Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Parti?
Kështu nis një prej poezive të Kadaresë, autori i të cilës përmes figurave letrare, pathosit e devotshmërisë ndaj PPSH e drejtuesve te saj, i gjen këto rrënjë te “shtëpia prej qerpiçi, e thjeshtë, me baltë” në të cilën u themelua Partia Komuniste më 8 Nëntor 1941.
Sot, nëse do të kërkonim rrënjët e partive moderne – pjesë e këtij sistemi të deformuar të përfaqësimit qytetar, do t’i gjenim ato në sallën prej betoni, tullash e “balte” të Kuvendit të Shqipërisë, më 29 dhjetor 2008, ditën kur u “hodhën themelet” e një sistemi të tërë zgjedhor që i shndërroi kryetarët e partive në pronarë të tyre.
Pyetja gati – gati retorike që vinte nga titulli i poezisë së Kadaresë, të bënte të mendoje se rrënjët e vërteta të partisë ishin fshehur thellë, e sado të përpiqeshe, vështirë se do të mund t’i zbuloje ato tërësisht.
Edhe në rastin e partive të pas-2008, duket disi e vështirë, por aspak e pamundur për të zbuluar rrënjët. Sepse kryetarët, në momentit e përpilimit të listave të kandidatëve, në mënyrë periodike, por me përpikmëri, kujdesen të vendosin në to njerëz që do të grumbullojnë sa më shumë vota nga qytetarët, por edhe që pasi të zgjidhen, do të valëvisin kartonin e deputetit a të anëtarit të KB siç duan kryetarët. Çdo zgjedhje, me përpikmëri, listat respektojnë barazinë gjinore, përbëhen pergjithesisht nga kandidatë me integritet e të njohur publikisht, përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit. E megjithatë me po të njëjtën përpikmëri, diku aty nga pjesa e sipërme e listës, ndodhet dikush që të gjithë e njohin, po pakkush do që të ketë të bëjë me të. Dikush që në shkollën e jetës ka mësuar shprehjen e famshme: më pyesni për gjithçka, por jo se si e bëra milionin e parë. Ndërkohë që të shumtë janë ata që habiten dhe pyesin, arsyen pse ndodhet në listë e dinë vetëm personi në fjalë dhe kryetari i partisë. E nëse do që ta zbulosh arsyen së bashku me rrënjët e partisë, mjafton të ndjekësh rrjedhën e parave të shpenzuara pa hesap, në menyrë periodike, sa herë që ka zgjedhje.
Decriminalization /diː.krɪm.ə.nə.ləˈzeɪ.ʃən/
“Dekriminalizim” është një fjalë e huazuar nga gjuha angleze, e cila edhe pse përdoret gjerësisht të paktën prej 2015, ende nuk ka nje përkufizim në fjalorin e gjuhës shqipe. Kjo ndoshta sepse kjo fjale kaq e rëndësishme për politikën shqiptare këto 8 vite, në gjuhën prej të cilës e kemi huazuar ka kuptim në mos diametralisht të kundërt, të paktën shumë më të ndryshëm nga ajo që jemi mësuar ta përdorim ne. Në anglisht, dekriminalizim është procesi i ndryshimit të ligjit, në mënyrë që diçka të mos jetë më krim (dekriminalizimi i drogave të lehta, i abortit, etj). Ndërsa ne me dekriminalizim kuptojmë “kriminalizimin” e personave “të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve”[1], duke u ndaluar zgjedhjen, emërimin apo ushtrimin e funksioneve publike, pavarësisht nëse këta persona mund ta kenë kryer tashmë dënimin për veprën e kryer, e për rrjedhojë, të mos jenë më në konflikt me ligjin. Lapsusi në emërtim nuk ishte edhe aq ogur i mirë për atë që pritej të vinte më pas, por nganjëherë punët e mira mud të bëhen edhe duke u vendosur emrin e gabuar. Ose të paktën kështu shpresonte opinioni publik.
Extremis malis, extrema remedia
E ndërsa kishte si target një grup shumë më të gjerë se sa të zgjedhurit në organet e qeverisjes qendrore e vendore, nisma e dekriminalizimit mori mbështetje të gjerë popullore sidomos për ndalimin e zgjedhjes së këtyre të fundit, pavarësisht se binte ndesh me konventa e standarde ndërkombëtare.[2] Sepse të këqijat ekstreme kërkojne zgjidhje ekstreme. Me zgjedhjet e 2013 që sollen në Kuvendin e Shqipërisë numrin më të madh të deputetëve me lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit, ligji 138/2015 ishte e vetmja zgjidhje që supozohej t’i nxirrte ata jashtë Kuvendit, e të mos i lejonte më të kandidonin. Nisma kapi “gafil” 2 deputetë të Qarkut Vlorë,[3] duke i përjashtuar nga kuvendi. E megjithatë, qysh në zgjedhjet pasardhëse, personat subjekt të ligjit të dekriminalizimit, shpeshherë financues të fushatave të partive me kryetarëve-pronarë, vendosën në lista familjarët e tyre, duke anashkaluar ligjin, për të ruajtur të pacënuar influencën e tyre në parti e në Kuvend. Sepse, siç thotë edhe fjala e urtë popullore: “ai që di të bëjë kotruve, di t’i verë edhe veshët”.
Ethet e të premtes mbrëma
Kodi Zgjedhor i vitit 2008 e shkëputi përfundimisht lidhjen mes njerëzve që duan të afirmohen në politikë me strukturat bazë të anëtarësisë të partisë, duke i dhënë rëndësi lidhjes që ata duhet të kenë me kryetarët – pronarë. Si rrjedhojë, edhe zgjedhjet e brendshme të strukturave drejtuese të partive u zhvlerësuan, duke e nxjerrë jashtë loje elementin demokratik të përfaqësimit e votimit të kandidaturës më të mirë, në kundërshtim me Ligjin për Partitë Politike.[4] Këto zgjedhje, në disa raste u shndërruan në spektakël me më shumë elementë të një talent show se sa të një gare demokratike.
E kështu, një mbrëmje qershori të 2022, 18 kandidatëve për kryetar të degës së PS në Vlorë të cilët patën kaluar fazat e mëparshme të përzgjedhjes me kritere alla talent show, ju dha nga 3 minuta kohë secilit për të shpalosur platformën për drejtimin eventual të Partisë në vitet e ardhshme.[5] E gjitha kjo përballë jurisë të përbërë nga 4 persona të deleguar nga qendra, e cila në fund vendosi për kandidatin më të mirë. Anëtarëve të partisë, të ftuar për të marrë pjesë në spektakël, nuk u mbeti veçse të duartrokisnin publikisht kryetarin e ri e të komentonin në fshehtësi përzgjedhjen e jurisë.
Ashtu si në rastin e kandidatëve për deputetë, kryetarë bashkish apo anëtarë të KB, edhe në rastin e kryetarëve të degëve lokale të partisë, që të funskionojë skema e përgjegjësisë dhe llogaridhënies vetëm ndaj kryetarit – pronar, duhet shkëputur çdo lloj lidhje e drejtpërdrejtë e votuesve apo anëtarëve të partive me kandidatët. Pasi të jetë arritur kjo, figura e pastër duhet aq sa për të kaluar dekriminalizimin, ndërsa integriteti aq sa t’i nevojitet kryetarit – pronar të partisë.
MayDay!
Dita e zgjedhjeve vendore 2023 nuk dukej aspak si ditë e zakonshme maji, me kohën e vrenjtur e shiun me baltë që binte papushim. Akoma më të zymtë e bëri këtë ditë pjesëmarrja më e ulët ndonjëherë në zgjedhje: vetëm 14% e të rinjve me të drejtë vote për herë të parë,[6] vetëm 24,7% e votuesve në Bashkinë Vlorë e vetëm 38,2% në rang vendi.
Shkëputja e plotë e anëtarësisë së partive nga strukturat drejtuese dhe e të zgjedhurve nga zgjedhësit, lënia e vendimmarrjes vetëm në dorën e kryetarit-pronar të partisë, vendosja në listë e personave me probleme integriteti apo të familjarëve të tyre pa marrë miratimin paraprak të anëtarësisë,[7] sjell humbjen e interesit të votuesve për zgjedhjet dhe për njerëzit që i përfaqësojnë. Në rastin më të mirë kjo përkthehet në pjesëmarrje tepër të ulët në zgjedhje. E në rastin më të keq, në shitblerje vote e tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve, duke prodhuar rezultate të deformuara e çudira shqiptare si Dibra – votuese e partisë së komunitetit çam, apo Shkodra – kryeqendër e Social-Demokracisë.
Që 105.000 të rinjve me të drejtë vote për herë të parë, 75% të votuesve në bashkinë Vlorë e 62% të votuesve në të gjithë Shqipërinë t’u rikthehet shpresa e besimi në procesin zgjedhor, në rradhë të parë duhet të ndryshojë sistemi i përfaqësimit brenda partive politike, e sidomos sistemi zgjedhor për organet e qeverisjes vendore e për Kuvendin e Shqipërisë, duke i shkëputur partitë nga “kthetrat” e kryetarëve-pronarë. E ndërthurur kjo me funksionimin normal të ligjit të dekriminalizimit, do të mund të sillte përfaqësues të pastër e me integritet në strukturat drejtuese të partive e në organet e qeverisjes vendore e qendrore.
Nuk mbetetet veçse të zgjedhurit të lexojnë drejt sinjalet shqetësuese të ardhura në vazhdimësi prej qytetarëve, sidomos prej më të rinjve prej tyre, e të bëjnë reformat përkatëse, duke i dhënë kuptimin e duhur demokracisë perfaqësuese.
[1] Neni 1, pika 2 e Lligjit Nr. 138/2015 PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE
[2] Neni 25, pika b) e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të Kombeve të Bashkuara: Çdo qytetar ka të drejtën dhe mundësinë, …pa kufizime të paarsyeshme: Të votojë dhe të zgjidhet në zgjedhje të vërteta periodike, të cilat do të jenë me votim të përgjithshëm dhe të barabartë dhe do të bëhen me votim të fshehtë, duke garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve.
[3] Në zgjedhjet për Kuvend të 25 Prillit 2021, Qarku Vlorë pati edhe numrin më të lartë të kandidatëve të cilët ju dërguan Prokurorisë nga KQZ për hetim të thelluar.
[4] Në nenin 7, pika a) të Ligjit Nr. 8580 të 17.2.2000 Për Partitë Politike, përmendet shprehimisht se: “Ndalohet regjistrimi i një partie në rastet kur organizimi i saj i brendshëm është në kundërshtim me parimet demokratike dhe, veçanërisht, me parimet vijuese: …zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, dhe …e drejta e çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.
[5] https://fb.watch/kQ4brpmu_C/
[6] Nga 122.000 të rinj me të drejtë vote për herë të parë, në zgjdhjet e 14 majit 2023 votuan vetëm 17 mijë, ose rreth 14% e tyre.
[7] Megjithëse koalicioni Bashkë Fitojmë zhvilloi primaret pothuajse në të gjitha bashkitë, në Bashkinë Himarë, ku kandidati vinte më probleme integriteti, i akuzuar për disa vepra penale e i dënuar për vepra të tjera, procesi i primareve nuk u zhvillua dhe kandidatura u vendos nga zyra.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).