Me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), Instituti i Studimeve Politike (ISP) implementoi projektin “Promovimi dhe llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur” në harkun kohor shtator 2021 – shtator 2023. Jetësimi i projektit ishte në vijim të angazhimit të ISP me të njëjtën tematikë dhe të njëjtën mbështetje (NED) përgjatë viteve 2020-2021 dhe pas një përvoje të gjatë të ISP në monitorimin e dekriminalizimit në Shqipëri. Procesi i dekriminalizimit nisi në vitin 2015 me synimin për të larguar nga politika brenda një kohe të shkurtër individët me rekorde kriminale, si dhe për të krijuar standarde për integritetin për individët që duan të kenë poste politike dhe publike. Projekti tregoi se megjithëse kanë kaluar vite, debati mbi dekriminalizimin dhe integritetin në politikë vijoi të ishte dominues dhe se ende nuk ka përfunduar ndarja e qartë e politikës vendimmarrëse nga individët me rekorde dhe lidhje informale. Gjetjet e këtij raporti ofrojnë më shumë të dhëna dhe orientojnë problematikat.
Gjatë periudhës së zbatimit të projektit në Shqipëri kishte zhvillime intensive politike. Tipar pozitiv është zhvillimi i politikës dhe jetës institucionale në institucione, pra nuk pati bojkote politike dhe as protesta, as në parlament dhe as në institucionet kryesore me përfaqësim direkt ose indirekt politik.
- Në shtator 2021 u konstituua legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Në qershor 2022 Kuvendi zgjodhi Presidentin e Republikës me shumicë të thjeshtë në raundin e katër të votimit. Në këtë interval kohor u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022 dhe zgjedhjet e rregullta vendore të majit 2023.
Zhvillime të rëndësishme, kryesisht pozitive, ndodhën edhe në jetën institucionale të vendit, kryesisht në sistemin e drejtësisë. Institucionet e reja të drejtësisë arritën të plotësojnë shumicën e anëtarëve të tyre dhe të marrin vendime në kushtet e normalitetit në përbërje dhe në mbështetje administrative dhe teknike.
Shqipëria miratoi në vitin 2015 ligjin nr.138 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit. Ligji u votua në Kuvend nën presionin e faktorit ndërkombëtar si nevojë urgjente për ndarjen e politikës nga individët me rekorde kriminale dhe korruptive, demokratizimin e partive politike dhe pastrimin e institucioneve shtetërore përfaqësuese dhe kushtetuese nga njerëzit me të shkuar kriminale.
- Në tërësi vlen të theksohet se, kur kanë kaluar tetë vite nga miratimi i ligjit, dhjetëra deputetë, kryetarë bashkie, si dhe një numër i lartë këshilltarësh vendorë dhe funksionarë të lartë të administratës publike kanë rënë në rrjetën e dekriminalizimit. Nën trysninë e ligjit dhe opinionit publik, partitë politike janë detyruar të miratojnë akte rregullatore, si kode etike dhe integriteti, për t’iu përgjigjur sfidës së dekriminalizimit dhe parandalimit të promovimit në poste politike dhe publike të personave me të shkuar kriminale.
- Megjithatë, përdorimi i ligjit për qëllime dhe akuza politike, mungesa e interpretimit integral dhe përdorimi i hapësirave ligjore dhe klauzolave penguese, ka krijuar probleme të mëdha në zbatimin efektiv dhe në kohë të ligjit, duke lejuar përfshirjen e individëve me rekorde kriminale dhe korruptive në nivele të larta të vendimmarrjes, përfshirë parlamentin, ekzekutivin, sistemin e drejtësisë dhe administratën publike. Partitë politike nuk e kanë zbatuar frymën e ligjit, nuk bëjnë verifikime të thelluara paraprake të kandidatëve për poste politike dhe publike, kanë mbështetur ose promovuar në poste të larta partiake dhe publike persona me të shkuar kriminale dhe korruptive.
- Kodet e etikës dhe integritetit, mekanizmat statutorë, si komisionet statutore të etikës dhe integriteti, kanë mbetur në kuadrin e mekanizmave formal, pa efekt në pastrimin e partive nga individët me rekorde kriminale dhe korruptive. Ndërkohë që funksionarë të lartë të partive politike, deputetë dhe krye bashkiakë ranë në rrjetën e dekriminalizimit, partitë nuk u distancuan nga këto individë. Përkundrazi ato u bënë pjesë e fushatave elektorale në vitin 2021, në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022, dhe në zgjedhjet e fundit vendore në maj 2023. Në disa raste, persona të rrethit familjar të individëve të botës së krimit u promovuan në funksione politike dhe publike, duke ndikuar ndjeshëm në rezultatin dhe standardin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ndikimi i tyre informal në politikë, në qeverisjen qendrore dhe vendore mbetet i lartë.
- Institucionet shtetërore qendrore dhe vendore vijuan të tregojnë mungesë transparence dhe llogaridhënieje duke mos bërë publike formularët e dekriminalizimit për të zgjedhurit ose të emëruarit në detyra publike. Strukturat e dekriminalizimit në Prokurori dhe KQZ janë ende larg funksionit për ta udhëhequr këtë proces. Shqipëria nuk ka një bazë të dhënash të konsoliduar të shtetasve shqiptarë të dënuar në vendet e BE apo vende të tjera. Ndërsa vonesat burokratike në përgjigjen e letër porosive të Prokurorisë nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të treta e kanë bërë verifikimin e thelluar të kandidatëve apo funksionarëve të lartë publikë të ngadaltë dhe për rrjedhojë joefektiv.
- Partitë politike, institucionet përfaqësuese dhe kushtetuese nuk kanë krijuar mekanizma dhe praktika të mira për të penguar depërtimin e individëve të përcaktuar non grata për korrupsion dhe përfshirje në krimin e organizuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, të vetmet vende që aktualisht zbatojnë një politikë të tillë kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri.
- Kështu, megjithëse miratimi i ligjit të dekriminalizimit ka krijuar pasoja pozitive në largimin e personave të inkriminuar nga funksionet publike në të gjitha nivelet, duke filluar nga Kuvendi, Bashkitë, dhe administrata publike, jetësimi integral i ligjit të dekriminalizimit mbetet sfidë për aktorët politikë, institucionalë dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri. Individë me rekorde kriminale dhe korruptive, që humbën mandatet nga ligji i dekriminalizimit vijuan të ndikojnë në vendimmarrjen politike nëpërmjet kanaleve informale dhe promovimit të familjarëve të tyre në politikë dhe poste publike. Në të njëjtën mënyrë, personat me ngarkesa korruptive, të përcaktuar non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe nuk janë larguar nga politika, por ushtrojnë ndikim të madh në jetën publike dhe qeverisjen e vendit.
Ky raport përmbledh aktivitetet, gjetjet kryesore, rekomandimet dhe problematikat në jetësimin e parimeve të dekriminalizimit dhe standardet e integritetit në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve publikë. Rekomandimet do t’u adresohen institucioneve shtetërore kushtetuese dhe përfaqësuese, aktorëve politikë dhe institucionalë përgjegjës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe respektimin e standardeve të integritetit të zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar.
ISP falënderon për mbështetjen stafin e NED për projektet në Shqipëri, organizatat e shoqërisë civile, median, institucionet përgjegjëse dhe stafin teknik që mundësoi monitorimin dhe zbatimin e të gjithë elementëve të tjerë të projektit.
Raporti i plote mund te lexohet & shkarkohet ketu (albanian)
ISP – Dekriminalizimi dhe integriteti 2021-2023
Permbledhje me gjetje, konkluzione dhe rekomandime (english)