Zgjedhjet lokale të 14 majit janë dhe një këmbanë alarmi për mungesën e integritetit zgjedhor që varion nga zgjedhja e kandidatëve problematikë te çështja e financimeve okulte dhe me shpenzime të padokumentuara të partive politike. Këto zgjedhje do të përcaktojnë 61 kryetarë të rinj të bashkive dhe rreth 6000 këshilltarë për katër vitet e ardhshme. Integriteti është një faktor i rëndësishëm si për pjesëmarrjen e partive politike, kandidatëve, grupeve të interesit dhe votuesve. Në lidhje me numrin minimal të bashkiakëve dhe kryetarëve që raportohet të kenë lënë zyrën për shkak të ligjit të dekriminalizimit është rreth 100 ndërkohë që numri i atyre që rezultojnë problematike është rreth 600 (https://www.reporter.al/2020/02/03/suksesi-i-pjesshem-i-dekriminalizimit-ne-luften-per-pastrimin-e-politikes/) Në këto shifra të raportuara janë vetëm ata në detyrë si kryebashkiakë apo këshilltarë bashkiakë me probleme por edhe ata qe nuk janë lejuar të kandidojnë. Gjithsesi raportet tregojnë që bilanci është goxha i pakënaqshëm se raporti është 1 me 6, pra vetëm 1/6 janë prekur nga ky ligj. Ndërkohë mungojnë të dhënat zyrtare nga KQZ dhe organet e tjera ligjzbatuese.
Kandidatët për deputetë në legjislaturën kombëtare ose kandidatët për kryetarë bashkie ose këshilltarë bashkie në zgjedhjet vendore kanë përgjegjësinë ligjore të deklarojnë shkeljet e tyre në të kaluarën (nëse ka) sipas ligjit të Dekriminalizimit nr. 138/2015. Sipas këtij ligji, personat që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë (vendim të formës së prerë) nuk mund të kandidohen dhe duhet të pengohen për ta bërë këtë. Për funksionarë të tjerë publikë, si zëvendësministra, gjyqtarë ose prokurorë, prefektë, persona me grada diplomatike, personel ushtarak ose policor, gjithashtu nuk mund të emërohen nëse kanë një vendim jo përfundimtar të nxjerrë nga ndonjë shtet anëtar i BE-së, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Australi ose Kanada. Procesi i dekriminalizimit është i nevojshëm për të filtruar personelin e kriminalizuar nga parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera publike. Është një vetting i fortë që forcon shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike të një vendi.
Shqipëria ka parë progres të pjesshëm në zbatimin e duhur të procesit të vetingut sipas Ligjit të Dekriminalizimit. Ndërkohë që ka pasur sukses relativisht të lartë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në raundet e fundit të zgjedhjeve parlamentare, ka pasur sukses më të kufizuar në parandalimin e kandidatëve për kryetarë bashkie apo këshilltarë bashkiakë që kanë pasur një të kaluar të kriminalizuar. Nga ana tjetër, ka pasur sukses të përzier me vettingun në polici dhe administratën publike. Një pengesë e madhe ka qenë zbatimi i ngadaltë dhe bashkërendimi i organeve ligjzbatuese së bashku me zyrat e vettingut.
Integriteti gjithashtu ka rëndësi për administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Administrimi i paanshëm, garanton proces të drejtë dhe rezultate të pranueshme. Nga ana tjetër, këto rezultate pranohen nga të gjitha palët. Për më tepër, kjo çon në zgjedhje të pakontestueshme dhe ndërton besimin te demokracia. Demokracia mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet rotacionit paqësor të pushtetit që garantohet nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Integriteti megjithatë është pjesë e brendshme e parimeve të një demokracie dhe është pjesë integrale e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe konkurruese janë baza për një formë të përfaqësimit të qeverisë. Pa integritet, nuk ka asnjë garanci që vullneti i votuesve do të pasqyrohet në rezultatet e zgjedhjeve. Zgjedhjet pa integritet e mposhtin qëllimin e zgjedhjeve demokratike dhe nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme.
Integriteti është kodi etik i sjelljes, si dhe sistemi i mekanizmave që përdoren për të mbrojtur drejtësinë dhe vitalitetin e procesit. Integriteti zgjedhor kërkon ndër të tjera: një kod të pranuar gjerësisht të sjelljes etike në politikë dhe një kuadër elektoral që është i barabartë dhe i drejtë. Për të pasur integritet zgjedhor, duhet të kemi zgjedhje të drejta, transparente dhe të paanshme. Gjithashtu liria politike për të marrë pjesë lirisht dhe në mënyrë të barabartë, në një atmosferë pa frikë. Ai gjithashtu kërkon llogaridhënie të të gjithë pjesëmarrësve dhe mekanizma të integruar, duke përfshirë monitorimin nga shoqëria civile dhe mediat e lira, për të mbrojtur integritetin dhe për të siguruar llogaridhënien. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, zbatimi i suksesshëm i një mekanizmi të tillë.
Kuptimi i “interesit publik” është gjithnjë në zhvillim dhe nganjëherë debatohet ashpër. Ajo që është e qartë, është se integriteti politik është i mundur vetëm kur ekzistojnë masa mbrojtëse gjatë gjithë procesit politik, të cilat janë: (1) procesi për të zgjedhur, emëruar ose përzgjedhur ata që mbajnë pushtetin është i lirë nga ndikimi i panevojshëm i interesave personale; (2) të gjithë aktorët të kenë mundësi gjithëpërfshirëse, të hapura dhe domethënëse për të ndikuar në mënyrë të barabartë në vendimmarrje; (3) vendimet politike dhe mbajtësit e pushtetit janë subjekt i kontrollit nga publiku dhe institucional dhe përballen me pasoja për përdorimin e pushtetit për përfitime private; (4) ndikimi i pazbuluar, i pakontrolluar ose i panevojshëm mbi pushtetin ben devijimin e burimeve dhe politikat nga e mira e përbashkët. Ajo perpetuon pabarazinë, minon demokracinë dhe privon njerëzit nga të drejtat e tyre njerëzore.
Në këtë këndvështrim mund të themi që në Shqipëri ne vuajmë nga mosplotësimi i të katër këtyre dimensioneve. Përdorimi i zyrave publike për të fuqizuar interesat private, ndikimi politik për të favorizuar interesat personale, devijimi i të mirave publike apo vendimet politike në favor të grupeve të ngushta politike, janë tipare të hasura dhe përmendura shpesh në indekset nderkombëtare dhe studimet me fokus Shqipërinë. Rikthimi në ligjërimin publik i këtyre temave, analiza kritike dhe sintetike dhe ndryshimet legjislative si dhe implementimi me sukses i tyre janë parakushte për të rritur si integritetin zgjedhor, përfunduar me sukses procesin e dekriminalizimit dhe rritur besimin e publikut në një politikë të pastër.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).