Për të pasur panoramë të plotë të gjendjes dhe ligjërimit politik e publik mbi këto tematika nuk mjafton vetëm analiza e qëndrimeve të partive politike dhe politikanëve të veçantë, por edhe monitorim i raportimeve në mediat kryesore, trendet e raportimit dhe vendi që zënë lajme të tilla në hierarkinë e lajmeve ditore politike.
Stafi i Instituti i Studimeve Politike (ISP) kreu monitorimin e ligjërimit politik të reflektuar në raportimet e medias gjatë periudhës janar – mars 2022, si pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
Monitorimi u shtri në të gjitha mediat kryesore televizive (TCH, Klan TV, Vizion Plus, News 24, Ora News, A2, Abcnews, etj), kryesisht në qëndrimet editoriale dhe në lajmet kryesore të ditës. Gjithashtu u monitoruan portalet kryesore, si dhe mediat e shkruara Panorama, Gazeta Shqiptare, Shekulli dhe Dita.
Synimi i monitorimit nuk ishte vetëm për të krijuar database me të dhëna, por edhe për të parë trendet e raportimit, tiparet kryesore të tyre dhe përputhshmëria e tyre me ligjërimin politik e publik të përdorur nga politikanët dhe drejtuesit e lartë të institucioneve, nga partitë politike dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë.
GJETJET KRYESORE TË MONITORIMIT
- Temat e hetimeve të zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar, dënimi në disa raste i tyre, dekriminalizimi, integriteti në politikë, politikanët non grata dhe akuzat për lidhje të politikës me krimin apo të përfshirjes në korrupsion, kanë qenë temat dominuese të raportimeve mediatike mbi zhvillimet politike në periudhën janar-mars 2022. Skandali i inceneratorëve, hetimi dhe dënimi i zyrtarëve shtetëror të lidhur me të, ‘’beteja’’ legaliste për të legjitimuar drejtimin zyrtar të PD si dhe zgjatja e afateve të Vettingut ishin kryetema e tre muajve të fundit.
- Hetimet dhe dënimet në skenën politike treguan se ndonëse dekriminalizimi dhe integriteti në politikë kanë qenë kryetarë në 5-6 vitet e fundit, de facto partitë kishin evituar debatet reale dhe aplikimin e standardeve të dekriminalizimit dhe të integritetit në strukturat e tyre drejtuese.
- Zhvillimet treguan gjithashtu se pjekura e drejtësisë është maturuar akoma më tepër se viti i kaluar, duke mos hezituar të hetojë mbi çdo rast të dyshuar si edhe duke dënuar personat që u janë faktuar shkeljet ligjore si rasti i Vodës, Tahirit, Gellçi etj. Kjo solli si shkak pasojë një besim më të madh në punën e organeve të drejtësisë në vend ku u vendos të zgjateshin edhe afatet e zyrtarëve të vettingut.
- Zhvillimet e tre muajve të fundit treguan gjithashtu një besim më të madh të opozitës përkundrejt SPAK e cila rriti deponimet e saj tek kjo strukturë të politikanëve të korruptuar, duke e shndërruar kështu SPAK edhe në një formë arene luftarake politike.
- Një gjetje tjetër e rëndësishme është se media dhe ligjërimi politik e publik morën të mirëqenë çdo raportim apo sinjal për të dhëna korruptive të ndonjë politikani, pa hyrë në verifikime paraprake të saktësisë të të dhënave, duke treguar se media e politika më shumë u kujdesën të “ushqejnë publikun” me akuza ndaj politikanëve të kundërt, sesa për të respektuar parimet etike të informimit dhe parimet etike të komunikimit politik dhe publik.
- Një tipar tjetër i dukshëm i retorikës politike dhe publike, dhe bashkë me to, edhe i raportimeve mediatike, ishte tendenca e zyrtarëve përgjegjës në qeverisje për ta përdorur dekriminalizimin dhe nevojën e integritetit në politikë si mjet politik për të denigruar dhe atakuar rivalët politikë, gjë që në çdo rast krijon paqartësi në publik, sjell politizim të debatit dhe pamundëson shanset për një hetim serioz të fakteve, të dhënave dhe përgjegjësive të të akuzuarve apo të akuzuesve.