërisë për të kryer detyrën e ngarkuar me ligj.
Juristi Jordan Daci rekomandon që ligji të ndryshohet dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm duket të ketë afate të qarta për ta bërë verifikimet pasi aktualisht, në disa raste verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve të ndryshëm ka zgjatur me shumë muaj. Sipas Dacit kjo është pjesërisht pasojë e burimeve të pakta njerëzore.
“Ka një ngadalësim që vjen edhe për shkak të burimeve njerëzore të ZPP,” thotë Daci.
“Ne nuk mund të presim punë voluminoze të bërë nga 2 njerëz, ndaj duhet shtim i kapaciteteve njerëzore,” shtoi ai.
Ekspertët e shohin si absurde faktin që edhe personat që deri më sot janë gjetur si falsifikues të formularëve vetëdeklarues duke mos treguar problemet me drejtësinë, ia kanë dalë të kalojnë akuzën penale me dënime simbolike. I vetmi rast ku mosdeklarimi ka shkaktuar probleme më serioze penale është ai i ish-kryetarit të Vorës, Agim Kajmaku. Por edhe në këtë rast, ai është aktualisht në kërkim policor dhe në arrati për shkak të veprimeve të ndërmarra pas momentit të shkarkimit dhe jo për shkak të mosdeklarimit të problemeve me drejtësinë në formular.
Sipas Krasniqit “është absurd fakti se asnjë person i larguar tashmë dhe i provuar si individ që ka dhënë të dhëna të pasakta me vetëdije, nuk është as nën hetim dhe as nën përgjegjësi ligjore”.
Në këtë kuadër, Daci kërkon ndryshime edhe në Kodin Penal.
“Sot njerëzit dënohen për falsifikimin e formularit, por kjo është një vepër e përgjithshme. Ndaj gjykoj të bëhet një vepër penale më vete: falsifikim i formularit të dekriminalizimit, me qëllim që gjykatat të mos justifikohet për të dhënë dënime alternative, por të jetë shprehimisht dënim me burg”, thotë ai.
Ashpërsimi i masave ndëshkuese për personat që gënjejnë në formularin e dekriminalizimit është një ide për mënyrën se si mund të ecet përpara me qëllim që politikanët të diskurajohen nga ideja e testimit të fatit me shpresë se nuk do të zbulohen. Kjo ishte ideja e kryeministrit Edi Rama, pasi edhe një kandidat tjetër i tij u zbulua nga opozita si i dënuar për drogë në tetor 2019. Rama deklaroi se dëshiron që falsifikimi i formularit të shpallet vepër penale e dënueshme me burg ndërsa kërkoi që të krijohet mundësia e verifikimit të kandidatëve para zgjedhjeve.
Juristi Jordan Daci sugjeron se edhe administrimi në një regjistër të vetëm i praktikave gjyqësore apo të gjendjes civile për ndryshimin e gjeneraliteteve mund të ndihmojë për shmangien e fshehjes së personave të ndryshëm pas emrave të ndryshuar ndërsa dixhitalizimi i arkivës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe shërbimit të provës do të mundësojë një kontroll më të shpejtë dhe efikas të gjendjes penale.
Sytë tani janë drejtuar nga prokurori i ri i përgjithshëm Olsian Çela, i cili është nga të paktit zyrtarë të sistemit të Drejtësisë pas reformës, zgjedhja e të cilit në këtë post u përshëndet edhe nga Partia Demokratike në opozitë.
Pyetur nga BIRN, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se mikpret çdo sugjerim se si mund të përmirësohet puna ndërsa drejtorja e kabinetit, Pranvera Pustina tha se “po punohet me rigorozitet për të garantuar një verifikim të plotë e të saktë të çdo rasti të konstatuar apo përcjellë për verifikim të thelluar”.
Suksesi i pjesshëm i dekriminalizimit në luftën për pastrimin e politikës