Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 45 pika 3 ka parashikuar se: “Përjashtohen nga e drejta për tu zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tre të pestat e gjithë anëtarëve të Kuvendit.” Në zbatim të këtij parashikimi kushtetues, është miratuar ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në nenin 2 pika 1 të të cilit parashikohet se: “1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale përkatëse.
Paditësi Dhionisios Alfred Beleri rezulton se është dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 266 e 268 të Kodit Penal, vepra këto që nuk përfshihen në veprat e parashikuara nga germat (a) e (b) të dispozitës së sipërpërmendur, por në kushtet kur është dënuar me tre vjet burgim, referuar parashikimeve të germës (c) paditësi përfshihet në kategorinë e personave ndaj të cilit vepron ndalimi i parashikuar nga kjo dispozitë. Lidhur me periudhën gjatë të cilës shtrin efektet ndalimi i mësipërm në nenin 4 të ligjit nr. 138/2015 është parashikuar se: “3. Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.”
Në këto rrethana të parashikimeve të ligjit, paditësit i kufizohet e drejta për tu zgjedhur për një periudhë 10 vjeçare, afat ky që sipas parashikimeve të ligjit duhet të fillojë nga momenti i përfundimit të dënimit me burgim. Nisur nga ky parashikim, pala paditëse, në kushtet kur paditësi nuk e ka vuajtur dënimin me burgim deri sa është parashkruar, ka vlerësuar të pabazuar vlerësimin e palës së paditur se afati 10 vjeçar fillon të llogaritet në datën 19.07.2006, por pa dhënë një arsyetim të bazuar se kur duhet të fillojë të llogaritet ky afat.
Kolegji vlerëson se pretendimi i palës paditëse është tërësisht i pabazuar në rrethanat e faktit e të ligjit të cituara më sipër në vendim. Parashikimi i mësipërm ligjor ka lidhur fillimin e afatit 10 vjeçar me momentin e përfundimit të dënimit me burgim. Në këto rrethana Kolegji vlerëson të theksojë se përfundimi i dënimit me burgim nuk mund të shihet i lidhur vetëm me përfundimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, por edhe me çdo institut tjetër të së drejtës penale që passjell pamundësinë e ekzekutimit të dënimit me burgim të dhënë me vendim penal të formës së prerë, siç mund të jetë edhe shuarja e dënimit për efekt të parashkrimit apo të faljes, apo amnistia, etj. Në rastin kur dënimi me burgim nuk është bërë e mundur të ekzekutohet brenda afatit të parashkrimit të përcaktuar nga neni 68 i Kodit Penal, me kalimin e këtij afati dënimi me burgim konsiderohet i parashkruar e për nga pasojat që sjell parashkrimi dënimi quhet i përfunduar, në kuptimin që nuk mund të ekzekutohet më.
Mbi arsyetimin e mësipërm, Kolegji Zgjedhor vlerëson se në pretendimet e parashtruara nga pala paditëse me padinë në gjykim nuk rezulton të konstatohen shkaqe që të bëjnë të cenueshme vendimin nr. 516 datë 17.05.2019 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për pasojë pretendimi i palës paditëse lidhur me paligjshmërinë e vendimmarrjes së palës së paditur për shkak të mosrespektimit të parashikimeve të ligjit nr. 138/2015, rezulton të jetë i pabazuar.
Vendimi i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu: