Partitë bëjnë betime solemne, por sa i mbajnë ato? Kodi Zgjedhor ka futur nocionin abstrakt të deklarimit solemn nga kryetarët e partive, një akt që siç tregoi 25 prilli, nuk ka vlerë praktike dhe nuk sjell efekt në standardet elektorale dhe sjelljen e vetë partive politike në fushatë.
Parimi i politikës së pastër dhe zyrtarëve me integritet ka të bëjë edhe me integritetin e subjekteve zgjedhore dhe të fushatës elektorale. Kodi Zgjedhor detyron partitë të deklarojnë solemnisht refuzimin për praktikat abuzive, shitblerjen e votës apo financimet kriminale. Në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 subjektet politike nuk e mbajtën premtimin, ndaj pas zgjedhjeve pati raporte kritike dhe kontestime. Mbështetja nga individë me rekorde kriminale vijoi, përfshirë shitblerja e votave në zona të caktuara, si dhe përfshirja në fushatë e individëve të larguar nga dekriminalizimi.
Të dhënat e ISP tregojnë se asnjë nga subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nuk kanë krijuar ende mekanizëm transparent të burimeve të financimit elektoral, të integritetit të përfaqësuesve të strukturat e administrimit zgjedhor dhe as të evitimit të financimeve informale. Asnjë palë ende nuk ka bërë distancime nga individët me rekorde kriminale apo me burime informale financimi.
Zgjidhja? Partitë kanë detyrimin ligjor të zbatojnë standardet e transparencës dhe të mbajnë premtimet lidhur me solemnitetin e deklarimit duke ofruar edhe mekanizma konkretë monitorimi për jetësimin e tij. Partitë të ftojnë median e shoqërinë civile për monitorim të brendshëm të gjithë procesit.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)