Fushata zgjedhore që nisi në 14 Prill përpara votimeve për qeverisjen lokale, është karakterizuar nga një temperaturë e vakët, pa garë të vërtetë mes kandidatëve dhe e përqendruar kryesisht tek udhëheqësit e partive politike.
Rreth 40 parti politike dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie, përfshirë dy kandidatë të pavarur, po konkurrojnë për 61 poste për kryetar bashkie.
Ky proces zgjedhor, si çdo proces i kaluar në të paktën 10 vitet e fundit, po mbahet në një situatë konflikti politik. Pavarësisht deklaratave publike për fushatë zgjedhore pozitive, edhe kjo fushatë po karakterizohet nga komente negative mes kandidatëve. Ajo që ka ndryshuar nga zgjedhjet e kaluara vendore është mungesa e vëmendjes tek kandidatët dhe propagandimi i zgjedhjeve si një “zgjatim” i pushtetit qendror.
“Zhdukja” e kandidatëve
Ndonëse qytetarët do të votojnë për kryetarin e Bashkisë për 4 vitet e ardhshme, fushata dhe mesazhet politike të përdorura, kryesisht nga partia në pushtet, i ngjajnë asaj të zgjedhjeve të përgjithshme, me fokus jo tek kandidatët por tek kryetari i partisë.
Ajo që ra në sy me nisjen e fushatës elektorale ishte përhapja e posterave, reklamave dhe materialeve të tjera propagandistike ku shfaqej kryetarin i partisë garuese, dhe jo kandidati për kryetar bashkie. Kjo u vu re edhe në Tiranë, bashkia më e madhe e vendit, ku Partia Socialiste zgjodhi të përdorë imazhin e kryetarit të partisë, Edi Rama dhe jo kandidatin për kryetar Bashkie, Erion Veliaj. Vetëm pas javës së tretë të fushatës, qytetarët e Tiranës panë fytyrën e kandidatit për kryetar Bashkie të Partisë Socialiste, Erion Veliaj në posterin elektoral të qytetit. Edhe në këtë rast ai u shfaq krah për krah, me hapësirë të barabartë, me kryeministrin Rama.
https://fb.ëatch/kh4E0i3lXf/?mibextid=v7YzmG
Zhdukja e kandidatit për kryetar bashkie duket edhe në faqen zyrtare të Partisë Socialiste, apo profilit të saj në rrjetin social facebook. Të dyja këto hapësira janë dominuar nga publikime që vënë përballë kryeministrin Rama me kundërshtarët e tij politikë, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
*pamje e faqes në rrjetin social facebook të Partisë Socialiste në datë 2 maj
Spotet elektorale të Partisë Socialiste bënë të njëjtën gjë. Në to, zgjedhja e shqiptarëve nuk ndahet mes kandidatëve të çdo bashkie, por mes Partisë Socialiste dhe koalicionit Bashkë Fitojmë, apo veçanërisht Edi Ramës në njërën anë dhe Sali Berishës dhe Ilir Metës në anën tjetër.
https://www.youtube.com/ëatch?v=dPLOyEUW-9c&ab_channel=PartiaSocialisteeShqip%C3%ABris%C3%AB
Vendosja e theksit tek kryetari i partisë dhe jo kandidatët që kjo parti ka propozuar për kryetar bashkie në qytetet e vendit, vihet re edhe tek publikimet e kësaj force politike. Thëniet e kryeministrit Rama gjatë takimeve elektorale në çdo bashki, publikohen krah imazhit të tij, të stilizuara me një dizajn me ngjyrat e partisë.
Videot e takimeve elektorale ngarkohen në kanalin YouTube të kryeministrit Rama, jo atë të Partisë Socialiste, e cila ka mbyllur kanalin e vjetër në YouTube dhe ka hapur një të ri në datën 29 Mars 2023.
Edhe propaganda e përdorur nga Partia Socialiste e vërteton këtë veçori. Kënga e fushatës së Partisë Socialiste dhe videoja që e shoqëron atë synon t’i përgjigjet akuzave që i drejtohen qeverisë, siç është emigracioni i të rinjve.
Kjo “fshirje e kandidatit” nuk ndodhi me kandidatin e opozitës të koalicionit Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi, fushata elektorale e të cilit u ndërtua rreth figurës së tij.
“Kasetat e gatshme” dhe media
Prej vitesh partitë politike përgatisin dhe shpërndajnë për mediat pamje dhe deklarata të gatshme të politikanëve në takime elektorale, pa i dhënë gazetarëve mundësinë që të ndjekin nga afër takimet në bashki të ndryshme.
Kjo praktikë është kthyer në zakon. Madje, një nga rekomandimet e përsëritura të OSBE ODIHR lidhet pikërisht me dhënien e mundësisë për mediat që të ndjekin takimet elektorale të kandidatëve.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, e theu këtë traditë duke ftuar mediat të jenë pjesëmarrëse në disa prej takimeve të tij elektorale.
Kodi Zgjedhor parashikon se kur media për arsye objektive nuk ka mundësi të ndjekë veprimtaritë zgjedhore, ajo lejohet të shfrytëzojë përzgjedhjen filmike që ka servirur subjekti zgjedhor. Por këtë duhet ta bëjë duke shënuar se “materiali filmik është servirur nga subjekti…”. Kjo nuk ndodh.
Njoftimi i pamjeve filmike të gatshme nuk shënohet nga mediat, edhe pse pjesa më e madhe e tyre përdorin materialet e gatshme që partitë politike u dërgojnë në email. Shpesh herë, këto pamje filmike janë të montuara, duke mos lejuar gazetarin të dëgjojë të gjithë fjalimin e kandidatit në takimin elektoral.
Kjo mënyrë pamundëson mbulimin e plotë të ngjarjeve nga gazetarët e interesuar dhe lejon partitë politike të publikojnë në media përzgjedhjen e vetë partisë.
Praktika e ndjekur nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Tiranë për të ftuar mediat në takime elektorale është në përmbushje të rekomandimit të OSBE-ODIHR dhe Kodit Zgjedhor.
Dy parti, një listë për këshill bashkiak
Një tjetër veçori e fushatës elektorale 2023, është se për herë të parë dy parti të mëdha kanë një listë të përbashkët të këshilltarëve bashkiakë.
Situata e krijuar në Partinë Demokratike, detyroi ish-kryetarin e partisë Sali Berisha të regjistrojë kandidatët e tij përmes koalicionit Bashkë Fitojmë, që përbëhet nga Partia e Lirisë, Partinë Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Pjesë e marrëveshjes mes Sali Berishës i cili zgjodhi kandidatët për kryetarë bashkie të këtij koalicioni dhe Ilir Metës, kryetarit të Partisë së Lirisë, ishte ndarja e listës së këshilltarëve politikë.
Për këtë arsye, kandidati për kryetar i Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi, po bën fushatë në kryeqytet duke kërkuar votën për ekipin e tij të qeverisjes vendore, që përbëhet nga anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët ndjekin Sali Berishën, si dhe anëtarë të Partisë së Lirisë, ish Lëvizja Socialiste për Integrim.
Mungesa e debatit
Debati politik mes palëve garuese në zgjedhje nuk është në traditën e klasës politike shqiptare. Debati i parë dhe i vetëm që ka ndodhur në Shqipëri mes kandidatëve politikë që garojnë kundër njëri tjetrit, është ai mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos në vitin 2002. Nga ai moment, kandidatët janë mjaftuar me deklaratat dhe takimet e tyre elektorale, duke zgjedhur të mos debatojnë përballë njëri tjetrit në forume mediatike.
Pavarësisht kësaj, gjatë fushatave zgjedhore, qytetarët mund të dëgjonin debate mes përfaqësuesve të lartë të partive politike apo koalicioneve garuese në media. Në fushatën elektorale që ka nisur prej datës 14 Prill, kjo është bërë e pamundur.
Partia në pushtet, siç e deklaroi edhe kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka marrë vendim politik që të refuzojë debatin me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Sikur të mos mjaftonin “tekat” e përfaqësuesve politikë lidhur me panelin e zgjedhur nga emisioni televiziv, një praktikë që vijon prej vitesh tashmë, në këtë fushatë zgjedhore është pamundësuar debate mes dy subjekteve kryesore garuese në garë.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” e ka ftuar disa herë në debat publik kandidatin socialist për Tiranën, Erion Veliaj, i cili njoftoi se ky është vendim i Partisë Socialiste për të mos u përballur me asnjë kandidat të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Kjo edhe pse, sipas një sondazhi të televizionit Euronews Albania, Barometri, thuajse tre në katër qytetarë (69.9%) kërkojnë të shohin debat publik mes kandidatëve. Ironikisht, sipas këtij sondazhi, janë më të shumtë votuesit e majtë që duan të shohin debat mes kandidatëve (76.1%) sesa votuesit e djathtë (71.8%).
Mungesa e debatit politik u theksua edhe nga nisja e podcasteve, një nga kryeministri Edi Rama dhe një tjetër nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Përmbyllje
Zgjedhjet e 14 majit po karakterizohen nga një larmi e strategjive për fushata elektorale, që dallojnë shumë nga njëra parti në tjetrën.
Partia në pushtet zgjodhi të njehsojë kandidatët me kryetarin e partisë, duke kërkuar votën përmes këtij të fundit. Në anën tjetër, fushata e kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” është përqendruar tek vetë kandidati, i cili kërkon të tregojë ndryshimin mes tij dhe politikës së vjetër, përmes hapjes për media dhe ftesave të vazhdueshme për debat publik.
Ka edhe kandidatë nga parti të tjera, të vjetra apo të reja, fushata elektorale e të cilëve edhe pse nuk krahasohet në përmasa dhe shpenzime me atë të dy subjekteve kryesore garuese, mund të krahasohet në ide dhe programe elektorale. I tillë është rasti i Lëvizjes Bashkë, që po kandidon në Bashkinë e Tiranës, me një program publik dhe fushatë “derë më derë”.
Ajo që vihet re tek qytetarët, pavarësisht faktit se ka disa alternativa që vijnë nga parti apo koalicione të ndryshme, është pritshmëria se zgjedhjet do të fitohen nga kandidatët e Partisë Socialiste, apo koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Mungesa e besimit tek fitorja e kandidatëve që vijnë nga parti të reja apo të vogla, thekson fenomenin e iluzionit të zgjedhjes në proceset elektorale në Shqipëri.
Iluzioni i zgjedhjes është një paragjykim kognitiv që i bën njerëzit të besojnë se kanë më shumë kontroll mbi jetën e tyre sesa kanë në të vërtetë, praktikë që përdoret në marketing për t’i bërë njerëzit të ndihen sikur janë në kontroll të vendimeve të tyre të blerjes. Edhe kjo fushatë elektorale, në pamje të pare ofron shumë zgjedhje për qytetarët.
A sjell më shumë demokratizim, informacion apo përfaqësim kjo larmishmëri zgjedhjesh? Fakti është se pabarazia në garë e subjekteve politike, më shumë sesa larmishmëri në zgjedhje, krijon iluzionin e zgjedhjes.
Fushata elektorale e 14 majit 2023 solli kryesisht veçori që nuk e demokratizuan procesin në tërësi, pavarësisht numrit të lartë të kandidatëve, formave të ndryshme të fushatave elektorale apo mediumeve ku ato kryhen.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).