Procesi i fuqizimit të transparencës dhe llogaridhënies përbën elementet bazë të një qeverie të përgjegjshme. Prej kohësh Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë pjesë e procesit të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare. Përmendim këtu procesin e Vettingut dhe ngritjen e Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK. Me ekspertët e tyre dhe financimet e shumta, faktori ndërkombëtar ka qenë prezent në largimin e disa figurave të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Por duket se i njëjti fenomen nuk po ndodh në skenën e partive politike shqiptare. Largimi i figurave politike të lidhura me krimin e organizuar mbetet një sfidë e fortë për shtetin, partite dhe faktorin ndërkombëtar.
Për disa figura politike në vend, në nivel lokal, institucionet kompetente shqiptare, si KQZ, kanë hezituar largimin nga politika të personave të inkriminuar.
I miratuar në vitin 2015, ligji i dekriminalizimit erdhi si nevojë e pastrimit të politikës shqiptare nga personat me rekorde kriminale, por shtatë vjet më pas, shumica e ekspertëve e shohin me dyshim suksesin e tij në vetëpastrimin e partive politike – çka synohej të ishte edhe qëllimi kryesor afatgjatë i këtij ligji.
Stafi i Instituti i Studimeve Politike (ISP) kreu monitorimin e ligjërimit politik të reflektuar në raportimet e medias gjatë periudhës Tetor -Janar 2022, si pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
Raporti monitorues mund te gjendet ketu:
ISP- Raport monitorimi – Ligjërimi publik mbi dekriminalizimin dhe integritetin tetor 2022-janar2023