Sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Kurse sipas pikës 4 të po këtij neni: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”. Në këtë dispozitë është përcaktuar Kuvendi si subjekt i posaçëm që vë në lëvizje gjykimin kushtetues, si dhe subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim (Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij). Përmbajtja e nenit 70/4 të Kushtetutës reflektohet edhe në nenin 66/3 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit kërkesa për papajtueshmëri mund të paraqitet në Gjykatë nga Kuvendi për sa kohë vazhdon mandati i deputetit. Vendimmarrja e Kuvendit, në kuptim të nenit 70/4 të Kushtetutës, është në funksion të legjitimimit të këtij subjekti për inicimin e gjykimit kushtetues për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (shih vendimin nr.29, datë 30.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese)….
Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese. Një përfundim i tillë gjen mbështetje edhe në jurisprudencën e kësaj Gjykate, e cila ka theksuar edhe më parë se është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Parlamentit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën (shih vendimet nr.29, datë 30.06.2011; nr.44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
Vendimi i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu: