Njësia e dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka regjistruar procedimin hetimor për Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Burime zyrtare pranë prokurorisë thanë se ka nisur verifikimi për figurën e tij.
Procedimi u regjistrua pas mbërritjes së materialeve nga Partia Demokratike, e cila pretendon se Ismailaj është dënuar nga gjykata greke, dënim të cilin nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar në mungesë, me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000, për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje dhe nuk e ka vuajtur dënimin.
Prokuroria tha se njësia e dekriminalizimit do të nisë procedurat për letër-porosi drejtuar shtetit grek si dhe informacion nga autoritet vendore në lidhje me këtë fakt.