Nga Hasan Bello
Akademikët dhe studiuesit shqiptarë krahas arritjeve dhe kontributit që japin brenda dhe jashtë vendit, nuk janë të imunizuar ndaj fenomeneve negative globale, që cenojnë dhe vendosin në diskutim integritetin e tyre profesional. Kjo lidhet me një sërë shkaqesh objektive dhe subjektive, si: mungesa e infrastrukturës, kuadrit ligjorë, mjeteve dhe programeve kompjuterike etj.
Në vija të përgjithshme tre janë fenomenet më negative që kërcënojnë akademikët dhe studiuesit shqiptarë:
Plagjiatura
Plagjiatura është përbën një kërcënim serioz për shkak të precedentëve që janë krijuar dy dekadat e fundit, kur numri i personave që vijuan studimet pasuniversitare (master dhe doktoraturë) njohu një rritje progresive. Kjo erdhi për shkak të liberalizimit të tregut universitar; sistemit të Bolonjës, sipas të cilit masteri u bë diçka e detyrueshme për çdo student; dhe kuotave tepër larta të doktoraturave.
Ky liberalizim nuk u shoqërua me mekanizma kontrollues, të cilët do të filtronin deri diku studimet e realizuara.
Në qoftë se për të drejtën e autorit vendosin gjykatat dhe u hartua një kuadër ligjorë që zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, për fenomenin e plagjiaturës vendosin komisionet akademike (të etikës). Në fakt, koha tregoi se për shkak të Kodit Penal, i cili e dënonte shkeljen e të drejtës së autorit (shiko nenet 148-149), ky fenomen sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, u arrit që të mbahej nën kontroll. Ndërsa e kundërta ndodhi me plagjiaturën. Komisionet akademike, nuk është dëgjuar ndonjëherë që t`i kenë hequr dikujt titujt shkencorë të fituar në kundërshtim me parametrat shkencorë. Ndërkohë që në medien e shkruar dhe atë online janë publikuar shkrime që trajtojnë raste flagrante të plagjiaturës. Këtu bëjnë pjesë edhe individë që ushtrojnë funksione publike në administratën shtetërore dhe vendimmarrjen politike.
Sipas disa shkrimeve dhe analizave të publikuara vitet e fundit është konstatuar se në pjesën dërrmuese plagjiatura konsiston në mos citimin e burimeve ku merret informacioni bazë. Autori nuk përmendet as në mënyrë specifike (në tekst apo me fusnotë), por as në bibliografinë përmbledhëse.
Përqindja e plagjiaturës nuk është e njëjtë. Ajo ndryshon nga teksti në tekst. Por ka dhe raste kur i gjithë studimi është plagjiaturë. Kjo ndodh më tepër në artikujt shkencorë dhe më pak në tezat e disertacioneve, ku niveli i plagjiaturës shkon nga një në disa dhjetëra e dhjetëra faqe. Zbulimi i plagjiaturës, e cila është bërë nga tekstet e papublikuara është shumë i vogël në krahasim kur ajo është realizuar nga artikujt, disertacionet dhe librat e publikuar.
Aftësia për të prodhuar ide origjinale nuk është e lehtë. Prandaj shpesh herë individë të ndryshëm e shohin plagjiaturën si një rrugë të lehtë e të pamundimshme, për të përmbushur ambiciet e tyre personale. Pavarësisht mungesës së legjislacionit dhe shembujve konkret të atyre që janë dënuar për botimin e materialeve të kopjuara, bota akademike, studiuesit dhe lexuesit e kualifikuar me kalimin e viteve kanë krijuar intuitën e tyre. Duke njohur autorët ata kanë krijuar disa kode morale me anën e të cilëve vlerësojnë arritjet e tyre apo ngrenë dyshime për rastet e dyshuara për plagjiaturë.
Në vitet e diktaturës komuniste, për shkak të izolimit të studiuesve me literaturën e huaj, u përhap jashtëzakonisht shumë një fenomen po aq i dëmshëm sa plagjiatura, kopjimi. Ai u vu re më tepër në tekstet universitare, që përdoreshin për studentët. Për “inerci” ai vazhdoi edhe pas viteve 90. Por, vitet e fundit edhe ky fenomen po vjen duke u reduktuar për shkak të përkthimit në gjuhën shqipe të autorëve eminentë dhe të njohur botërisht.
Konformizmi
Ky është një fenomen negativ që cenon indirekt integritetin e botës akademike shqiptare. Në fakt, ai nuk është diçka e re në arealin tonë kulturor. Kjo për shkak të periudhës komuniste, kur shkrimtarët, artistët, studiuesit dhe intelektualët e të gjitha kategorive i nënshtroheshin vijës ideologjike të PPSH. Detyra e tyre kryesore nuk ishte aplikimi i novacioneve të reja shkencore, por zbërthimi dhe interpretimi i direktivave që vinin nga lart. Për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe, as që mund të bëhej fjalë për integritet në fushën e shkencës.
Një fenomen i tillë u shoqërua me pasoja të rënda në shumë drejtime. Ai u reflektua drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu, degë të tilla si bujqësia, blegtoria, industria e lehtë, ajo e përpunimit të mineraleve dhe hidrokarbureve, u zhytën në prapambetje të theksuar. Në vend që ato të orientoheshin nga specialistë të kualifikuar, shpesh herë drejtoheshin nga elementë mediokër, të cilët konformoheshin me direktivat e PPSH-së.
Kultura e konformizmit ndaj instancave qeveritare, nuk është normale pas viteve 90. Akademikët e fushave të ndryshme duhet të jenë oponentët kryesorë të politikave publike. Ekonomistët dhe specialistët e botës financiare shpesh herë nuk shprehen hapur lidhur me politikat fiskale apo investimet publike që lidhen me çështjet e infrastrukturës.
Në aspektin e perspektivës ekonomike të shtetit shqiptar, akademikët dhe studiuesit e specialiteteve të ndryshme, nuk kanë përpiluar asnjë plan konkret, se cila duhet të jetë strategjia afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Edhe në periudha krizash, siç ishte ajo që krijua për shkak të COVID-19, bota akademike nuk reagoi sa duhet lidhur me politikat e shëndetit publik. Kjo u pasqyrua në medie, ku vendin kryesorë për interpretimin e situatës apo rrugët për të dalë nga kriza, nuk e kishte profesorati i shkencave mjekësore. Por nëpunës të institucioneve që vareshin nga Ministria e Shëndetësisë. Problemi më i madh gjatë kësaj periudhe ishte monopolizimi i informacionit për numrin e të prekurve, pasojat dhe trajtimin e tyre. Konformizmi që u vu re gjatë kësaj periudhe, nuk vinte vetëm për mungesë njohurish. Ai buronte në radhë të parë nga mungesa e vullnetit për tu ballafaquar me instancat vendimmarrëse.
Një rrezik evident është ai që lidhet me shkencat shoqërore. Për shkak të ndikimit të tyre në formimin ideopolitik të brezit të ri, presioni i drejtpërdrejtë ose strukturorë mbi akademikët sjell si pasojë konformimin e tyre me partitë politike dhe qendrat e pushtetit. Në specialitete si historia, letërsia, filozofia, shkencat politike, gazetaria, jurisprudenca dhe sociologjia, studiuesit, pedagogët dhe studentët janë më vulnerabël. Kjo e rrit dozën e tyre të konformizmit në raport me qëndrimet publike të politikanëve.
Konflikti i interesit
Ky është një fenomen i cili favorizohet për arsye nga më të ndryshmet. Por në radhë të parë ka të bëjë kushtet ekonomike dhe numrin e vogël të popullsisë. Kështu, nuk janë të rralla rastet kur personat që punojnë në institucionet akademike kanë lidhje gjaku ose shoqërore. Kjo vihet re dhe në temat studimore. Në kundërshtim me etikën e kërkimit shkencorë çdo disertant përpiqet të trajtojë historikun e vendlindjes apo personaliteteve nga e njëjta krahinë.
Raste të ngjashme ose të përafërta me këtë vihen re edhe në fusha të tjera. Kjo përkthehet në rezultate të deformuara dhe mungesë objektiviteti.
Artikulli është shkruar në kuadër të të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy dhe realizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP).